Irani është në metrat e fundit të arritjes së marrëveshjes me Fuqitë e Mëdha (Lexo anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit)+ Gjermaninë. Nuk dihet fare asgjë se ku kanë lëshuar palët, por tashmë në terren delegacione të huajsh e kanë mësyrë vendin islamik në kërkim të privilegjeve dhe lidhjeve të para-sanksioneve. SHELL, Mercedes, Hewlet Packard, Total etj., po i zënë rrugën njëri-tjetrit nga nguti. Të rinjtë janë më të qeshur, kurse xhihabi është modifikuar shumë dhe ka zbritur në fund të kokës femërore. Moderniteti të përball kudo, ashtu si varfëria në pjesët skajore të vendit. Irani është gati për hapje, por vetëm sipas mësimeve të imam Khomeinit, liderit historik të tyre!!!
Nga Teheran, Ben Andoni
Dhjetëra pyetjet, që i mbart në udhëtimin disa orësh, të davariten disi në aeroportin e Teheranit, ku grafitet potente persisht të kujtojnë se duhet të jesh i kujdesshëm dhe se mësimet e Liderit Suprem Imam Khomeinit janë të padiskutueshme. Polici i kontrollit s’ka parë pasaportë shqiptarë dhe e rrotullon ngado. Na sheh. E shohim. Ah, dhe të mos harrojmë: zezona që rri mbi kryet e vajzave, femrave, nënave të zvogëlon sakaq një bandë të konsiderueshme të spektrit të ngjyrave. Nëse ke ndonjë pyetje specifike lidhur me Iranin, mund të udhëtosh për në Shiraz, disa qindra kilometra më andej në jugperëndim të vendit, për të vizituar njeriun me zogun e vogël. Njeriu anonim që t’shikon përhumbtaz me një zog në dorë ulet për çdo ditë në një karrige përgjatë një bulevardi plot pemë, pas të cilit është një vend i shenjtë, ku ruhet varri i kryepoetit pers Hafez të shekullit të XIV. Kjo qenie kinse e habitur ta jep mu në letër fallin tënd, që i shkon cicërimës!!! Romani “Këngët e zogjve të egër”, e kuptoj që e paska pasur fillesën këtu.
A po hapet Irani?
Po. Ngado dëgjohen cicërima. Për vetëm 2.000 Tomans, të barazvlefshëm me 40 Cent, njeriu dhe zogu i tij të zgjedhin nga një kuti zhulse një nga ato dhjetëra poezi profetike të shkruara me një si pastel në alfabetin persian. Këtu i ke përgjigjet mistike për “të gjithë” pyetjet. Veçse pyetjet mbi Iranin janë aq shumë, saqë nuk mjafton java jonë e qëndrimit aty dhe përgjigjet alla-sfinks të tre-katër shoqëruesve tanë, që nuk na lënë askund t’vetëm. “Ne i kemi gjetur zgjidhjet për të gjitha çështjet dhe jemi tashmë në momentin e përshtatjes dhe shkrimit në letër të gjithë vërejtjeve”, lexoj në hollin e ish-Hiltonit në Teheran, citimin e Mohamad Javad Zarif për IRNA. Negocimet nukleare me P5+1 (anëtarët permanentë të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë) duket se po i afrohen pozitivisht deadline. Anipse, rrugës kanë filluar kërkesa të reja, të cilave Irani, u nxjerr me të drejtë, marrëveshjen e arritur me 2 Prill në qytetin e Lozanës në Zvicër, që e qetësoi të gjithë botën. Dhe, jo më kot. Irani, jo vetëm se ka ulur kokën, por pak kohë më parë i ka nxjerrë jashtë inspektorët nga sitet e veta ushtarake… “Perëndimi po e humbet kohën tonë, ne do i përmbahemi asaj që kemi arritur në Lozanë”, lexoj pak më poshtë kryenegociatorin Zariff-in që del kudo i qeshur. Leximin e vazhdoj në makinën e vjetër të shoqërimit, perdet