Në vitin 2020, vetëm pak kohë pasi doli nga burgu, ndërroi jetë nga Covidi, i forti i Tiranës Nehat Kulla. I njohur ndryshe si “gjenerali” me vdekjen e tij brenda familjes shpërtheu lufta për pasurinë që ai kishte vënë.
Një testament i lënë në emër të bashkëshortes, që është gruaja e dytë, duke përjashtuar djalin nga martesa e parë, ka bërë që pasuria e tij të përfundojë në gjykatë dhe i biri në burg. Në lojë është futur edhe i ati i tij, që tashmë kërkon që pasuria të regjistrohet në emër të tij.
Nehat Kulla ndërroi jetë në mes të qershorit të 2020, por siç shikohet nga kjo akt padi në korrik të po atij viti, është lëshuar dëshmia e trashëgimisë. Mirëpo familjarët nuk kanë qenë dakord dhe kanë kërkuar pavlefshmërinë absolute.
Pasi janë zhvilluar disa seanca, beteja vijon ende pasi në vitin 2024, babai i tij Faik Kulla, ka ngritur padi dhe kërkon që të njihet si trashëgimtar i vetëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet të pasurive që zotëronte i biri, duke e çregjsitruar bashkëshorten e të ndjerit si poseduese e tyre.
Bëhet fjalë për shtëpinë e famshme të ndodhur në rrugën Myslim Keta, një ndërtesë 2 katëshe, me sipërfaqe 315.8 m2 secili kat. Përveç shtëpisë objekt sherri mes familjarëve të Nehat Kullës është edhe një truall me sipërfaqe 620 m2 + ndërtese me sipërfaqe 100.56 m2, si dhe një truall tjetër me sipërfaqe 2883 m2. Të gjitha në rrugën Myslym Keta.
Pikërisht kjo pronë ka çuar pas hekurave Robert Kullën, djalin e Nehat Kullës, i cila është akuzuar nga njerka për dhunë në familje për pronat.
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg për Robert Kullën, i cili në seancën e zhvilluar më 3 qershor 2024, ka pretenduar se nuk ka ushtruar dhunë. Sipas tij konflikti me gruan e babait të tij është një konflikt civil, që lidhet me pronësinë e banesës, ku të dy pretendojnë pronësinë.
Robert Kulla e kërkon si trashëgimtar ligjor dhe njerka si bashkëshorte e të ndjerit. Ky testament ka përfunduar në gjykatë për cënimin e rezervës ligjore, një klauzolë ligjore që sigurohet të mos përjashtohen nga e drita për të trashëguar një pronë të miturit apo personat e paaftë për punë.
Ajo zbatohet edhe në rast se përjashtohesh edhe me testament nga pasuria. Pas ndërrimit të jetës së Nehat Kullës, është lëshuar dëshmia e trashëgimisë në emër të bashkëshortes, në emër të të cilës ishte testamenti, por noteri nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të verifikuar rezervën ligjore.
Që do të thotë nëse djali i përjashtuar me testament kishte apo jo fëmijë të mitur në momentin që është lëshuar ky dokument, i cili tashmë kërkon të përfshihet si trashëgimtar. Nëse do të kishte ndodhur kjo atëherë konflikti në këtë familje edhe mund të ishte shmangur.