Ish-këshilltari i Berishës, Flamur Kuçi thotë në një shkrim për media se “ka një klimë të shqetësuar të mbështetësve të PD për performancën e PD në zgjedhjet e ardhshme”.
A ka sot një projekt në drejtim të PD? – ngre pyetjen Kuçi dhe përgjigjet:
“Mjafton të lexohet aksioni politik dhe dinamikat e 3 viteve të fundit për të përvijuar projektin e kryetarit. Në vend të bashkimit dhe ringritjes të së djathtës, sot spektri i djathtë përjeton një degradim dhe rrudhje që u pasqyrua qoftë në ‘dezertimin’ e ‘aleatëve’ që PD promovoi në kurriz të mbështetësve të vet, qoftë në reduktimin e votave që e gjithë e djathta së bashku me vetë PD po përjeton nga zgjedhjet në zgjedhje.
Në vend të ngritjes së moralit opozitar, PD është përplasur sa andej- këtej pa një kurs politik (vetë Kuvendi Kombëtar në mënyrë të paprecedentë nuk miratoi asnjë rezolutë politike). Axhenda politike e PD-së, megjithëse jetojmë nën një qeverisje ku ka rilindur vetëm korrupsioni e krimi, ka reflektuar kaotizmin apolitik të një spektatori të pavëmendshëm. Dhe për rrjedhojë, besimi i opinionit është në limite historike dhe jo çuditërisht, opinioni është dyfish më i pakënaqur me opozitën se me qeverisjen”
Kuçi mendon se “PD ka humbur sistematikisht çdo debat politik dhe çdo betejë të tre viteve të fundit”.
“Edhe kauza e dekriminalizimit (më shumë e imponuar nga faktori ndërkombëtar) degradoi në një ligj që pothuaj nuk ka asnjë shans të dekriminalizojë, megjithëse PD e bëri kalë të betejës së vet. Në të njëjtën mënyrë, qëndrimi ambig i tipit “unë dua po këta s’më lenë” në lidhje me reformën në drejtësi, është i gënjeshtërt si në raport me PD, ashtu edhe me të huajt. Qëndrimet e lëvizshme e kanë vënë PD-në në pozita shpesh herë qesharake dhe jo serioze në sytë e partnerëve, por çka është më keq, në sytë e opinionit publik” – shkruan ai
Duke e quajtur Bashën “mediokër”, ish-këshilltari i Berishës shkruan:
“Mungesa e një aksioni serioz politik në tre vitet e fundit nuk ka lënë vënd për shumë shpresë për një ringritje të PD në zgjedhjet e ardhshme. Përkundrazi, duket sikur drejtuesi i PD është më komod në këto kushte kur edhe pritshmëritë e mbështetësve janë në ulje. Fundja, partitë modeste dhe jo të rëndësishme ‘sundohen’ më kollaj. Nëse një kryetar nuk ngrihet në lartësinë e partisë që drejton, do të ulë partinë në nivelin modestisë dhe mediokritetit të vet. Nëse është ky ‘projekti Basha’ për një sundim të qetë dhe të patrazuar edhe në humbje, kjo do të ishte e kuptueshme për të, por fatale për PD. Nëse lulëzon një projekt i tillë, PD është në rrezik…”
ma.me