Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, është shprehur i bindur se ligji i dekriminalizimit do të bëhet objekt shqyrtimi në veprimtarinë gjyqësore, pasi, sipas tij, ka shumë parregullsi që bien ndesh me kushtetutën. Për organet gjyqësore, ai thotë se do të gjejnë kurajën për të kërkuar dhe për ta shfuqizuar pjesërisht atë. Abdiu tregon po ashtu se aplikimi për të përmbushur formularin e vetëdeklarimit është konfuz. Në një intervistë për “Shekulli”-n, ai komenton dhe zvarritjen e reformës në drejtësi, e cila, sipas tij, po bëhet nga Partia Demokratike për çështje politike.
Ligji për dekriminalizimin ka kaluar prej disa muajsh. Edhe pse mori shumë kohë dhe angazhim nga forcat politike për të arritur kompromisin, ne nuk e dimë se çfarë po bëhet. A mund të na thoni zoti Abdiu sa efikas po tregohet ky ligj?
Problemi i ligjit për dekriminalzimin, i cili është edhe ky si reforma në drejtësi, duhet parë me urtësi dhe me objektivitet, paanshmëri e maturi. Është e vërtetë që ligji për dekriminalizimin ishte një arritje dhe do të konsiderohet e tillë, por unë mendoj se në punën që u bë, pati gabime, pati shpejtime. Dhe kam dyshime të mëdha se mund t’i qëndrojë kohës, sepse ai ligj, me ndërgjegje, është bërë jo i rregullt dhe jokushtetues.
Cilat pika të këtij ligji janë jokushtetuese?
Ligji i dekriminalizimit në parim është mjaft i ashpër. Së pari, ligji ka pika që bien ndesh dhe do të bien ndesh me standardet e kushtetutës. Jam i sigurtë që do të ketë vështirësi edhe tani që jemi në muajt e parë të fillimit të aplikimit për të përmbushur formularin e vetëdeklarimit të nevojshëm që duhet. Ka shumë pyetje që nuk kuptohen dhe nuk merren vesh. Dhe nuk mund t’i përgjigjesh qartazi. Kjo është vetëm njëra nga pikat ku stonon ky ligj. Së dyti, ligji do të ketë shumë probleme edhe në mënyrën se si do të zbatohen në praktikë kërkesat e këtyre aplikimeve.
Së treti, mendoj domosdo do të bëhet objekt shqyrtimi nëpërmjet çështjeve të caktuara konkrete, të kandidatëve të ndryshëm qofshin këto për pushtetin vendor, qofshin për pushtetin qendror, qofshin të administratës shtetërore dhe institucione të tjera të rëndësishme do të bëhen objekt shqyrtimi në veprimtarinë gjyqësore, dhe këto të fundit do të gjejnë kurajën për të kërkuar dhe për ta shfuqizuar pjesërisht atë. Kur them kështu, nuk them se ligji do të kthehet në tërësinë e vet, por them se ligji në aspekte të caktuara është mjaft i diskutueshëm dhe mjaft antikushtetues. Pra një gjykatë e lartë, një gjykatë apeli apo disa gjykata fakti, kur të ballafaqohen me shqyrtimin e këtyre çështjeve jam i sigurtë që do ta parashtrojnë si kontestuese, si gjykim incidental dhe do të kërkojnë që të kontrollohet pjesërisht.
Më në fund është bërë publik drafti i opozitës dhe ai maxhorancës për dekriminalizimin, përmes të cilit synohet pastrimi i Kuvendit dhe institucioneve shtetërore nga personat me të kaluar të dyshimtë kriminale. Cili është vlerësimi juaj për këtë proces? Çfarë mund të na thoni për reformën në drejtësi?
Gjatë periudhës 2-vjeçare, gjatë të cilës kemi bërë përpjekjet për të përgatitur ndryshimet kushtetuese në mënyrë që t’i përgjigjemi në kohë pretendimeve, në sektorin gjyqësor janë dëshmuar dhe shfaqur shumë problematika, disa të karakterit progresiv dhe të tjera të karakterit regresiv. Gjatë dy viteve është dëshmuar se ka pasur një përpjekje serioze për të mbyllur këtë reformë, siç është dëshmuar një përpjekje për të frenuar mbylljen e kësaj reforme. Është dëshmuar se ka vlera dhe antivlera. Disa konstatime kanë të bëjnë me mentalitetin ‘tek-tuk” të një pjese të faktorit politik që nuk e sheh reformën si varkë shpëtimi, por një farsë për zvarritur procesin në interes të politikave ditore.
