Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se demarkacioni ka qenë pretekst, por jo arsye e Partisë Demokratike të Kosovës për prishjen e koalicionit, të cilin veprim ai beson se subjekti që drejtohet nga Kadri Veseli po e paguan, ndërsa ka ftuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ta vërtetojë se kufiri me Malin e Zi është në Zhlep e Çakorr.
Ai ka deklaruar se LDK-ja është gati ta votojë kufirin në Zhlep e Çakorr, si kufi shtetëror, ndërsa ka sqaruar edhe arsyet që ia ka paraqitur Lista Serbe për mosvotimin e marrëveshjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.
“Demarkacioni nuk ka qenë arsye pse u prish qeveria. Ka qenë pretekst, sepse arsyet kanë qenë tjera. Mosmarrëveshje nuk kemi pasur.
Mendoj që Kosova ka pasur qeveri të mirë. Kabineti qeveritar ka qenë shumë i ngritur, shumë i arsimuar, shumë i i ndërgjegjshëm dhe shumë i përgjegjshëm.
Është bërë gabim që i është shpallur mosbesim asaj qeverie, pasi këtë kabinetin e ri gati askush s’e njeh, vec dy a tre njerëzve”, ka thënë Mustafa, në Zona e Debatit, në Klan Kosova. (b.an)











