Pjesëtari i Gardës Revolucionare të Iranit, Hashem Dehghani-nia, është ndër të fundit që është kthyer në arkivol nga lufta në Siri, ku rritja e numrit të vdekjeve të iranianëve dëshmon për përkushtimin e fuqishëm të Teheranit për forcimin e aleatit rajonal, presidentit Bashar al-Assad.
Hashem Dehghani-nia, 28-vjeçar, për qarqet zyrtare iraniane është “mbrojtës i tempullit të shenjtë”. Kjo shprehje përdoret për iranianët dhe afganët, që gjoja se me dëshirë udhëtojnë në Siri, si vullnetarë për t’i mbrojtur vendet e shenjta shiite islame.
Në pamjet televizive të funeralit të luftëtarit të ndjerë 28-vjeçar dhe të të rënëve të tjerë iranianë në luftën civile katërvjeçare në Siri shihet masë e njerëzve që marrin pjesë në marshimet në rrugët kryesore, pastaj makina të zërimit të zëshëm të ngarkuara në kamionë, ushtarë të uniformuar dhe civilë duke qarë dhe duke u afruar tek arkivolet e stolisura me flamuj.
Në rastin e Dehghani-nias raportohet se përfaqësuesi i liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ishte falur mbi arkivolin e tij.
Ky person dhe qindra iranianë të tjerë të vrarë në Siri nderohen si “martirë”, që i sakrifikojnë jetët e tyre për islamin dhe vendin e tyre. Gjatë muajve të fundit, numri i të vrarëve është rritur dhe në këtë numër përfshihen edhe komandantë të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit.
“Emri dhe fama e tij do të mbeten përgjithmonë në histori”, ka kumtuar kjo gardë për luftëtarin e vrarë, Hashem Dehghani-nia, i cili ishte nga provinca Ardebil, në pjesën veriperëndimore të Iranit.
Kthimi i kultit të martirit
Një nderim i tillë i orkestruar me shumë kujdes është shenjë e thellimit të involvimit të Iranit në Siri, ku qindra mijëra sirianë janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.
Ata paraqesin, po ashtu, përkujtim të përgatitjes së luftës totale, që e kishte përfshirë Iranin gjatë periudhës 1980-88, në luftën me Irakun, kur qindra mijëra iranianë ishin vrarë në luftën shkatërruese të këmbësorisë kundër forcave të Saddam Husseinit nga Iraku fqinj. Kulti i martirit, që është komponentë qendrore e islamit shiit, ishte përdorur nga autoritetet iraniane për t’inispiruar dhe inkurajuar ushtarët për luftën me Irakun.
Historiani iraniano-amerikan, Abbas Milani, me seli në Kaliforni, thotë se tash autoritetet e Iranit “po e shfrytëzojnë martirizimin si mjet për arsyetimin e numrit në rritje të vrasjeve të trupave iraniane në Siri, pasi ballafaqohen me pyetjet e disa njerëzve se përse këta njerëz po vriten atje”.
Mediat e linjës së fortë të ndërlidhura me Gardën Revolucionare të Iranit i kanë lavdëruar personat e vrarë në Siri si individë vetëflijues, të dhënë pas besimit fetar.
Po ashtu, janë transmetuar videoklipe dhe këngë për nder të tyre, përfshirë një të prodhuar nga një grup i ndërlidhur me milicinë vullnetare iraniane, e njohur me emrin Basij House of Music, me pjesëmarrjen e djalit të një luftëtari të vrarë.
Mbrojtja e shenjtë
Autoriteti më i lartë i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e ka përshëndetur valën e re të heroizmit të martirëve dhe e ka siguruar opinionin se Zoti do ta përkujtojë sakrificën e tyre.
Gjatë fjalimit në një takim në muajin mars, me familjet e afganëve që jetojnë në Iran, e që janë vrarë në Siri, Ajatollah Khamenei tha se “martirët që vdesin në këtë rrugë janë të privilegjuar”.
Mediat lokale kanë raportuar se një delegacion i udhëhequr nga i dërguari i zotit Khamenei i tha familjes së luftëtartit të vrarë, Hashem Dehghani-nia, më 3 qershor, se ai dhe luftëtarët e tjerë të rënë në Siri kanë “vend special në shoqërinë isalme”, pasi ata janë martirizuar për islamin, për personalitetet e shenjta shiite dhe për mbrojtjen e Iranit.
Lufta kundër IS-it ose ndihmë për Assadin?
Teherani ishte në mesin e aleatëve më këmbëngulës të udhëheqjes së Sirisë prej Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979, përkundër rrënjëve sekulare dhe socialiste të ideologjisë Baathiste, që ishte forcuar së pari në Siri dhe e kishte sjellë babain e presidentit të tashëm, Bashar al-Assad, në krye të shtetit në vitin 1970.
Qeveria e Assadit ishte “gjithnjë e më tepër e varur nga Irani për mbështetje ushtarake dhe financiare, prej shpërthimit të Luftës Civile në Siri”, në vitin 2011, konsideron Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara.
Pos ndihmës për Rusinë për ta mbështetur regjimin e Sirisë, Irani i dominuar nga shiitët, i ka trajanuar njësitet për ta luftuar grupin radikal militant sunit, Shteti Islamik (IS), që pamëshirshëm ka synuar masakrimin e shiitëve, në territoret e gjera të okupuara në Siri dhe Irak, që i ka vetëshpallur si kalifat.
Ekspertja Nima Mina, nga Universiteti London’s School of Oriental and African Studies, i tha Radios Evropa e Lirë se establishmenti iranian përfiton nga frikësimi me kërcënimin nga Shteti Islamik.
“Garda Revolucionare e Iranit duket se përdor propagandë për pjesëtarët e vet të rënë, për ta riparuar dëmin që e ka pësuar imazhi i tyre publik, pas dekadave të funksionimit si instrument kryesor i aparatit represiv të regjimit, ndërsa së fundit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009”, thotë Nima Mina.
ma.me