Irani do të vazhdojë të mbështesë Sirinë, deklaroi zëvendësministri iranian i Punëve të Jashtme, Hossein Amir Abdollahian,ndërkohë që Këshilli i Sigurimit votoi dje në mbrëmje një rezolutë duke kërkuar një armëpushim dhe negociata për paqe që prej fillimit të muajit janar.
“Ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë për Sirinë”, deklaroi nga Nju Jorku, Amir Abdollahian, cituar sot nga agjencia e lajmeve “Irna”.
Irani është mbështetësi kryesor rajonal i Sirisë dhe e ka ndihmuar financiarisht dhe ushtarakisht, veçanërisht nën formën e këshilltarëve ushtarakë në terren.
Para votimit të Këshillit të Sigurimit, ministrat e Punëve të Jashtme të 17 vendeve, përfshirë Iranin dhe Rusinë, që kanë pasur tashmë dy takime në Vjenë për Sirinë, u mblodhën në Nju Jork për avancimin e diskutimeve për procesin politik për t’i dhënë fund krizës siriane.