e zeza të së cilës na e marrin frymën në smogun e paparë me pluhur, tymin e makinave të vjetra dhe rërën që vjen prej tutje shkretëtirave. Vërtetë çfarë keni arritur, a mund të ma thoni teknikisht, i drejtohem zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, të parës grua në këtë post në historinë e Iranit. Marzieh Afkham, për 30 vjet në këtë dikaster, më shikon ngultas, por përgjigjen e jep persisht në fonemat poetike, që ia zbusin inatin, kur i largon sytë prej meje: “Do bëhet gjithçka si duam ne dhe kemi arritur atë ç’kemi dashur, por pa shkelur parimet e Revolucionit Islamik”. Ka të drejtë. Revolucioni Islamik s’është ai i 1979, që e përkrahëm edhe ne. Është si më mirëkuptues me botën globale, ndërsa i ka mbyllur sytë para Xhihabit, që ka zbritur deri në fund të kokës femërore; hireve të gruas, që i përfytyron lehtë me veshjet e ngushta; apo mbajtjes gjithnjë e më shumë të kollares. Kultura potente vendase po kërkon dhe po i afrohen nga të gjithë anët gjithnjë e më shumë bashkëpunime, kurse liderët e plotfuqishëm të vendit, kanë vendosur ta testojnë ndryshe vendin e tyre: Duke e liruar. Ekonomia po pret ma padurim kthimin e kompanive të huaja të naftës e gazit, kurse ato amerikane ende hezitojnë. Për ta, historia me Iranin është një histori që shkon në një cak dhe kthehet sërish pas. Anglezët nuk kanë pritur, kompanitë e tyre po kërkojnë vendin e dikurshëm që kishin me shahun, ashtu si shumë e shumë kompani perëndimore, që janë futur kudo. Evropa është turrur në një si pelegrinazh historik aty, me një ndjesi sikur u thotë: U vonuam shumë! Deri aty, Irani ka ende telashe. Ka shumë probleme me fqinjët dhe armiqtë. Muxhahedinët na i përmendin shpesh, duke na thënë deri se: do vi koha t’i provojmë në kurriz. Sa për ISIS-in e kanë një përgjigje zyrtare, që gati ma përplasin në fytyrë me anë të Znj. Afkham: “Nëse do afrohen deri 40 kilometra në kufi, do t’i zhdukin krejt!!!”. Presidenti Hasan Rouhani (është i veshur) premton se do të qëndrojnë me Sirinë deri në fund të udhës dhe se e respektojnë Asadin. Shqipëria e para viteve ’90 të vjen para syve, por jo kështu. Ata janë ndryshe. Rinia vendase që po e kupton më mirë nga të gjithë ndryshimin i është dedikuar anglishtes dhe sportit, për të pasur një mundësi për t’i shpëtuar ‘rrethimit’ të tyre, që ne e kemi kaluar frikshëm me Enverin. Si për të provuar këtë, një iranian më sjell një ditë një Cd me të cilën mund të thyej bllokazhin kibernetik prej të cilit nuk di asgjë se ç’ndodh në Tiranë dhe të futem në sitet evropiane. “Do hapemi shpejt”, më thotë një mësues me të cilin futem në një llogari të ngatërruar kur e pyes për paratë e për vlerën e pensionit. “Deri në fund të muajit ka kohë, thotë dhe qesh çiltër. Me kismet muajin tjetër…”. Dy të rinj që na ndjekin e që punojnë në restorant na ndjekin si të shushatur. Njësoj si ata, iranianët e zakonshëm janë bjerraditës të frikshëm, kuptohet veç jo studentëve dhe intelektualëve. Këtë e shikoj edhe te njerëzit që më rrethojnë. Iranianët e kanë me nge çdo gjë, veç jo trafikut ku ecin të ndërkryer si në filmat me aksion. Qesh shpesh me ta dhe njësoj ata me mua. Lëshojnë. Lëshoj.
