Alarmi i lëshuar nga eksperti dhe pedagogu i kriminologjisë, Ervin Karamuço, po vërtetohet gjithnjë e më shumë. Duket se sasia e dokumenteve shtetërore që hakerat iranianë kanë vjedhur nga AKSHI kanë qenë jot ë pakta. Një faqe internet anonime me bazë ruse, pasi ka domeinin ru vijon të publikojë dokumente shtetërore të shtetit shqiptar. Por ende nuk dihet se deri në çbazë ka ndodhur rrjedhja e të dhënave. Ndërkaq, Top Channel ka publikuar edhe foto nga dokumentet e grabitura.
Faqja është e pamundur të hapet nga Shqipëria, por ata kanë publikuar dokumente origjinalë. Kjo faqe mund të hapet vetëm nga jashtë Shqipërisë, sepse kompanitë që shpërndajnë internet në Shqipëri e kanë bllokuar mundësinë për të parë se çfarë publikohet.
Por Top Channel ka mundur të sigurojë ekskluzivisht disa nga dokumentet dhe mesazhet që hakerat kanë publikuar. Mesazhi i parë kërkon që Shqipëria të mos lejojë mbajtjen e samitit të opozitës iraniane. Në këtë mesazh shkruhet, “konferenca e Durrësit, çelësi i ferrit ose fundi i zjarrit”.
Por hakerat nuk janë ndalur! Për të treguar seriozitetin e sulmit të tyre dhe faktin që kanë hyrë dhe kanë patur mundësinë të manipulojnë dokumentet e shtetit shqiptar, t’i kopjojnë, ndryshojnë apo fshijnë, ata kane postuar një video.
Përmendja e këtij fakti nga Top Channel disa ditë më parë solli reagimin e ashpër të kryeministrit. Por në faqen e hakerave, të cilën e kanë bllokuar që të aksesohet nga Shqipëria, janë publikuar dokumente origjinale.
Një dokument i sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, për një mision të veçantë në Turqi për dronët e famshëm bajraktar, është publikuar në faqe.
Po ashtu, një dokument i drejtueses se AKSH-it. Vijojnë më tej dokumentet nga institucione si IKMT.
Një shkresë zyrtare e ministres së Financave tregon se hakerat kanë hyrë thellë edhe në serverat e financave.
Këto letra zyrtare të siguruara nga hakerat ngrenë dyshime se sa thellë kanë hyrë ata në arkivat sekrete, me të dhëna sensitive dhe çfarë kanë bërë me to.
Kujtojmë se megjithë ringritjen e e-Albania dhe shërbimeve të saj, ende nuk po funksionojnë disa shërbime që kanë të bëjnë me zyrën e tatimeve.
Nga ana tjetër, nuk ka ende një sqarim zyrtar të eksperteve se çfarë është duke ndodhur ende me sulmin kibernetik.