Nga Reshat Kripa
Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.
Ditët e para të dhjetorit. Atë ditë çifti sapo kishte zbritur nga treni në kryeqytet. Blerina kishte një seminar mbi problemet e shkollës. Natyrisht edhe Arbëri, nuk mund ta linte vetëm. Po ecnin drejt qendrës ku ndodhej salla në të cilën do të zhvillohej seminari. Një lëvizje e pazakontë filloi në rrugë. Shiheshin të rinj dhe të reja, burra dhe gra që vraponin për diku. Arbëri dhe Blerina u shtangën. Për ku vraponin vallë? Ndaluan një djalosh që po ecte pranë tyre dhe e pyetën.
– “Tek qyteti studenti, u përgjigj ai”. – “Filloi”!
Djaloshi nuk u përgjigj. Kishte fluturuar. Instinktivisht edhe ata u nisën drejt vendit të treguar nga djaloshi. E harruan fare seminarin. Sa më tepër i afroheshin, aq më tepër shtohej turma që nxitonte për të mbërritur. Dëgjoheshin thirrjet entuziaste që gjëmonin:
– “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”!
– “A thua erdhi me të vërtetë dita jonë”?! – Pyeti veten Arbëri.
– “I dëgjon? Janë ditët e përmbysjes së madhe”.
Së fundi arritën. Sheshi ishte mbushur plot e për plotë me njerëz që thërrisnin dhe brohorisnin. Së fundi në tribunën e ngritur me këtë rast, hipi një nga studentët e universitetit të kryeqytetit. Ai filloi të fliste. Thelbi i fjalimit të tij, ishte një ultimatum drejtuar qeverisë, për të pranuar pluralizëm politik, për ta bërë edhe Shqipërinë, si gjithë Europa. Fjalët e tij mezi dëgjoheshin nga brohoritjet e shumta, që nuk kishin të sosur. Në përfundim të fjalës së tij, ai theksoi:
– “Ne jemi për sistemin shumë partiak dhe do të qëndrojmë deri në fitoren tonë, për këtë sistem. Liri, demokraci”!
– “Liri, demokraci! Liri, demokraci”!
Oratorët, nuk kishin të sosur. Midis tyre kishte edhe disa që Arbëri, i kishte dëgjuar duke dhënë kohët e fundit intervista, në mediat e huaja, si; “Zëri i Amerikës”, etj., të cilën ai e dëgjonte për çdo ditë. Një pjesë prej tyre, kishin qenë funksionarë të lartë. Kjo gjë sikur i shkaktonte një ngërç. Këtë ia shprehu Blerinës. Ajo e vështroi drejt e në sy dhe i tha:
– “Kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë, të keqen që ka patur brenda vetes dhe të fillojë një jetë të re”.
– “Më fal, – iu përgjigj ai, – ke të drejtë”.
Në podium u ngjit një burrë me një mjekër të vogël dhe mustaqe. Çuditërisht Arbërit iu duk si një fytyrë e njohur.
– “A e njeh”? – E pyeti Blerina.
– “Më duket fytyrë e njohur, por nuk arrij ta identifikoj”.
– “Është djali i Resulit”.
– “Djali i Resulit? Paska lënë mustaqe dhe mjekër”?
– “Ka mbaruar shkencat politike. Ka zëvendësuar të atin, që ka dalë në pension”.
– “Kur qenka bërë demokrat”?!
Oratorët vazhdonin të ndërroheshin. Një burrë e mori fjalën. Filloi të fliste me një gjuhë që e rrëmbeu të gjithë turmën. Sa më tepër ligjëronte, aq më tepër turma ekzaltohej.
– “O Zot”, – Thirri Arbëri.
– “Çfarë patët”? – Pyeti Blerina.
– “Mersini”, – belbëzoi Arbëri.
Ndërkaq oratori kishte filluar të fliste:
– “Të nderuar studentë dhe qytetarë të kryeqytetit! Më lejoni t’iu përshëndes në emër të të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën e tyre për këtë ditë të shenjtë. Ne jemi në krahun tuaj, ne jemi me ju”!
Dhe vijoi të ligjëronte e të ligjëronte.
– “O Zot, – thirri përsëri Arbëri”, – çfarë po më shohin sytë?
– “Çfarë”? – Pyeti Blerina pa kuptuar gjë.
– “Ai është miu i birucave, që ka marrë në qafë shumë njerëz”.
Para syve i dilte figura e Xhavitit, i lidhur në shtyllën e elektrikut ku dha edhe frymën e fundit.
– “Eja të ikim”, – tha.
U nisën. Kur mbërritën tek sheshi kryesor i kryeqytetit, ndjeu një zë: – “Arbër”. – Ktheu kryet. Para tij qëndronte doktor Istrefi. U përqafuan. Arbëri e prezantoi me Blerinën.
– “Bashkëshortja ime”, – dhe duke u drejtuar nga ai vazhdoi: – “Doktor Istrefi, një – nga shpëtimtarët e shumë jetëve në burg”.
– “Arbëri nuk iu lëshonte nga goja”, – tha Blerina, duke i dhënë dorën.