Ekonomia
Por lëshimet s’janë aq të mëdha. Lideri i revolucionit islamik Ajatollah Sejed Ali Khamenei ka cilësuar se shkolla e mendimit të Khomeinit është baza e ecjes së tyre! Nuk arrijmë të jemi dot në mitingun e tij, që ka mbledhur miliona njerëz në Mauzoleun e Khomeinit dhe mosarritja jonë në kohën e caktuar, na përmendet shpesh. Mundohem t’u shmangem rojeve dhe duke lexuar. Kam marrë një panoramë ekonomike: 16.3 trilion Rialë (563 milion USD ) janë investuar në 18 muajt e fundit për zhvillimin ekonomik. 54% e investimeve janë prej privatëve. Brenda OPEK-ut, Ministri i Naftës së Iranit Bijan Zanganeh ka premtuar të gjejë mundësi të tjera për siguracione dhe të shtojë edhe prodhimin e 1 milion fuçive në ditë…Irani do t’i bashkohet Gazsjellësit turk që vjen nga Rusia në të ardhmen me një kapacitet prej 6 miliard kub. “Nuk na keni më në interesat tuaja”, i them një zyrtari. Tund kokën. E zgjas kot. Në terren, ekonomia s’është aq mirë. Qeveria iraniane do të emetojë së fundmi Letra me vlerë islamike që të paguajë borxhet në banka. Në logjikën financiare këto lloj bondesh qeveritare janë një tip sigurimi, i cili lëshohet nga shteti si një instrument borxhi, pasi janë më likuide krahasuar me instrumente të tjerë në tregjet financiare. Anipse Irani, në vitet e fundit, me Vitin persian (mbaroi në 20 Mars 2015) prej muzeumeve publike fitoi 400 miliard Rial (12.1 milion USD), kurse presin 600 miliard Rialë (18.1 milion USD) në vitin tjetër. Kjo realizohet falë vizitave të 20 milion turistëve, mes të cilëve 1.75 milion janë të huaj…Dhe, këtu ke çfarë të shikosh. Persepolisin antik, Muzeun e artit antik, atë modern, rezidencën e Shahut e shumë e shumë gjëra të tjera. Nguti i vërtetë po ndodh me delegacionet e biznesit, që janë derdhur në Iran me një sy gati për zhvillimet e shpejta, që priten t’ndodhin në vend pas 30 Qershorit. Të gjithë duan t’i mbyllin marrëveshjet para kësaj date. Dhe, Korporatat multinacionale, më së shumi nga Evropa dhe pastaj nga Azia, që bënin dikur lirshëm biznes para se të vendoseshin sanksionet kanë bërë plane të rikthehen. Po afrohet Mercedes Benz, Hewlet Packard, apo francezët e Total, holandezët e SHELL, BP dhe Total, pa harruar Eni-n Italian. Amerikanët ecin njësoj. Kanë eksportuar mbi 98.2 milion USD mallra në katër muajt e parë të 2015 në Iran, 67% më shumë se më 2014, por nuk pati fare importe nga Irani për katër muajt e parë të 2015. Frika e biznesit është te modalitetet e marrëveshjes së fund-qershorit. Iranianët duan që sanksionet të hiqen menjëherë pas Qershorit, kurse amerikanët duan të kalojnë plot 6 muaj dhe të gjykojnë sërish. Irani me anë të propagandës së vet ka bërë me dije se ka një masë të madhe intelektualësh në popullsinë e vet prej 81 milion banorësh, që nuk presin më. Dhe, arroganca u shkon. Rezervat e gazit e bëjnë të dytën në botë kurse të naftës të katërtit. Vetë biznesmenët amerikanë kanë frikë nga burokracia e tyre, që mund t’i përdorë sanksionet me argumente të tjerë në të ardhmen, si për shembull me mbështetjen e grupeve terroriste prej Iranit, mungesën e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e raketave balistike. Ani, edhe kjo s’është problem: Pasiguria më e madhe është për rolin e madh të shtetit në ekonomi dhe mbi të gjitha organizatat gjysmë shtetërore, që i hasim kudo në trafikun që përshkon ajrin gati 40 gradësh. Ato mbahen si burime korrupsioni, shtuar me një shumicë kompanish që janë në listat e zeza. Po si, e pyes dikë. “We have to go! Come, come!” S’kam kohë. Sërish nuk më lënë.
Arti
Në makinë bëj bisedë për artin, por ata që na ndjekin nuk u intereson shumë. Arti i tyre është i jashtëzakonshëm, jo thjesht nga përmasat e traditës; apo jo zejtaria, që ka qenë art në vete; jo përpunimi i qilimave me të cilën shpesh janë identifikuar; poezia e jashtëzakonshme, apo arti i sotëm i kinematografisë, por me identifikimin e veçantë. Irani, njësoj si Japonia, është një nga vendet më të vjetra në botë. Dhe gjuha “Farsi,” është një gjuhë e jashtëzakonshme dhe e pasur, duke siguruar dhjetëra mundësi për shkrimtarët. Ne kemi të përkthyer mrekullisht në shqip prej Buharasë “Gjylistanin dhe Bostanin” dhe “Shahnamenë”, ose Librin e Mbretërve, që tregon historinë legjendare të Iranit. Në kinematografi, iranianët janë të paarritshëm prej aziatikëve të tjerë. Lufta me Irakun në vitin 1980 frymëzoi shkrimtarët bashkëkohore, shumica e të cilëve janë shumë patetikë, disa të përkthyer në anglisht. Dhe qershia mbi tortë, mu ajo traditë e pasur e poezisë. Poeti më i famshëm është Rumi, një mistik i shekullit të 13-Sufi. Ne njohim dhe Saadin, apo siç më flet një vajzë e re Forough Farrokhzad, një poet interesant modern, i cili vdiq në një aksident me makinë në vitin 1967.
