Shumëkush e ka pritur me optimizëm ngritjen e dy task forcave nga prokuroria për hetimin e krimit zgjedhor për zgjedhjet elektorale të vitit 2025. Por, juristi Niazi Jaho ka rezervat e veta.
Zoti Jaho, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar ngritjen e një task-force që do të operojë në 12 qarqe dhe 61 bashki me synim: hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore! Ju keni një përvojë të gjatë dhe të konsoliduar në fushën e legjislacionit zgjedhor dhe zbatimit të tij në zgjedhjet periodike që janë zhvilluar në vendin tonë! Kjo nismë është e re dhe nuk është zbatuar ndonjëherë! A mund të na shfaqni ndonjë mendim sesa e bazuar dhe efikase mund të ishte ngritja e kësaj task-force?
Këtë nismë rastësisht dhe për herën e parë e kam dëgjuar në transmetimin e një kanali televiziv si lajm por pa dhënë detaje. E megjithkëtë duke pasur parasysh natyrën e zgjedhjeve, kushtet në të cilat zhvillohen ato si dhe funksionet e organeve të ndjekjes penale mu duk si një veprim disi i nxituar.
Edhe pse i bindur për qëllimin e mirë, kisha rezerva dhe objeksione që më duhej ti sqaroja dhe t’i konkretizoja sepse ka pasur dhe mund të ketë raste që qëllimi i mirë, mund të mos justifikohet dhe në praktikë të mos jetë efikas madje të krijojë keqkuptime apo keqinterpretime.
Është kjo arsyeja që për të shprehur një mendim të qartë jo me supozime por me argumente, ishte e nevojshme të njihesha me dy dokumente ku bëhet fjalë:
a)Për disa pika kryesore mbi ngritjen e task-forcës.
b)Për takimin zyrtar të zhvilluar midis komisionierit shtetëror të zgjedhjeve dhe Drejtuesit të Stukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në të dy këto dokumenta, veç të tjerave evidentohet fakti i bashkëpunimit të nevojshëm midis KQZ-së dhe prokurorive.
Mbas njohjes me përmbajtjen e dokumenteve të mësipërme cili është mendimi që ju krijuat?
Forcova bindjen se ngritja e task-forcës që do të operonte në zgjedhjet e 11 majit 2025, në fazat e ndryshme të këtyre zgjedhjeve, mënyra si do të veprohej dhe metodologjia që parashikohej të zbatohej në bashkëpunim me KQZ-në, në disa drejtime nuk përputheshin me kërkesat e kodit zgjedhor dhe veprimtarinë praktike të organeve të ndjekjes penale që mbështet tërësisht në kodin e procedurës penale.
Mos vallë konkluzioni juaj për këtë çështjë është i nxituar?
Është e drejtë e lexuesit ta vlerësojë këtë. Do ta respektoja mendimin e kundërt, edhe po të mos pajtohesha me të!
Nuk është çështje e thjeshtë dhe e lehtë të japësh mendime për një problem kaq të rëndësishëm kur qëllimi kryesor është të goditen me shpejtësi veprat kriminale në fushën e zgjedhjeve dhe si pasojë të parandalohen ato. Por, pavarësisht nga kjo ngritjen e kësaj task force e shikoj dhe e vlerësoj në raport me kërkesat dhe synimin e rëndësishëm që zgjedhjet duhet të zhvillohen në kushte dhe në një atmosferë të qetë ose relativisht të qetë.
Pikërisht për të ndihmuar në krijimin e një atmosphere të tillë, ligjevënësi në kapitullin “Parimë të përgjithshme” të kodit zgjedhor dhe pikërisht në nenin 5 ka sanksionuar disa ndalesa siç janë: Ndalohen forcat komando dhe forcat e tjera të ushtrisë që të përdoren gjatë fushatës zgjedhore. Ndalohet përdorimi i forcave komando dhe forcave të tjera të ushtrisë për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet. Ndalohen forcat e ushtrisë të kryejnë ushtrime ose manovra ushtarake jashtë reparteve ose vendeve të dislokimit të tyre gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Ndalohet përdorimi ose pjesëmarrja e punonjësve apo strukturave të Shërbimit Informativ të Shtetit në të gjitha llojet e zgjedhjeve.
Në këtë nen për organet e ndekjes penale apo për zbritjen e tyre në terren ku zhvillohen zgjedhjet nuk thuhet gjë, pra nuk ka ndonjë ndalesë?
Është e vërtetë që nuk thuhet gjë, dhe skish pse të thuhej. Në kodin zgjedhor përmenden se kur denoncimet përmbajnë elementë të veprave penale i dërgohen prokurorisë. Ligjvënësi ka miratuar Kodin e Procedurës Penale që për vepra të tilla si nga prokuroria edhe nga gjykata zbatohet Kodi i Procedurës Penale.
Si motivohet prania e Policisë së Shtetit në të gjitha zgjedhjet që janë zhvilluar?
