14 vjet më parë Shqipëria vendosi të marr pjesë në kuadër të forcave të koalicionit, në operacionin“Liria e Irakut”. Më 14 prill 2003, Republika e Shqipërisë, iu bashkua realisht koalicionit të vendeve aleate dhe partnere, duke angazhuar kontingjentin e parë paqeruajtës, në Mosul, kontingjent ky i përbërë nga 70 ushtarakë, efektivë të Regjimentit Komando, trupat elitë të Forcave të Armatosura.
Këto trupa u dislokuan në Aeroportin e Mosulit Ndërsa u angazhuan për të ruajtur dhe siguruar Bazën “Marez” në tërësi dhe portës së saj të veriut, që ndodhet në Marezin lindor, po ashtu edhe në Bazën Viktoria në Bagdad. Njëri prej ushtarakëve të parë komando që mbërritën në Irak dhe luftuan përkrah forcave amerikane qysh në ditën e mbërritjes në këtë vend, është Klodian Hoxha, nga zona e Patosit, fshat Fier . 14 vjet pas kryerjes së misionit të vështirë ai sjell kujtime nga kjo luftë, që siç pohon ishte e vështirë, me mjaft sakrifica dhe me rreziqe që të bashkëshoqëronin në çdo moment të jetës ushtarake.
“Vetëm automatiku ishte shoku, komunikuesi i përhershëm me ne – rrëfen ai. Ndërsa kujton plagosjen e disa shokëve,mallin për familjet e të gjithë komandove të parë shqiptarë dhe moskomunikimi për gjashtë muaj me radhë me të afërmit në Shqipëri, për shkak të kushteve dhe luftës që bëhej në front. I lindur në një familje në zonat rurale, 21-vjeçari kishte pranuar me dëshirë si edhe shumë djem të rinj shqiptarë, që ishin me shërbim në repartin e Zall Herrit, Tiranë, të bëheshin pjesë e kësaj lufte,duke marrë parasysh çdo rrezik.
Dhe këtë veprim Klodiani tregon se e ka marrë pa dëshirën e prindërve, me të cilët është takuar vetëm ditën e mbërritjes në atdhe, atë ditë kur nëna e tij nga malli për djalin, “prishi” ceremoninë e organizuar në Rinas nga Ministria e Mbrojtjes, për nder të ardhjes së trupave të parë komando nga Iraku. “U nisëm direkt për sulm”-tregon Klodiani. Pas sulmit që SHBA kreu me raketa në Irak, ne shqiptarët kemi marrë pjesë në sulmin e parë tokësor së bashku me forcat amerikane. E them me krenari . Ne ishim të parët. Nuk kishte filluar ende ofensiva. Më pas erdhën forcat angleze, australiane dhe spanjolle”.
Çfarë mban mend nga përballja e parë me trupat armike?
I mbaj mend shumë mirë gjuajtjet me armë, por dhe sulmin e ashpër nga poshtë të forcave të irakianëve. Ishin trupa të mirë përgatitura për të luftuar. Ata na gjuanin. Përballë breshërive dhe numrit të tyre të madh, u futëm në formacion luftimi. Pastaj dhamë koordinatat drejt ushtrisë amerikane. Kjo e fundit kreu sulmin dhe goditi me artileri ndaj këtyre forcave. Ishte një betejë e ashpër që në fillim. Pastaj mbërritëm në Bagdad, në fabrikën më të madhe të armëve. Objekt ku ndodhej kjo fabrikë ishte gjigant. Mendoni i shtrirë në hapësirë sa qyteti i Tiranës. Atje qëndruam disa orë. Edhe këtu u përleshëm sërish me ushtrinë irakiane. Ishim të gjithë 18 vetë amerikanë dhe shqiptarë. Në luftë të ashpër, municionet po na mbaronin. Fatmirësisht na erdhën në ndihmë 700 ushtarë amerikanë Këto kanë qenë situatat e para të krijuara menjëherë sapo mbërritëm në Irak.
Kur keni mbërritur në Mosul?
Kemi shkuar në Mosul pas disa ditësh. U vendosëm në bazën ajrore të qytetit. Aty u krijua dhe u bë bazë e forcave amerikane dhe forcave tona. Mbanin qytetin nën kontroll. Kryenim patrullime dhe përditë në çdo moment kemi pasur situata të rënda. Na sulmonin me sulme të shpejta dhe me forca të përqendruara. Por nuk arritën të na krijonin dëme në njerëz.