Të rinjtë dhe gratë
Vajza e mbuluar krejt me xhihabin e lë molton mënjanë dhe më afrohet, të më sqarojë më mirë. Flet mirë anglisht dhe duart i vendos brenda rrobës së zezë që e bën shumë të vjetër. Ka lëvizur shumë me të dashurin dhe më thotë se së fundmi kanë shkuar në Brazilia. Flasim për gati çdo gjë dhe menjëherë. Nuk e njeh fare Shqipërinë dhe i përsëris edhe asaj të njëjtën gjë: Jemi mes Italisë dhe Greqisë. Më tregon shumë dhe besoj se nëse gjërat do shkojnë mirë: iranianët realisht do të kenë një shans për të dalë ngadalë nga izolimi i tyre i imponuar. “Të gjithë e donin Revolucionin Islamik 1979 sepse parullat: nafta e lirë, strehim për të gjithë njerëzit, barazi, na shkonin”, më thotë pak më vonë një moshatar. Rrëgjimi i Ahmadinaxhadit e teproi me ashpërsinë dhe në kulmin e protestës së tyre 100 demonstrues u vranë në trazirat e 2009, kurse mijëra u burgosën. Mahnuari më thotë se e duan dinjitetin, por “na intereson më shumë mirëqenia ekonomike, se politika është vetëm shqetësimi i një pakice”. Studentët janë të thellë në biseda, por nuk më lënë. Sapo flas dikush do jetë që do më tërheqë. “No time. Go”. Më duket vetja si në pit stop. “Do not touch! Men do not touch each-other, except..”. Një buzëqeshje zgavrore më qëndron para surratit. “Surrat…” Edhe ata i thonë fytyrës njësoj. Gjej një mundësi tjetër dhe shmangem sërish. Të rinjtë e Iranit janë tejet të hapur dhe kanë shumë shaka për qeverinë. “Dua të jetoj këtu“, i them dikujt. “Hëm, hajde ndërrohemi”, më thotë. Në site perëndimore kam parë jetën ndryshe të iranianëve pasunarë, mu ata që kanë Lamborgini dhe Ferrari ata që harbohen, por ata s’mund t’i takoj dot. Në fakt, këtu ku përfundojmë është Irani patriotik, njerëzit që luftuan, veteranët, ushtarët e rinj, që më kujtojnë ushtrinë time, institucionet fetare që kujdesen për të varfrit. Mu këtu, në një cep, teksa ndaloj dy djem, biseda shkon menjëherë në ankim. Më duken si djem shqiptarë. Është e habitshëm se edhe këtu duhet të kesh mik të gjesh punë. “Kontaktet e padukshme” nuk janë aq për t’u nënvlerësuar. Në Iran funksionon krahinizmi dhe kur vjen dikush në pushtet i tërheq me kuç e me maç. Por teheranasit, preferojnë vende të punës në sektorin privat, sepse ata janë më të sigurt, më prestigjioze dhe me paga më të larta. Ende funksionon grupi Basij, milicia me të rinjtë e themeluar nga fundi i kohës së Ajatollah Ruhollah Khomeinit, themeluesit të Republikës Islamike. Krahu i elitës së Gardës Revolucionare, të akuzuar ndër kohëra se kishin moralin e policisë, dhe të përdorur shpesh kanë rënë disi. Ndërsa kuptojnë se politika e tyre i ka shmangur nga populli. Iranianët janë shkëputur shumë nga feja, por kjo është vetëm në dukje, sipas politikanëve. Një deputete na thotë se shamia nuk hiqet pasi vetë të rinjtë në festimet solemne e veshin si shenjë nderimi!!! “Iranianët janë krejtësisht fetarë, por në sipërfaqe, sidomos në Teheran, ju mendoni se njerëzit janë distancuar nga feja.” Një djalë në librari më shton një tezë tjetër: Irani kurrë nuk ka qenë një vend veçanërisht fetar, në krahasim me fqinjët e saj. Libraria është një lloj antikuari, mbushur me libra persisht dhe anglisht, kryesisht teknikë por edhe romane. Kjo marrëdhënie e habitshme me fenë i ka përzier edhe me pikëpamjet e tyre politike ndaj regjimit. Diktati i rreptë i klerikëve konservatorë, duket se i ka lodhur njerëzit. Ndaj, djemtë dhe vajzat e Republikës Islamike, janë duke i shikuar më shumë televizionet perëndimore. Viber i ka trullosur të gjithë dhe është çmenduria, ku ata shkëmbejnë talljet për liderët e tyre. 20 milionë iranianë kanë smartphones, që të lodhin sepse mezi të flasin, kur janë të zhytur aty. Kjo më lodh sepse pyes një ushtar, që më bën me shenjë të pres, teksa ai flet pafund. Në fund bëhemi miq dhe më thotë se duhet të bëjë dhe 15 muaj ushtri (21 janë gjithsej). Iranianët e rinj e duan Perëndimin, por njëri nga shoqëruesit më thotë më hapur: Këtu është gjithçka amerikane, sistemi i ushtrisë, arsimit, ekonomisë etj. Jemi dhe nuk jemi me amerikanët.
