Skandalet e fundit të përdhunimeve dhe goditjes së fëmijëve të familjeve të varfra kanë treguar një shërbim kombëtar krejt të kalbur të Qendrave Sociale. Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e cila merret vetëm me shkeljet e legjislacionit por vetëm në kohën kur Zyrës së saj i delegohen ankesa, thotë për JAVAnews se: vërejtjet që bën institucioni, pak u bëjnë përshtypje institucioneve shtetërore, që merren me Qendrat Sociale!
Situata e fundit kaotike me reformat që janë përballë dhe që presin zgjidhje, por edhe shumë probleme të tjera, duket se pas pak kohësh, edhe këtë problem që lidhet me qendrat sociale do ta harrojë. Të paktën, kështu ka ndodhur deri më sot.
Nga Ben Andoni
Ndërsa mjedisi politik shqiptar është i ngarkuar rëndë nga temat e korrupsionit dhe skandalet e njëpasnjëshme, keqtrajtimet që u zbuluan sëfundmi në Qendrat Sociale duket se po shkojnë drejt harresës. Skandalet e fundit të përdhunimeve dhe goditjes së fëmijëve të familjeve të varfra, në këto qendra, kanë treguar një shërbim krejt të kalbur të Qendrave Sociale, por edhe shumë probleme të mbarëvajtjes dhe kulturës së personalit. Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e cila merret vetëm me shkeljet e legjislacionit por në kohën kur Zyrës së saj i delegohen ankesa, thotë për JAVAnews se vërejtjet që bën institucioni, pak u bën përshtypje institucioneve shtetërore, që merren me Qendrat Sociale. Kjo, është edhe një nga arsyet e shumta pse po prodhohen kaq skandale të njëpasnjëshme në jetimore, dhe qendrat e tjera…
Ndërgjegjësimi i ministrit të linjës Klosi dhe apeli i tij për kamera në jetimore, por edhe se dënimet nga gjyqësori për abuzimet janë minimale, duket se po shkojnë sërish në vesh të shurdhër, për të pritur skandalet e radhës.
Në një emision televiziv, pak kohë më parë, Komisionerja Irma Baraku i tha direkt dhe hapur përfaqësuesit të institucioneve të shtetit (që mbronte transparencën), se edhe për atë si komisionere ishte e vështirë të futej në qendrat sociale të Shkodrës, krejt ndryshe nga ajo që referonte zyrtari për suksese. Ndërkohë që problemi i ngritur i saj kishte të bënte me mungesën e transparencës dhe gjendjen kaotike të shërbimit social, si shkaktare e këtyre lajmeve që po dalin gjithnjë e më shumë në media për abuzimet.
Shumë kohë më vonë, pas këtij episodi, komisionerja flet për Javanews brenda tagrit të vet edhe pse duket shumë e kursyer:
“Mendimi im është se qendrat sociale janë të konceptuara si qendra larg dhe jashtë syrit të publikut. Duke qenë të tilla dhe nuk flas me siguri, por nuk kam edhe informacion që të ketë organizime ku të integrohen këto qendra me komunitetin ku janë të vendosura, në mënyrë që të kenë mundësi të kenë kontakte edhe me persona që nuk janë të punësuar në këto qendra. Monitorimet bëhen mesa kam kuptuar gjatë inspektimeve nuk janë të integruara me grupe të përbashkëta mes pushtetit qendror dhe atij vendor”. Ndërsa shton se: “Kur fola për vështirësitë për të hyrë në qendra nuk e kisha vetëm për Shkodrën. Realiteti është që ka disa procedura, që duhen ndjekur për të hyrë në qendër për kontaktet me fëmijët apo edhe me individët me aftësi të kufizuara(në qendrat rezidenciale). Por, kur na informonin për mënyrën si shoqëroheshin fëmijët a personat me aftësi të kufizuara në shkollë apo aktivitete kishte boshllëqe, të cilat i vendosnin në pasiguri fëmijët apo personat me aftësi të kufizuara”.
E rrumbullakosur kështu, problematika duket sërish e paqme, por kur mendon atë që ka ndodhur tmerrohesh. Mbase kjo ka qenë edhe pjesa më e vështirë e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, kur ka raportuar së fundmi në Kuvend mbi gjendjen e qendrave sociale ku qëndrojnë të strehuar fëmijë jetim apo fëmijë të familjeve të varfra. Incidentet e njëpasnjëshme që ka pjellë ky institucion janë të frikshme: dhunë, ofendimet verbale, përdhunimi i 3 vajza të mitura dhe shumë fëmijë të tjerë të dhunuar në forma të ndryshme. Në të tilla raste, nga zyrtarët është gati edhe zgjidhja: Fillimi i punës me një projektligj të ri, i cili ka për synim shmangien e ngjarjeve të rënda në jetimoret në vend. Ai tha se është parë e arsyetuar vendosja e kamerave vëzhguese në të gjithë qendrat ku strehohen fëmijë, edhe pse kjo masë është hedhur poshtë si “shkelje e të drejtave të fëmijëve, por ne do kërkonim një bisedë edhe me ekspertët parlamentare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve për të realizuar këtë projekt. Nëse kemi konsensusin ne do ta realizojmë me shpejtësi vendosjen e kamerave. Është një masë e cila do të na rrisë qetësinë tonë, transparencën dhe do të na ndihmojnë se çfarë ka ndodhur në qendrat rezidenciale”, u shpreh Klosi në Kuvend.
Por pse zyrtarët e shtetit kujtohen vetëm në kushte të tilla dhe, pse zakonisht mungon bashkëpunimi i duhur me strukturat shtetërore, pyetet Komisionerja, qoftë edhe për kontrolle të befasishme në këto qendra.“ Ne nuk e ndeshim pengesën për të hyrë për inspektim, pasi me ligj e kemi këtë kompetencë dhe subjektet nuk kanë aq guxim sa të na e ndalojnë një gjë të tillë. Problematike është kur ne kërkojmë informacion me shkrim dhe nuk na e sjellin. Në këtë rast ne vendosim sanksion me gjobe për shkeljen e dispozitave ligjore që i detyron subjektet të na japin informacion. Ne rastet kur ka informacion të bollshëm nga ankuesi, mosdhenien e informacionit nga institucionet e marrim si fakt që shkon në favor të ankuesit”.
Një rrugë e gjatë procedurash dhe që duket se nuk ka dhënë ndonjë shpëtim në ditët tona kur problemi tjetër i madh është se mungojnë realisht ankesat për diskriminime në qendra sociale! Kjo e bën krejt sistemin të pavend. Këtë e konfirmon edhe zonja Baraku, që shton se: “Nuk kemi pasur ankesa, por kemi nisur kryesisht(ex-officio) disa çështje, edhe këto të shtëpisë së fëmijës në Shkodër, Sarandë, para disa kohësh rastin e dhunimit të një vajze me probleme të shëndetit mendor në qendrën rezidenciale Durrës, në 2012 kujtoj rastin e qendrës për viktimat e dhunës në familje. Zakonisht, ndjekim rastet e denoncuara në media dhe i nisim vete si institucion”, shprehet ajo.