– “Mos harroni edhe qëndrimin tuaj dinjitoz, e nderuar”! – Iu përgjigj ai. – “Ku po shkoni”?
– “Në stacionin e trenit. Sonde do të kthehemi në qytetin tonë”.
– “Sonde nuk keni ku shkoni, jeni të ftuar tek unë për darkë”.
Ndërkaq po afronte mbrëmja. Arbëri u mundua të justifikohej gjoja me një punë që e priste në qytetin e tij dhe duhej të ikte patjetër, ndaj duhej të nxitonin të kapnin trenin e fundit. Por këmbëngulja e doktorit, e detyroi të pranonte.
Familja e doktorit përbëhej nga e shoqja dhe djali me bashkëshorten dhe një vajzë tre vjeçare. Kur e kishin arrestuar doktorin, kishte dy vjet që ishte martuar dhe e shoqja sapo kishte lindur. Kështu që djali, sikurse dhe Arbëri, u rrit vetëm nën kujdesin e nënës dhe pa prezencën e të atit. Megjithatë edukata dhe morali nuk i munguan.
Ato i ishin ngulitur në shpirt nga e ëma, që sakrifikoi gjithçka për të. Mbaroi gjimnazin, por rruga për më lart, ishte e mbyllur. Pasi u lirua i ati, u martua me një vajzë, që punonte në ndërmarrjen e tij, me të cilën u dashuruan. Si rezultat i martesës, u lindi vajza, që u bë gëzimi i shtëpisë.
– “Grua, – foli doktori sapo hynë në shtëpi, – na përgatit një darkë të mirë por, më parë, sillna shishen e rakisë dhe gotat, pasi ne meshkujt, do e kthejmë nga një gotë”.
Bisedat nuk kishin të mbaruar. Kujtonin kohën e tmerrshme që kishin kaluar në errësirën e burgjeve, apo tmerret e kampeve. Kujtonin shumë nga miqtë e përbashkët, që i kishin mbyllur sytë larg të afërmve të tyre dhe që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot. Por biseduan edhe për ditët e sotme dhe për lëvizjen e madhe, që kishte shpërthyer. Flisnin për lëvizjen por edhe për protagonistët e saj. Kishte midis tyre, shumë personalitete të shquara të vendit, që ia vlente t’i ndiqje, por kishte edhe sharlatanë të politikës, që nuk kishin lënë të zezë pa bërë dhe tani dilnin si ithtarë të lirisë dhe demokracisë.
– “A e dëgjove djalin e Resulit, – filloi Arbëri, – paska zëvendësuar të atin, drejtor drejtorie në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sot ligjëron për liri dhe demokraci. Nga kush e kërkon? Mos vallë nga vetja e tij? A thua ka harruar se ati i tij, ka torturuar qindra njerëz, një prej të cilëve, kam qenë edhe unë”?!
– “Qetësohu Arbër,- foli doktori. – Koha do t’i eliminojë ferrat që mbijnë rrugës”.
– “Po Mersinin e dëgjove, – vazhdoi Arbëri. – pa le, na fliste edhe në emër të të përndjekurve Politikë. Kujt të përndjekur? Mos vallë të Xhavitit”?
– “Dale të hapim televizorin, se erdhi ora e revistës televizive”, – tha doktori duke dashur të ndërrojë bisedën.
Spikerja e televizionit, po fliste për një takim që udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, kishte organizuar me drejtuesit e protestës. Në atë çast, fjalën e kishte studenti që hapi manifestimin. Ishte një djalë trim. Pa ia bërë syri tërr, po ia përplaste në fytyrë udhëheqësit. Ai mundohej me një dhelpëri të ulte tonet e bisedës, por ishte e kotë. Midis të pranishmëve, dalluan edhe figurat e Mersinit dhe djalit të Resulit. Atë mbrëmje ndenjën duke biseduar, deri në mesnatë.
* * *
Më së fundi u krijua edhe partia e parë opozitare. U zhvilluan edhe zgjedhjet e para pluraliste. Por hienat e së kaluarës, kërkonin gjak. Ky gjak u derdh në qytetin verior të vendit, porsa ishin zhvilluar zgjedhjet e para pluraliste. Ranë katër martirë. Përse? Vetëm e vetëm pse protestonin për vjedhjen e votave. Vetëm e vetëm pse guxuan të sfidonin diktaturën. Një shtet i tërë. u ngrit në këmbë.
Një grevë e përgjithshme. përfshiu të gjithë vendin. U ngritën shoqatat e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut e, midis tyre dhe ajo e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve politikë, nga regjimi komunist. U rrëzua edhe monumenti i diktatorit, që ndodhej në qendër të kryeqytetit.
Në këtë kuadër, Arbëri vazhdonte në qytetin e tij. Kishte një brengë që kërkonte ta zgjidhte sa më parë. Donte të gjente vendin, ku ishin hedhur eshtrat e të atit. Donte një varr, ku të vendoste një tufë me lule. E ngriti çështjen në Shoqatë. Shoqata iu drejtua Degës së Punëve të Brendshme, duke i kërkuar vendndodhjen e pushkatimeve. Dega heshti. Nuk guxoi të kthente përgjigje.