Sepse funksioni kryesor i policisë së shtetit është garantimi i rendit publik. Në këtë vështrim prania e policisë së shtetit i shërben krijimit të atmosferës së qetë në zgjedhje. Sipas nenit 105 të Kodit Zgjedhor kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit KQV-ja njofton organet e policisë për ta rivendosur atë. Kur para qendrës së votimit ose në oborrin e saj grumbullohen persona të paautorizuar, thirret policia për ti larguar ata. (Pika 6 e nenit 109 të KZ). Është punonjësi i policisë së shtetit i ngarkuar me detyrën e shoqërtimit të mjetit që transporton kutitë e votimit në qendrën e numërimit të votave (Neni 11 I KZ).
Kush i monitoron zgjedhjet?
Zgjedhjet periodike i monitorojnë OSBE/ODHIR, KQZ-ja vëzhgues të huaj e vendas, media e autorizuar nga KQZ-ja. Nuk e kuptoj përse në pikat kryesore për ngritjen e task-forcës dhe takimin e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve bëhet fjalë për monitorimin, madje edhe për monitorimin financiar. E pakonceptueshme është parashikimi i funksionimit të një mekanizmi të përqëndruar të kordinimit ndërinstitucional mes KQZ, SPAK, Prokurororisë së Përgjithshme, POlicisë së shtetit që do të konkretizohet me ngritjen e Qendrës së Monitorimit të procesit zgjedhor pranë KQZ-së. Në fakt nëse do të ndodhte kjo, do të ishte një institucionalizim ekstraligjor që mund të kontestohej. Nuk përjashtohet rasti që në qendrën e monitorimit të shqyrtohen informacione me elementë të veprës penale të ngarkim të këtij apo atij anëtari të KQZ-së, të stafit apo monitoruësve të tij. Në këtë vështrim mund të shtrohet cështja e konfliktit të interesit.
Ndoshta kjo nismë është ndëramarrë sepse në zgjedhjet e kaluara denoncimet kanë qenë relativisht të pakta sepse ndaj prokurorive dhe gjykatave ka pasur edhe disa kritika për zvarritje në hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve. Çmendoni për këtë?
Nuk mendoj të jetë kjo arsyeja, sepse prokuroria vihet në levizje ose nëpërmjet denoncimeve (e përgjithshme) ose kur çmohet e nevojshme me nismën e vetë.
Është e vërtetë se në Raportet e OSBE-ODHIR-it rekomandohet për hetime të shpejta të këtyre çështjeve, por theksi vihet tek sensibilizmi i vazhdueshëm, konkret dhe ligjor i shtetasve. Nuk ka dyshime se faktor parandalues është edhe hetimi dhe gjykimi i shpetjë i krimeve zgjedhore. Me krijimin e SPAK janë krijuar kushtet për zbulimin dhe hetimin objektiv dhe të gjithëanshëm të veprave penale të korrupsionit pasiv dhe aktiv në fushën e zgjedhjeve.
Me të drejtë KQZ shumë çështje i ka konsultuar me subjektet zgjedhore. Ata mendoj se janë drejtëpërdrejtë të interesuar për këtë nismë. Nuk di nëse edhe në këtë rast është vepruar në këtë menyrë. Monitorimet që parashikohen në Kodin Zgjedhor kanë të bëjnë me fazat e ndryshme të procesit zgjedhor, ndërsa metodologjia që zbatohet nga organet e ndjekjes penale është e një natyre tjetër.
Në vitin 2020 u ndryshua neni 123/3 i K.Z. Në pikën 1 të këtij neni thuhet: “Çdo person që vihet në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë shkelje të përcaktimeve ligjore me natyrë administrative ose penale në fushën e zgjehdjeve ka të drejtë të informoi drejtëpërdrejtë K.Q.Z-në.” Në këtë rast K.Q.Z. zbaton ligjin e sinjalizmeve dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Kur gjatë këtij shqyrtimi administrativ, konstaton se njoftimi ka elementë të krimit, ja dërgon atë prokurorive përkatëse.
Në përfundim do të sugjeroja që kjo çështje ti nënshtrohej një diskutimi dhe debati objektiv e të thelluar. Është i nevojshëm zbatimi rigoroz i kompetencave të çdo organi dhe parandalimi i çdo mekanizmi që mund të shkaktojë paqartësi.
E shikojmë të nevojshme të përmendim gjithashtu që në ndryshimet që i janë bërë nenit 167/1 të K.Z, K.Q.Z-ja i kërkon informacion të rregullt organeve të policise dhe prokurorisë për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, madje K.Q.Z-ja është e detyruar të mbajë periodikisht dhe të publikojë statistika të rregullta për çdo çëshje penale. K.Q.Z-ja ngarkohet gjithashtu të informojë Kuvendin për gjendjen e hetimeve penale për çështjet zgjedhore. /Tema/