Duhet theksuar se procesi i reformës është tejzgjatur, dhe gjatë këtij 2-vjeçari jo vetëm që është dashur të mbyllej puna paraprake e reformës në drejtësi por dhe një varg reformash të tjera të rëndësishme për vendin. Kjo mendësi e një pjese të klasës politike dëshmon se faktori shqiptar e konceptoi reformën në drejtësi, jo drejt. Nuk e panë siç duhet dhe nuk e parashikuan atë si një domosdoshmëri për vendin. Nuk e matën pulsin e shqiptarëve, të cilët e duan në unanimitet këtë reformë siç nuk e kuptuan se reforma nuk mund të bëhej e vetme, por duhej dhe opozita. Koha e humbur nga klasa politike shqiptare është e pajustifikueshme. Reforma në drejtësi nga klasa politike është kuptuar ngushtë, dhe herë-herë mund të them se është konceptuar si një reformë vetëm për gjyqësorin. Në fakt nuk është kështu, reforma në drejtësi po kërkon që të ndryshojë standardet e dhënies së drejtësisë në Shqipëri.
Pra po kërkon, do të insistojë dhe do ta arrijë, edhe pse me vështirësi që të krijojë një sistem gjyqësor shumë efikas, në kuptimin organizativ. Duhet të synojë rezultate të prekshme në dhënien e shpejtë të gjykimit dhe vendimit të drejtësisë. Sepse, siç dihet, është bërë e pamundur të sigurosh drejtësinë, qoftë dhe në kohë pasi zvarritjet e pajustifikuara dhe jashtëligjshme, shumë herë e humbasin karakterin e vërtetë. Vetëm po të kujtosh se në Shqipëri ka gjykime që kanë nisur para 10-15 vitesh dhe nuk kanë përfunduar. Ky kalvar vuajtjesh duhet të marrë fund. Unë mendoj se kjo situatë kjo sëmundje duhet të shërohet. Reforma në drejtësi ka kaluar të gjitha afatet dhe palët vijojnë t’i faturojnë fajin njëra-tjetrës? Që forcat politike po bëjnë lojë për të zvarritur reformën në drejtësi muajt e fundit ka dalë në sipërfaqe dhe është bërë krejt i kapshëm.
Duhet theksuar se opozita, edhe pse parimisht dhe teorikisht e ka mbështetur, ajo në praktikë ka bërë përpjekje dhe po vijon të bëjë përpjekje për të gjetur alibi të ndryshme për ta shtyrë reformën, mundësisht deri në prag të fushatës së ardhshme, me idenë që mazhoranca të mos fitojë kredencialet që të jep kryerja e reformës dhe t’i shfrytëzojë në zgjedhjet parlamentare. Dhe nga mazhoranca ka një grup njerëzish që dëshirojnë ta shtyjnë pafund për t’i shpëtuar përgjegjësive të tyre, pasi e ndjejnë edhe vetë se mund të preken për shkak të kaluarës të dyshimtë. Është i dukshëm fakti se partitë politike, (jo të gjitha kuptohet) edhe pse teorikisht janë pro, në të vërtetë nuk e mbështesin.
Reforma mund të tejzgjatet, por jam i bindur se do të përfundojë. Unë jam i bindur po ashtu se nuk do të arrijë ato rezultate që priten brenda një kohe të shkurtër, pasi në çdo aspekt do të dalin problematika, në të ardhmen. Duhet theksuar se drejtësia punon në bazë të një legjislacioni procedural, tashmë të vjetëruar, që u përket viteve ’90. Legjislacioni penal e civil janë prekur, janë amenduar, janë ndryshuar disa herë. Legjislacioni procedurial është katandisur në mënyrë të tillë saqë ekzistojnë mendime të ndryshme që nuk harmonizohen me boshtin, me thelbin, me idenë që kishte Kodi fillestar. Shumë ndryshime e kanë bërë Kodin Penal aq problematik, sa është e vështirë të pranosh se Kodi Penal ekzistues është një vepër me një mentalitet të njëjtë, ligjor. Ai është cënuar shumë herë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Pra, ka shumë fusha në drejtësi ku duhet ndërhyrë, por në mënyrë të veçantë, te ligjet që kanë të bëjnë me organizimin e funksionimin e drejtësisë. Unë mendoj se paralel me reformën në drejtësi duhet punuar dhe me hallkat që përmenda më lart.
