Plot 3827 vajza adoleshente u martuan gjatë 2017-ës, përkundër vetëm 120 bashkëmoshatarëve të tyre djem. Si pasojë shumica lënë shkollën, bëhen nëna kur janë ende fëmijë për vete dhe mbeten të paarsimuara duke ngushtuar mundësitë që në të ardhmen të gjejnë një vend pune. Për ekspertët kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi qindra martesa të tjera, që ndodhin përpara fisit, nuk raportohen pa mbushur moshën ligjore.
Diana duhet të ishte në klasë të 8-të kur u fejua. “Me dashuri sigurisht, -rrëfen vetë Diana, sot 30 vjeçe dhe nënë e një vajze 12 vjeç dhe një djali 9 vjeç. – E pashë atë djalin, i dhashë pëlqimin familjes dhe që prej asaj dite ai është bashkëshorti im “.
Familja e saj ishte zhvendosur prej 5 vitesh nga qyteti verior i Pukës dhe në fshatin Paskuqan të Tiranës. Diana, kishte hedhur shtat shumë shpejt dhe prindërit vendosën që ajo të mos shkonte më në shkollë nga frika se mos e ngacmonin djemtë. “Për fatin tim të keq isha më e gjata e klasës dhe kështu prindërit më hoqën nga shkolla. E kam ndjekur rregullisht deri në klasën e gjashtë, pastaj shkoja shumë rrallë, vetëm që të mos më përjashtonin dhe të merrja dëftesën e klasës së 8-të”.
Kur u fejua ishin të dy fëmijë. Ajo 14 vjeçe, e ai 17 vjeç. Ndërkohë që u bë nënë e një vajze në moshën 17-vjeçare.
Por Diana nuk është një rast i rrallë i martesave të vajzave të mitura në shoqërinë shqiptare. Dëshmitarë të qindra fejesave dhe martesave të tilla që ndodhin me bekimin e prindërve, të dhënat e raportuara nga INSTAT tregojnë përmasën e frikshme që mund të marrë ky fenomen.
Martesat nën moshë dhe pabarazia gjinore
Gjatë vitit 2017, INSTAT raporton se u lidhën me betimin për “dashuri të përjetshme” plot 3827 vajza nën moshën 19 vjeçare, përkundër vetëm 120 bashkëmoshatarë të tyre djem.
Por martesat e hershme nën moshë duket se janë një fenomen, që edhe kur realizohet ligjërisht, prek më së shumti vajzat, duke rritur hendekun e pabarazisë gjinore që krijon ky angazhim i tyre.
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, në botimin “Burrat dhe Gratë në Shqipëri” (2017) janë 10 vajza të martuara nën moshën 18 vjeç për çdo 1000 martesa. Në total grupmosha “nën 19 vjeç” përbën 17.4 % të totalit të martesave. Situata është krejtësisht e kundërt për djemtë e të njëjtës grupmoshë. Në po të njëjtin raport INSTAT sqaron se “nuk ka martesa për djemtë para moshës 18 vjeç si dhe përqindja e djemve të martuar 18-19 vjeç është e papërfillshme”.
“Këto janë vetëm rastet që janë raportuar ligjërisht, por kini parasysh që bashkëjetesat nën moshë në formën e ‘martesave përmes dasmës’ mbeten në hije dhe ne nuk kemi mundur ende të bëjmë një vlerësim real të situatës”, – thotë Elma Tërshana, drejtore ekzekutive e Observatorit për të drejtat e fëmijëve.
Në qershor të 2018-ës, Observatori për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve publikoi raportin e dytë për martesat nën moshë në gjykatë. Raporti hedh dritë mbi shkaqet që gjykatat e Fierit, Kavajës, Shkodrës, Kukësit, Tropojës dhe Lezhës lejuan në 68 raste të zyrtarizohet martesa nën moshë për periudhën 2011-2017.
Të dhënat e dala nga ky raport nuk janë aspak optimiste. Shqetësues është fakti se për gjykatat lidhja në martesë e një minoreneje është një çështje rutinë, mbyllet brenda një seance e as nuk bëhet një vlerësim psikologjik i të miturës. Raporti ka zbuluar se thuajse në të gjitha rastet bëhet fjalë për martesë të vajzave, që i përkasin grupmoshës 17 – 18 vjeç, në 5 raste mosha e të miturës është nën 16 vjeç, ndërkohë që një rast në Kavajë martesa ka ndodhur në moshën 14 vjeç, ndërkohë që në një rast e mitura ka deklaruar se fëmija i parë ka lindur kur ishte 13 vjeçe.
Martesat nën moshë në fshatin pa gjimnaz
Lula Bregu është mësuese e Gjuhës në shkollën e mesme të bashkuar ( 9-vjeçare dhe të mesme) të fshatit Torovicë në Lezhë. Deri një vit më parë pa shkollë të mesme, vajzat e këtij fshati kanë paguar kostot e një mentaliteti ndëshkues duke u “‘ngujuar” në shtëpi dhe martuar pa mbushur të 18-at. “Për disa prej tyre ndjej shumë keqardhje, kanë qenë të shkëlqyera. Ka nga ato që janë martuar dhe shumë shpejt edhe janë ndarë”, – na tregon zysh Lula. “Nga 35 nxënës që mbaruan klasën e 9-të më 2017-ën, 15 prej tyre nuk e vazhduan gjimnazin. Shumica ishin vajza, që prindërit nuk i lejuan të vazhdojnë shkollën e mesme, ndërsa djemtë përgjithësisht ikin jashtë”, tregon Lula.
