Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një emision televiziv ka thënë se në kohën kur ai ishte kryeministër, askush s’ka mundur t’i bllokojë rrugët. “Reciprociteti për targa pjesë e marrëveshjeve të hershme. Prezenca jonë atje, pas implementimit, është gjysmake, besa edhe e turpshme, sepse po ofendohen policët tonë. Kosova është në të drejtën e vet”, tha Haradinaj, për T7.
Duke sqaruar për dështimin e takimit me Kurtin Haradinaj tha se “ftesa për takim ka ardhur për ora 10:00, por unë kam pasur takim të paracaktuar me mjekë shqiptaro-amerikanë. I kam tregu Kryeministrit, që ose të bëjmë më herët takimin ose pasi të kthehem nga takimi dhe zyrat tona janë dakorduar për takim në ora 9:00. Kam shkuar në kohën e caktuar. Protokolli i Kryeministrit më kanë pritur, janë sjellë mirë. Në vend të takimit më kanë lutur për kafe në korridor, por e kam refuzuar e në ora 9:01 jam larguar”. Haradinaj akuzoi Kurtin për jo seriozitet.
“Unë nuk dua të jem pjesë e teatrit që po ndodh. Kurti nuk ka treguar seriozitet. Për atë po ndodh që policia po ec në këmbë mes kamionëve të bllokadës dhe po ofendohet. Policia janë bërë si të ishin robër lufte. Planin operativ më të mirë do e bënte policia, të njëjtit që më herët i zhbllokonin të njëjtat rrugë”.
Ai ka thënë se aksioni në veri është bërë pa koordinim me aleatët tonë të besueshëm të sigurisë.
“Në kohën time, shikoni videot se si janë trajtuar ata që kanë bllokuar rrugët. Dhe si është trajtuar një rus, me makinë me targa të UNMIK-ut që prente lisa e tentonte të bllokojë rrugën. Hyrja e KFOR-it në ndërmjetësim të çlirojë policët tonë, është shenjë e keqe, është kthim i elementeve të rezolutës 1244”, ka thënë më tutje Haradinaj. T7