Intervistë e ish-kryetarit të Komisionit Zgjedhor me JAVAnews. Ku e shikon ai problematikën më të madhe të Reformës së ardhshme Zgjedhore. Si e vlerëson reagimin e deritanishëm për rekomandimet e OSBE-ODHIR, por edhe financimet e paligjshme të partive dhe numrin e frikshëm të tyre…
Intervistoi Ben Andoni
Ndërsa klima politike në vend është e ashpërsuar pamasë, një nga Reformat më të ndjeshme, por dhe detyrueshme pret pas dere. Edhe pse, Reforma Zgjedhore de jure ka filluar punë, pas rekomandimeve të OSBE-ODHIR, një nga vështirësitë më të mëdha të funksionimit të saj mbetet gjetja e vullnetit politik për ta realizuar. Për hir të së vërtetës, vullneti dhe konsensusi mungon në çdo hap të politikës shqiptare dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe dhe me të. Deri më tani, partitë kanë bërë thjesht retorikë me këtë Reformë. Por rekomandimi bazë i institucioneve ndërkombëtare mbetet i qartë: ai duhet të fillojë me rishikimin e administratës zgjedhore, në mënyrë që ajo të mos jetë partiake, një masë që do e lehtësojë shumë procesin zgjedhor nga një burokraci zgjedhore e tejfryrë që e pengon jashtëzakonisht procesin.
Z.Kume shton faktin se: misioni i OSBE-ODHIR rekomandon edhe kujdesin për detyrimin ligjor të garantimit të barazisë së votës; rregullimeve ligjore që do të bëjnë të mundur pasqyrimin sa më real të vullnetit të zgjedhësve, të shprehur me votë; në strukturën politike të Kuvendit të ardhshëm; votimin e emigrantëve; listat e kandidatëve të mbyllura ose të hapura; financimin e fushatës zgjedhore; shitblerjen e votës; të drejtën për ankimim dhe procedurat për shqyrtimin e tyre etj. Një masë e madhe porosish, që i duket qartë ngarkesa e madhe e punëve, e që ka për detyrë ta kryejë i vetëm ky komision.
Ndërkohë, që z. Kumi, në këtë intervistë, shtron edhe faktin e procesit të financimeve të partive. “Efektet negative që prodhon përdorimi i financimeve, me burime të pakontrolluara, në një proces zgjedhor, më shumë se janë të lidhura dhe shkaktojnë një shpërdorim financiar me efekt negativ ekonomik, janë një ndër faktorët me efekte të mëdha negative në produktin që realizon procesi zgjedhor. Këto financime arrijnë të ndikojnë negativisht tek zgjedhësit, e intimidojnë ndjeshëm sjelljen e tij dhe mundësojnë zgjedhje, që nuk përfaqësojnë vullnetin e tyre por forcën e parasë. Financimet e pakontrolluara, financimet me burime të dyshimta, janë ndër rrugët më të efektshme që përdoren prej botës se krimit për të zënë institucionet qeverisëse”, shprehet ai për Javanews.
Ka pasur dhe vazhdohet të vinë shumë reagime të kundërta nga dy krahët politikë sa i përket Reformës Zgjedhore. Rekomandimet e OSBE-ODHIR-it referojnë gjithnjë një mal me probleme që fillon prej adresat, përdorimin e keq të burimeve të administratës dhe shumë e shumë marifete… Si e shikoni procesin e reformës, që lidhet gjithnjë në fund: A mendoni se do duhet ende kohë që zgjedhjet tona të kualifikohen si zgjedhje korrektë?
“Pyetja që ju bëni, në thelbin e saj ka shqetësimin për atë që pritet të ndodh në zgjedhjet e radhës, shqetësim, në bazën e të cilit qëndron përvoja dhe gjithë çfarë ne si shoqëri kemi arritur të realizojmë në proceset zgjedhore. Pavarësisht se, si rregull nga njëri proces zgjedhor në tjetrin ka pasur trende pozitive në zhvillimin e tyre, në asnjë rast nuk është arritur që zgjedhjet të vlerësohen se kanë arritur të plotësojnë standardet e gjithë-pranuara për zgjedhjet demokratike. Dhe këtu, kam parasysh vlerësimet e bëra jo vetëm për fushatën elektorale, sjelljen e subjekteve zgjedhore në procesin zgjedhor, votimin dhe nxjerrjen e rezultatit por gjithçka që lidhet me një proces zgjedhor që fillon nga përgatitja e legjislacionit dhe përfundon me sjelljen e zgjedhësve shqiptar ndaj votës. Kjo ka bërë që, pas përfundimit të çdo zgjedhje dhe përpara fillimit të zgjedhjeve të radhës, vlerësimi për rezultatin, diskuri dhe qëndrimi politik për ketë rezultat dhe cilësinë e procesit që e prodhoi atë, nevoja për ndërhyrje në rregullat ligjore, objekti i këtyre rregullime dhe rrugët për realizimin e tyre, të jenë objekt i përhershëm i angazhimit të klasës së politikës, por edhe i pjesës jo politike të shoqërisë tonë. Sjellja e klasës politike në kuadër të këtyre angazhimeve është e ndryshme në vartësi të objektit-partitë që kanë humbur zgjedhjet, të cilat nuk pushojnë se atakuari rezultatin dhe procesin zgjedhor që e prodhoi atë, ndërkohë që sëbashku me partitë fituese angazhohen për përgatitjen e zgjedhjeve të radhës vetëm në limitet e kohës së mundshme. Aktualisht, për ketë të fundit, jemi në një situatë që ndryshon nga ato të mëparshme. Më shumë se një vit përpara zgjedhjeve të radhës, Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur Komisionin ad-hoc për Reformën Zgjedhore…”.