Pas këmbënguljes disa vjeçare të mësuesve të këtij fshati, ministria e Arsimit vendosi rihapjen e gjimnazit në Torovicë në tetor të 2017-ës. Situata duket se ka ndryshuar për mirë, por ende ka shumë për të bërë. “Nga ata 15 nxënësit që nuk vazhduan gjimnazin në Lezhë a Bushat, pasi u hap gjimnazi tek shkolla jonë, 8 vajza u rikthyen në shkollë, por gjatë vitit 2 e braktisën sërish dhe nuk arritëm të gjenim gjuhën e përbashkët me prindërit. Ndërkohë që këtë vit e kanë nisur gjimnazin 10 vajza, ndërkohë që 4 nuk arritëm ti bindnim dot prindërit që ti sjellin. Por nëse nuk do të ishte hapur gjimnazi këtu në Torovicë, këto 10 vajza do të ishin mbyllur në shtëpi”, – na thotë Lula. Sipas saj një pjesë e madhe e prindërve mendojnë se duke i çuar vajzat në shkollë ata mund të dalin nga “rruga e drejtë” dhe të bien pre e sjelljeve të rrezikshme, që nënkuptojnë një lidhje dashurie.
Marta është një nga 10 vajzat që ndjek vitin e parë të gjimnazit në Torovicë. Sipas saj nëse nuk do të ishte hapur gjimnazi në fshat, atëherë shkollimi i saj do të kishte marr fund në klasën e 9-të. “Prindërit e mi nuk do të më kishin dërguar asnjëherë në një gjimnaz në Lezhë. Kanë frikë se mund të njihem me ndonjë djalë e të lidhem me të”, tregon Marta, e cila shton se në rast se rri në shtëpi, është normale që një vajzë do të presë t’i dalë fati sa më shpejt”
“Fatkeqësisht , në disa zona vajza ende mendohet si një peshë për familjen dhe duke e martuar prindërit mendojnë se heqin një barrë” – na thotë Elma Tërshana.
Cilat janë arsyet që gjykatat lejojnë lidhjen në martesë të minorenëve?
Raporti i Observatorit ka konstatuar se shtatzënia ( 40 raste nga 68 totali ose 59%) mbetet arsyeja kryesore se përse gjykata lejon një martesë me minorene, nga këto 10 raste vajza e mitur edhe ka bashkëjetuar paraprakisht me djalin. Martesa zakonore( 3 raste ose4 %); ndërtimi i një jete jashtë shtetit/bashkim familjar ( 4 raste ose 7 %); nuk ka shkak ose thjesht kërkohet lejim martese ( 12 raste ose 17 %); si dhe lindja e fëmijës ( 5 raste ose 7%”).
Observatori shikon si shqetësues faktin që “në disa vendime nuk ka asnjë shkak konkret por thjesht lejim lidhje martese. Po ashtu është shqetësuese numri i vendimeve, ndonëse i vogël, të cilat bëhet fjalë për martesë sipas të drejtës zakonore”.
Pas martesës vajzat adoleshente që janë bërë nuse futen në një spirale të re kostosh sociale. Një pjesë e konsiderueshme e tyre bëhen shumë shpejt nëna. INSTAT, ka llogaritur lindshmërinë në adoleshencë të vajzave nga mosha 15-19 vjeç. Rreth 3 % e nënave janë adoleshente, ndërkohë që vihet re se regjistrohen edhe lindje në mosha 14 vjeç.
Shqetësues mbetet edhe numri i aborteve në të cilat janë përfshirë kjo kategori minorenesh. “Për sa i përket aborteve në adoleshencë analiza është bërë në mosha teke, 15-19 vjeç, ku në moshën 17 vjeç kemi vlerën më të lartë të këtij treguesi me 146 aborte për 1000 lindje” – thuhet në analizën e INSTAT.
Elma Tërshana shpjegon se duke shpresuar që me anë të martesës të shpëtojnë, në fakt një pjesë e konsiderueshme e vajzave të mitura futen në një rreth vicioz. “Nga eksperienca jonë rreth 70% e vajzave të martuara nën moshë, përfundojnë në divorc pas 5-vejçarit të parë të martesës. Ndërkohë që në shumicën e rasteve tashmë vajzat e mitura nuk janë më vetëm, pasi janë bërë me fëmijë”, – shpjegon Tërshana.
Diana ka pasur një martesë të mirë, por shkolla mbetet pengu i saj. “Jam vetëm 30 vjeçe dhe jam mbyllur në shtëpi sepse nuk di të bëj asgjë. Dua të punoj, të kem mundësi të kontribuoj në familje…por nuk di të bëj asgjë. Shkollimi i fëmijëve është ëndrra ime më e madhe. I çoj në çdo kurs, i ndjek në çdo dëshirë që kanë. Më kujtohet vetja ime kur më duhej të ndihmoja fëmijët me detyrat që kanë. Nuk dija t’i ndihmoja në asgjë… megjithëse përpiqem të lexoj me aq sa mundem . A ka më keq për dikë të moshës time ? Por ëndrrën time po e bëj realitet me fëmijët”, – përfundon ajo.(Citizens Channel, Esmeralda Keta)