Iraku ka nevojë për një plan marshall për rindërtimin e tij, “bota na detyrohet”, pas fitores ushtarake kundër organizatës së Shtetit Islamik, theksoi sot ministri irakian i Punëve të Jashtme, Ibrahim Al-Jaafari.
“I kërkoj komunitetit ndërkombëtar të na ndihmojë ashtu si bëri për të luftuar kundër Shtetit Islamik”, deklaroi ministri në një simpozium Rome MED mbi dialogun në Mesdhe.
“Iraku ka luftuar në kuadër të një lufte botërore dhe sot bota duhet të na japë mbështetjen e saj”, shtoi ministri duke iu referuar kombeve të shumta të “Foreign fighters” të angazhuara në radhët e Shtetit Islamik.
“Shteti Islamik nuk është më një kërcënim strategjik për regjimin irakian”, theksoi Al-Jaafari duke ftuar komunitetin ndërkombëtar të ndihmojë Irakun në rindërtimin e qyteteve të shkatërruara, si ai i Mosulit, me imazhin e asaj që ka bërë për qytetet gjermane pas Luftës së Dytë Botërore./b.d