…por ndryshimi i vërtetë janë gratë. Të rejat e Iranit kanë qenë një forcë shtytëse e këtyre ndryshimeve dhe disa minuta që ndërroj biseda me disa vajza, më tregojnë se ka qenë arsimi, ndoshta arritja më e rëndësishme e revolucionit islamik. Një arkitekte e re, me të cilën flas, teksa tymosim një cigare, më shpjegon sesi numri i grave universitare ka shkuar deri në 20 përqind në vitin 2013. Ajo që më thotë më ndryshe është se tani teheranaset dhe mund të divorcohen më lehtë!!! Kurse meshkujt vetëm pinë, më thotë duke qeshur. “Sa më shumë ndalohet aq më shumë pinë. Së fundmi shteti po ngre 150 qendra detoksifikimi, për të liruar këtë gjendje gati katastrofike”. Në fakt, shqetësimi më i madh është se iranianët nuk bëjnë më fëmijë si më parë. Individualizmi është i lartë. Të rinjtë nuk jetojnë më nën tutelën e prindërve, kurse gratë shpesh e më shpesh marrin vendime të tyre. “Iranianët janë të ndarë, por gjithnjë e më shumë të rinjtë rrinë dhe bashkë”. Tradicioni është se në disa pjesë të Teheranit mund të kesh dhe të dashur, më thotë vajza me një buzëqeshje të lehtë dhe më zgjat dorën, që do të thotë se do të iki. Për mua është hera e parë që kap një dorë femre në Teheran. Më duket gati si propozim! Kthen dhe njëherë kokën, kinse për të rregulluar shaminë, që i ka rënë krejt. “Varet nga tradita e familjes”, më thotë Ebrahimi, pak orë më vonë.
Shqipëria
Ka ardhur dita e largimit dhe Rrugëtimi në Iran, në atdheun e Darit dhe Hafëzit tregon se Shqipëria është krejt e panjohur për pasardhësit e Revolucionit Islamik, që tashmë kanë lënë kravatat dhe briskun e rrojës dhe kanë vënë mjekrat dhe mbajnë këmishat pa jakë. Konservatorët dhe të Moderuarit, që përplasen rregullisht në të dy krahët e politikës debatojnë pa fund për zhvillimin e vendit. Ndërkohë, ankthin për ndryshim e shikon në një ngut të paparë të njerëzve, që ecin si të çmendur dhe pothuaj pa asnjë rregull në qytetin prej 12 milionë banorësh të Teheranit dhe dëshirën e të rinjve për të folur me të huajt. Pazari është vendi ku mblidhet shoqëria e ulët, ndërsa vendet e kuruara dhe larg qytetit janë për autokratët e rinj, pinjollët e të cilëve nuk lënë shumë të dyshosh për dallime të mënyrës së jetesës me Perëndimin. Në metronë e qytetit lëvizin qindra-mijëra banorë në ditë, ashtu si studentët dhe të rinj përpiqen me çdo mënyrë të kapin elementët e fundit të jetës së Perëndimit. Udhëtimi në qytetet e Teheranit, Shirazit, vendet e shenjta, shtëpinë e Imam Khomeinit, residencën e shahut, rrethinat dhe vizitat te viktimat e luftës ndaj muxhahedinëve (prej të cilëve janë të bindur se nuk do jetë e vonë dita, kur do e pësojnë dhe shqiptarët), i vjen fundi! “Lusim Zotin për Ju, që të mos Ju gjej gjë!”, na thotë një ish-revolucionar ashtu si ne urojmë që shpejt ata të kthehen aty ku e kanë vendin…Të gjitha i kujtoj në mesnatë në aeroportin e Teheranit, teksa marr rrugën e kthimit, ulur me një plak që sheh në i-phone e tij hotelin në Francë. Nuk orientohem dot në shkrimin persisht të tabelës elektronike për fluturimin tim. Verë e vitit 2015.