Ziso Kristopulli, i cili 24 vite më parë u rrëmbye dhe u torturua nga Shërbimi Informativ Kombëtar bashkë me biznesmenin Remzi Hoxha është kërcënuar sërish. 73-vjeçari nga Ksamili ka kërkuar mbrojtje nga Policia e Shtetit.
Kristopulli, ka rrëfyer për Gazetën SHQIP se ka pasur një takim me shefin e Komisariatit të Sarandës. “I kërkova që shteti të më japë leje të pajisem me armë për vetëmbrojtje. Jam kërcënuar sërish pas intervistës që dhashë në Top Story. Pranë banesës në Ksamil kanë ardhur persona të ndryshëm për presione”, thotë Kristopulli për gazetën Shqip.
Në dokumentarin e transmetuar në Top Channel në 22 Tetor, Kristopulli tregon emrat e torturuesve, mes të cilëve edhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Ai akuzoi drejtëpërdrejtë në atë intervistë se miq të ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka i kanë vjedhur lokalin në Ksamil, duke falsifikuar dokumentet hipotekore.
Bëhet fjalë për të njëjtin lokal ku ai është takuar në atë kohë me ish-nëndrejtorin e SHIK për Tiranën Arben Sefgjini. Kristopulli akuzon Sefgjinin se e ka dhunuar në bazën sekrete në Vain të Lezhës, e njëjta bazë ku u torturua në atë kohë edhe Remzi Hoxha. Ky i fundit, u zhduk nga SHIK për të mos u gjetur kurrë.
“Kam bërë denoncim në prokurori për vjedhjen e lokalit. Shpresoj që me ngritjen e SPAK të bëhet drejtësi. Nuk kërkoj asgjë më shumë veçse drejtësi. Të më kthehet ajo që më takon, prona që më vodhën”, thotë më tej Kristopulli.
Ai kërkon nga instancat shtetërore të trajtohet si i dëmtuar në procesin që u thirr si dëshmitar. “Prokurorja Elisabeta Imeraj më thirri mua si dëshmitar se dëgjova klithmat e Remziut. Unë jam i dëmtuar. Mua më kanë torturuar. Dua të drejtën time”, vijoi Kristopulli.