Dhe si po ecën ai…
“Komisioni e ka filluar punën. Të shohim se sa ky ndryshimin, në sjelljen e partive politike ndaj përgjegjësisë që ato kanë për të përgatitur me kohë legjislacionin zgjedhor, do të sjell edhe produktet e dëshiruara. Reformës Zgjedhore të radhës i duhet të trajtojë dhe t`u jap zgjidhje një numri jo të vogël problemesh. Këto probleme janë të lidhur jo vetëm me angazhimin e vendit tonë për të marr në konsideratë dhe zbatuar rekomandimet e Misionit të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, por edhe me nevojën për të pasqyruar në legjislacionin e ardhshëm zgjedhor rekomandimet, mendimet dhe kërkesat e partive politike, parlamentare dhe jo parlamentare, vëzhguesve vendorë, specialistëve dhe ekspertëve të fushës të angazhuar në monitorimin dhe vlerësimin e proceseve zgjedhore dhe legjislacionit, në zbatim së të cilit ato zhvillohen. Duke ju referuar të gjithë këtyre vlerësoj se axhenda e punës së këtij Komisioni është jo vetëm e ngarkuar me shumë çështje por, në ndryshim nga proceset legjislative të mëparshme, këtij i duhet të trajtojë edhe një problematikë shumë “delikate”, e cila kërkon jo vetëm shpenzime energjish për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme dhe më efektive legjislative por, së pari të arrijë të konkretizojë vullnetin politik mbështetës për të. Fjala është për shqyrtimin e mundësive dhe gjetjen e rrugëve për zbatimin e rekomandimit të Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtar të OSBE/ODIHR në lidhje me parimin sipas të cilit duhet të ndërtohet e gjithë administrata zgjedhore. Në Raportin e tyre, në përfundim të zgjedhjeve të kaluara, ky mision rekomandon trajtimin e mundësisë për formimin e kësaj administrate, jo sipas parimit të përfaqësimit dhe balancimit politik. Në se kësaj çështje i shtohen edhe të tjera që lidhen me detyrimin ligjor për garantimin e barazisë së votës, rregullimeve ligjore që do të bëjnë të mundur pasqyrimin sa më real të vullnetit të zgjedhësve, të shprehur me votë, në strukturën politike të Kuvendit të ardhshëm, votimin e emigrantëve, listat e kandidatëve të mbyllura ose të hapura, financimin e fushatës zgjedhore, shitblerjen e votës, të drejtën për ankimim dhe procedurat për shqyrtimin e tyre etj.. bëhet e qartë ngarkesa e madhe e punëve, që ka për detyrë të kryejë ky komision. Plotësimi me sukses dhe në kohë, si parashikohet edhe në dokumentet ndërkombëtare, ndër të cilët veçoj Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore të Komisionit të Venecies sipas të cilit i gjithë kuadri ligjor duhet të jetë gati jo me vonë se 6 muaj përpara ditës se zgjedhjeve, do të jetë një faktor me efekt pozitiv të konsiderueshëm në suksesin e zgjedhjeve të ardhshme”.
Çfarë mund të bëhet për zvogëlimin e numrit të madh të partive, ku një shumë syresh, nuk kanë madje as adresa dhe që e bëjnë procesin votues shumë të komplikuar?