Arbëri vendosi të takonte Resulin. Me siguri, ai e dinte se ku ndodheshin eshtrat e të atit dhe tani që ishte pozicionuar në krahun e opozitarëve, ndërgjegjja e tij, duhej të kishte reflektuar. U nis së bashku me Blerinën, në drejtim të kryeqytetit. Ajo takoi dajon e saj dhe i kërkoi një takim të Arbërit me të. Resuli pranoi. Arbëri i paraqiti kërkesën. I kërkoi t’i tregonte, se ku ishin eshtrat e të atit. Resuli ndenji disa minuta pa folur, duke u menduar. Siç dukej, mendonte nëse duhej t’ia thoshte, apo jo?! Së fundi, triumfoi ligësia që kishte në ndërgjegjen e tij.
– “Unë nuk di gjë”, – tha.
– “Si nuk e dini? A nuk keni qenë ju hetuesi i tij, kur ai ndërroi jetë”? – e pyeti Arbëri.
– “Nuk di gjë”, – përsëriti Resuli.
Ngjarjet rridhnin njëra pas tjetrës. Një vit pas zgjedhjeve të para, filloi fushata për zgjedhjet e dyta pluraliste. Shoqata i propozoi partisë së parë opozitare, kandidaturën e Arbërit. Në konferencën e kësaj partie, për zgjedhjen e kandidatëve për në kuvendin e Shqipërisë, foli edhe Arbëri.
Foli qetë e qetë, për një shtet me të vërtetë demokratik, për një shtet Perëndimor, ashtu siç kishin ëndërruar ata që iu kundërvunë sistemit totalitar, duke dhënë edhe jetën e tyre për këtë ditë. Foli edhe kandidati tjetër, një ish-funksionar i sistemit të përmbysur. Nuk la më be e rrufe pa hedhur, mbi komunizmin. Së fundi u kryen votimet. Fitimtar doli ish-funksionari.
Erdhi edhe dita e votimeve. Partia opozitare u kthye në parti qeverisëse. Një administratë e re filloi nga puna. Arbëri u emërua drejtor në një institucion, që kishte në vartësi ish-të Përndjekurit dhe Burgosurit Politikë. Një anëtar tjetër i kryesisë së Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, u emërua kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, apo Komisariatit të Policisë, siç thuhej me emërtesën e re. Ai kërkoi në arkivat e Degës, por nuk gjeti asnjë dokument, për rastin e Sokolit. Blerina i sugjeroi të shkonin në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Shkuan. Drejtor ishte nje djalë i ri, që ishte emëruar ato ditë. Ai i priti me një mirësjellje të madhe. Së fundi, e gjetën skicën e vend-varrimit. Qyteti kishte tre vende varrimi, për të ekzekutuarit dhe ata që vdisnin në burg. Një në hyrje të tij, një në periferi dhe një në rrugën që dilte nga qyteti. Eshtrat e Sokolit, ndodheshin në rrugën në daljen e qytetit.
Shoqata vendosi fillimin e gërmimeve. Në atë vend ishte ekzekutuar, edhe një grup prej njëmbëdhjetë personash. Sipas skicës, eshtrat e Sokolit ndodheshin rreth dhjetë metra larg gropës, ku ishin të tjerët. Ndodheshin pikërisht poshtë një ure, që ishte ndërtuar nga pushtuesit italianë, që mendonin të ndërtonin një rrugë. Nisi gërmimi. Punohej me shumë kujdes. Iu dukej sikur do i lëndonin ato eshtra. Së fundi i zbuluan. Pranë tyre një medaljon. Arbëri e mori. Ishte medaljoni që kishte fituar në përfundim të studimeve në Francë dhe që bashkëvuajtësi i tij, ia kishte vendosur në xhaketë.
Eshtrat e martirëve, u vendosën në xhaminë e qytetit. Të gjithë ishin të besimit mysliman. Pas dy ditësh, u zhvillua ceremonia e varrimit. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. Në krye printe makina me arkivolet e viktimave. Pas tyre, familjarët dhe pjesa tjetër e qytetarëve. Merrnin pjesë edhe kryetari i Shoqatës Kombëtare, të ish-Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, si dhe përfaqësues nga partia qeverisëse. Kishte ardhur edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman si dhe doktor Istrefi, që tani ishte emëruar drejtor drejtorie, ne Ministrinë e Shëndetësisë.
U mbajtën fjalime të shumta. Foli Kryetari i Komunitetit Mysliman, Kryetari i Shoqatës Kombëtare, përfaqësuesi i partisë qeveritare, doktor Istrefi, si edhe djaloshi që kishte sjellë letrën e Sokolit në familje dhe që kishte ardhur posaçërisht për këtë rast. Ceremoninë e mbylli kryetari i Shoqatës së Degës së qytetit. Arkivoli i Sokolit, u vendos pranë varrit të Afërditës, ndërsa arkivolet e njëmbëdhjetë të ekzekutuarve, në një varrezë të përbashkët. Kurora të shumta, zbukuruan varret e tyre. Memorie.al /a.m.