Ku e keni ndier veten më keq?
Për herë të parë në Bagdad. Pasi një kompani irakiane na sulmoi. Ne ishim të pakët në numër. Ata më shumë. E kemi parë veten keq. Ishte hera e parë që luftonim realisht me fishekë luftarakë. Atje u bllokuam. Por na erdhën forcat amerikanë në ndihmë pas 35 minutash.
Si e përballonit luftën dhe jetën Furnizimet me veshmbathje dhe me ushqime ishin të siguruara?
Veshmbathje kishim marrë nga Shqipëria. Ndërsa ushqime kishim dy pako në 24 orë nga 400 gram pakoja, nga ushtria amerikane. Kishte biskota,ëmbëlsira, gjellë, Gjellën e ngrohnim për konsumim nëpërmjet kartonit ,me pak ujë. Dhe ujë kishim një litër e gjysmë për 24 orë, Kjo në periudhën e parë, katër muajt e parë. Pastaj situata u normalizua Kishte ushqim të bollshëm. Kanë kaluar 14 vjet. Isha 21 vjeç, atëherë tani jam 35 vjeç. Jam i martuar dhe me dy fëmijë
Ka pasur vizita nga drejtues të lartë të ushtrisë, apo Ministrisë së Mbrojtjes?
Ka ardhur Pandeli Majko, ministër i Mbrojtjes. Ka qëndruar disa orë. E kemi shoqëruar në disa zona të qytetit. E pa situatën ishte shumë e vështirë. Ka qenë një muaj e gjysmë përpara se të mbërrinim në Shqipëri. Na përgëzoi për atë që po bënim për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë.
Si kontaktonit me familjen?
Kontakte nuk kishim. E kam marrë familjen pas gjashtë muajsh në shërbim në Irak. Tetë orë përpara se të nisesha për në Tiranë. I thashë më prisni në Rinas. Më parë nuk kam folur. Nuk kam komunikuar, kisha mall. Situata atje ishte e rëndë. Shok dhe mik ishte automatiku. Malli ishte ai, automatiku. Ai ishte gjithçka.
Çfarë kujtoni ditën që mbërritët në atdhe?
Kur u ktheva në Shqipëri, ndodhi një moment i çuditshëm. Mamaja ime nuk pyeti nga shiu i rrëmbyeshëm që po binte. Doli e para në Rinas, dhe padashur “prishi” shiritin, “shkatërroi” nga malli ceremoninë e organizuar. Ajo nuk priti por gati fluturoi dhe doli për të më takuar. Kur prindërit tanë gjatë kohës që ishim në Irak, kërkonin informacion, ishte shumë e vështirë. Pëllumb Qazimi, gjenerali, iu kishte thënë, “ata janë në luftë dhe shëndoshë e mirë” vetëm kaq .
A ka pasur lëndime nga trupat tanë, humbje jete?
Plagosje ka pasur në krah, në këmbë. Humbje jete jo! Unë vetë nuk u plagosa. Shokët e plagosur janë shëndoshë e mirë. Edhe sot.
Do të donit të vinit sërish edhe pse në këtë moshë në shërbime jashtë kufijve të vendit?
Nuk doja të shkoja më në Irak. Në situata të tilla, jo.. Të tjerët kanë shkuar. Dhe kanë mbajtur lart emrin shqiptar. Unë ngela pa punë, rreth 8 vjet. Isha i lodhur nga ai gjashtë mujor në luftë. Doja të çlodhesha. Dhe vijova punën që bënte babai, marangoz. Në vitin 2012 m’u afrua puna në sektorin e policisë bashkiake Fier Atje vazhdoj të punoj. Me përfundimin e operacionit “Liria e Irakut”, si dhe me reduktimin e forcave të koalicionit, FA u tërhoqën nga Iraku, respektivisht, nga rajoni i Mosulit më 23 dhjetor 2008 dhe nga rajoni i Bagdadit më 20 dhjetor 2008. Pjesëmarrja dhe angazhimi i FARSH në operacionin “Liria e Irakut”, është me 1343 ushtarakë./Shekulli
ma.me