Në seancën e sotme plenare, Kuvendi i Shqipërisë pritet të diskutojë dhe të votojë një rezolutë që do të shpallë si organizatë terroriste të Gardës Revolucionare e Iranit (IRGC), si dhe Iranin shtet financues të terrorizmit.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se iniciativa vjen në një kontekst të ndjeshëm për sigurinë kombëtare, duke kujtuar se vetëm pak ditë më parë Kuvendi ishte shënjestër e një sulmi kibernetik.
“Sot nuk kemi të bëjmë me incidente të zakonshme teknologjike, por me akte armiqësore që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionimin normal të shtetit,” u shpreh Balla.
Sipas tij, “rezoluta synon të adresojë këtë realitet duke dënuar qartë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, përdorimin e grupeve proxy për destabilizim, si dhe mjetet hibride, përfshirë sulmet kibernetike ndaj institucioneve sovrane”.
“Dokumenti i propozuar i bën thirrje qeverisë shqiptare që, në përputhje me legjislacionin vendas dhe në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë, të ndërmarrë hapat për shpalljen e Gardës Revolucionare të Iranit dhe Hezbollahut si organizata terroriste. Gjithashtu, rezoluta synon forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit, duke përfshirë si strukturat shtetërore ashtu edhe rrjetet që operojnë në mbështetje të tyre”, u shpreh Balla.
Ky i fundit u shpreh i keqardhur për mungesën e opozitës në seancën ku pritet të votohet rezoluta.