Duhet ndryshuar ligji për Gjykatën Kushtetuese, ligji për KLD-në, veçanërisht ligji për organet e reja që mendohen të krijohen, ligji për Ministrinë e Drejtësisë. Këto janë ligje të rëndësishme dhe fondamentale të cilat duhet domosdo të përshtaten me standardet e reja pasi kanë përplasje dhe kontradikta, sepse kanë dy kuptime si dhe shumë përplasje të tjera. Pra nuk do të mund të kryejnë funksionin e kërkuar pa u ndryshuar. Reforma nuk mund të quhet kurrë e mbaruar pa ndryshuar këtë legjislacion që kemi ne, dhe që e kemi ndryshuar si ndërrojnë gratë orenditë e shtëpisë. Kodi ynë penal është nga kodet më të arnuar në Evropë. Si mund të flitet për reformë në drejtësi, kur ligjet e shtetit e janë spostuar në funksionin e tij, në çështjet e gjyqësorit, dhe akoma nuk kemi ligj për presidentin. Pra nuk mund të flitet për reformë kur ligji për partitë politike dhe për sistemin zgjedhor nuk është pastruar dhe nuk është kopsitur siç duhet. Që reforma të kryhet në tërësi, forcat politike nuk duhet të vijojnë të punojnë me hile dhe me prapaskena, por me mirëkuptim.
“Nuk mund të hapim procesin e negociatave pa bërë reformën”
Prezencën e ambasadorëve në grupet parlamentare si e keni parë ju, pasi është komentuar se prania e tyre shkel sovranitetin?
Ambasadorët janë faktorët kryesorë në këtë proces dhe kanë dhënë një ndihmesë për të çuar deri në fund këtë mision kaq përcaktues për integrimin e Shqipërisë në BE. Ata, mesa duket, kanë vendosur të lënë gjurmë. Ndërsa sa i përket kushtetuetshmërisë së tyre në këtë proces, unë nuk kam parë se kanë shkelur ligjet e vendit tonë. Ata janë përçues i zërit të organizatës ndërkombëtare të BE-së ku ne kemi kërkuar për tu integruar. Ata vetëm kanë këshilluar për standardet që ne i kemi marrë përsipër për t’i përmbushur. Edhe kur është diskutuar problemi i sovranitetit në raport me veprimtarinë e diplomatëve që shkuan në grupet parlamentare, ku veçanërisht Paskal Milo thotë “se ata duhet të jenë të matur sepse mund të shkelin “vijën e kuqe”. Pra ideja, sipas tij, është që të mos e teprojnë në raport me statusin që kanë si diplomatë.
Po sipas jush është normale ajo që bëjnë diplomatët e huaj në Shqipëri? Ka një logjikë që i jep të drejtë ambasadorëve të luajnë rolin e ndërmjetësuesit.
Shqipëria ka bërë një kërkesë për të qenë pjesë e organizatës ndërkombëtare, BE-së. Po ashtu dhe BE-ja e ka pranuar këtë kërkesë në parim dhe si kusht për t’u integruar i ka vendosur Shqipërisë disa standarde për tu plotësuar. Një nga kushtet kryesore që Shqipëria të pranohet në organizmat më të rëndësishëm është reforma në drejtësi. E kanë thënë troç. Nuk mund të hapim procesin e negociatave pa bërë reformën që mban shtyllën e funksionimit të një shteti. Në këtë rast, kjo organizatë i ka dhënë diplomatëve që janë faktor në vendin tone, të gjithë autoritetin për të negociuar për kryerjen e reformës.
Ndërsa aspekti që trajtohet nga zoti Alibali është tepër teknik dhe duhet parë me kujdes. Në këtë pikë ka vend për diskutim. Problemi që ngre Agron Alibali, që është një njohës i mirë i së drejtës ndërkombëtare, në parim qëndrojnë. P.sh: Problemi që ai ka pikasur në draftin e propozuar për përdorimin e gjuhës shqipe dhe asaj angleze është shumë kompleks. Është e vërtetë që në nenin 14 të kushtetutës thuhet se shqipja është gjuhë zyrtare. Pra duhet qartësuar kjo pikë, por unë mendoj se kjo nuk cënon sovranitetin e vendit. Nëse të gjithë vendet e Bashkimit Evropian e kanë si gjuhë të dytë zyrtare atëherë duhet ta kesh dhe ti, është kërkesë e kësaj organizate.
Isuf Kurtaj
ma.me