“E drejta për t`u organizuar në parti politike bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut të parashikuar në konventat dhe dokumentet e ndryshme ndërkombëtare, të pranuara dhe ratifikuara edhe nga vendi ynë. Ajo është një drejtë e shprehur në mënyrë eksplicite edhe në Kushtetutën tonë, neni 9 dhe neni 46. Kjo do të thotë që procesi parti-formues duke qenë një proces tërësisht ligjor në plotësim së të drejtave themelore të njeriut, nuk mund të pengohet. Ajo që mund të shtrohet për diskutim dhe të bëhet pjesë e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje mund të jetë trajtimi i rasteve, kur kjo mundësi legjislative përdoret, në mënyrë dhe për qëllime abuzive dhe përfitimi. Dhe të tillë raste nuk kanë munguar në mjedisin tonë. Ka dhe një fakt se perceptimi është se nuk janë pak parti politike të formuara dhe në shërbim vetëm të iniciatorit për formimin e tyre. Për të tillë raste shoqëria është e interesuar të ndërtojë mekanizma, të cilat të synojnë ta parandalojë dhe frenojnë këtë përdorim abuziv të një të drejtë politike themelore. Një ndër rrugët që mund të ndiqen në funksion të arritjes së këtij qëllimi është edhe zhvillimi i mëtejshme i dispozitave në Kodin Zgjedhor, në të cilat trajtohet çështja e financimit, me fonde publike, e partive politike që marrin pjesë në zgjedhje. Në këto dispozita mund të trajtohet në mënyrë më të detajuar dhe më të plotë rasti i të gjithë partive politike që hyjnë e zgjedhje dhe që nuk arrijë të fitojnë as 0.5% të votave, duke i detyruar të kthejnë tërësisht fondin paradhënie. Për të tillë subjekte politike është e udhës të trajtohen edhe dispozitat sipas të cilëve bëhet financimin i partive politike në zbatim të ligjit “Për financimin e partive politike”. Synimi i ndërhyrjeve në legjislacion duhet të jetë përjashtimi i çdo mundësi për përfitim nga fondet publike i partive të tilla. Ky mund të jetë një mekanizëm efektiv”.
A mendoni se ka një rrugë për t’u prerë financimet e paligjshme partive politike në Shqipëri?
“Në Kodin Zgjedhor janë të parashikuar kërkesat ligjore që duhet të konsiderohen dhe të respektohen në rastet e financimit të partive politike me fonde jo publike. Praktika e zbatimit të këtij legjislacioni ka treguar se ai nuk ka arritur të realizojë pritshmëritë, për të cilat është hartuar. Gjykimet dhe deklarimet e organizatave ose institucioneve, vendase dhe ndërkombëtare, që kanë vëzhguar proceset zgjedhore, janë shprehur kundra dhe e kanë konsideruar problematik nivelin e lartë të shpenzimeve në fushat zgjedhore, shpenzime që në raport me nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të nivelit të jetesës së shqiptarëve, janë vlerësuar tërësisht të pajustifikuara. E përbashkëta e qëndrimeve të tyre është vlerësimi për nivelin e ulët të transparencës së burimeve të financimit për fushatat zgjedhore.
Analiza e dukurive që shoqërojnë financimin e fushatave zgjedhore me fondet jopublike tregon se mos arritja e pritshmërive të parashikuar në legjislacionin aktual mund të shpjegohet me (i) nivelin e ulët të vullnetit për zbatimin e kërkesave të ligjit prej subjekteve zgjedhore dhe institucioneve që ligji i ngarkon, (ii) hapësirat dhe mundësitë që krijon ligji aktual për veprime abuzive me financat në zgjedhje, si dhe prej (iii) efektit sinergjik negativ, që prodhojnë të dy këto grupe faktorësh kur kombinohen me njëri-tjetrin.
Efektet negative që prodhon përdorimi i financimeve, me burime të pakontrolluara, në një proces zgjedhor, më shumë se janë të lidhura dhe shkaktojnë një shpërdorim financiar me efekt negativ ekonomik, janë një ndër faktorët me efekte të mëdha negative në produktin që realizon procesi zgjedhor. Këto financime arrijnë të ndikojnë negativisht tek zgjedhësit, e intimidojnë ndjeshëm sjelljen e tij dhe mundësojnë zgjedhje, që nuk përfaqësojnë vullnetin e tyre por forcën e parasë. Financimet e pakontrolluara, financimet me burime të dyshimta, janë ndër rrugët më të efektshme që përdoren prej botës se krimit për të zënë institucionet qeverisëse.
Kjo situatë benë të domosdoshme zhvillimin e mëtejshme të kuadrit ligjor. Kështu p.sh. subjekteve zgjedhore duhet t`ju kërkohet të bëjnë deklarimin e financimeve me fonde jo publike që në momentit e regjistrimit të tyre si subjekte zgjedhore dhe jo si është e parashikuar në Kodin zgjedhor aktual, sipas të cilit ky detyrim lind me fillimin e fushatës zgjedhore. Në Kod mund të vendosen dispozita, të cilat të detyrojnë subjektet zgjedhore të publikojnë, në tre gazetat me tirazh me të madh në fund të çdo periudhe 10 ditor, gjatë të gjithë fushatës zgjedhore, çdo financim që ato përfitojnë, duke dhënë informacion për masën e financimit, shumën në Lekë ose ekuivalentin e saj në mallra, pajisje e shërbime, si dhe subjektin/personin fizik ose juridik që financon. Kodi duhet të ngarkojë KQZ-në me detyrën për të monitoruar plotësimin e këtij detyrimi, në kohe reale për rastet e mos respektimit të këtij detyrimi, KQZ-së duhet t`i jepet e drejta për penalizimin administrativ të subjektit, masa dhe lloji i të cilit, si titull ekzekutiv, duhet të vendoset si një e drejtë përfundimtare, e paapelueshme e KQZ-së etj”.