Në këtë intervistë për gazetën Dita, prof. Fatos Tarifa i përcjell publikut pikëpamjet dhe shqetësimet e tij lidhur me gjendjen e sotme politike të vendit.
Pas Pëllumb Xhufit kjo është e dyta intervistë, mbi aktualitetin. Profesorët Xhudi e Tarifa janë dy anëtarë themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe dy studiues të shquar në fushat e tyre.
Me zotin Tarifa, bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:
Profesor Tarifa, po përjetojmë një situatë politike shumë të tensionuar. Opozita flet për një revolucion, ndërsa mazhoranca, pas 10 vitesh në qeverisje, duket indiferente. Sa reale është kjo situatë konfliktuale?
Nuk është një konflikt imagjinar; është një situatë realisht konfliktuale – politikisht dhe kulturalisht konfliktule. Politikisht pasi, për njërën palë, synimi është marrja e pushtetit; për palën tjetër, mbajtja edhe më gjatë e tij.
Dihet se, edhe nëse shkaku i një konflikti politik jo gjithnjë është synimi për të marrë ose për të ruajtur pushtetin, vetë pushteti luan gjithnjë një rol të rëndësishëm në krijimin dhe acarimin e çdo konflikti politik. Fatmirësisht, konflikti politik mes palëve të organizuara në dy partitë politike më të mëdha të vendit, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike (cilës parti demokratike?) duket se manifestohet dhe vepron kryesisht në formacionet dhe nivelet drejtuese të tyre, në kryeqytet dhe në rrethe, si dhe në një pjesë të vogël të elektoratit, pa zbritur deri në shtresat e gjera të popullsisë dhe në kapilarët më të thellë të shoqërisë.
Kjo situatë konfliktuale nuk është e re; as palët në konflikt nuk janë të reja. Konflikti mes tyre, i cili shpesh herë ka marrë trajta të dhunshme, ka hyrë në dekadën e katërt. Kjo e ka penguar seriozisht progresin ekonomik, politik dhe shoqëror të vendit për t’u bërë një demokraci e konsoliduar, me një ekonomi të zhvilluar dhe me një shkallë më të lartë mirëqenieje për qytetarët shqiptarë.
Nga pikëpamja kulturore, konflikti politik i ditëve tona mund të shihet si një refleks i dasive krahinore që kanë ekzistuar dhe, për fat të keq, vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot dhe, pa dyshim, i dasive shumë të thella që krijoi në vendin tonë gjysmëshekulli komunist, duke i ndarë shqiptarët në “patriotë” dhe “armiq”, në “revolucionarë” dhe “kundërrevolucionarë”, në njerëz “të rinj” dhe “mbeturina” të së shkuarës, në njerëz “të moralshëm” dhe “të pamoralshëm” apo “dekadentë”.
Sot, këto dasi-reminishenca të një regjimi represiv dhe të një lufte klase që motivonte dhe vlerësonte çdo mënyrë të të menduarit, çdo normë sjelljeje dhe çdo veprim individual – vazhdojnë, për fat të keq, të shfaqen dukshëm në jetën tonë kolektive si popull.
Shumë kohë më parë, madje kur Berisha ishte ende në krye të shtetit dhe, më pas, në krye të qeverisë, e kam cilësuar atë një “fatkeqësi kombëtare”. Këtij qëndrimi i përmbahem edhe sot. Por, më lejoni të shpjegoj atë që unë nuk them. Unë nuk them se në Shqipërinë e këtyre më shumë se tri dekadave nuk do të kishim pasur konflikte nëse nuk do të kishim pasur një politikan si Berisha.
Konflikti është një dukuri e pashmangshme në çdo shoqëri. Kështu ka qenë qysh nga kohët më primitive; kështu është sot në këtë fazë të kapitalizmit globalist dhe të demokracisë liberale; kështu do të jetë edhe më tej, në çdo formë organizimi politik e shoqëror që mund të imagjinojmë në këtë planetin tonë, nëse nuk bëhet fjalë për një shoqëri komuniste, e cila mbetet gjithnjë një utopi. Përsa kohë që individë dhe grupe shoqërore do të konkurrojnë për resurse të kufizuara, disa do të kenë (më shumë) pushtet mbi të tjerët, konflikti është i pashmangshëm.
Por individë dhe grupe të caktuara mund ta nxisin dhe ta përshkallëzojnë edhe më tej konfliktin në politikë dhe në shoqëri. Pikërisht këtë ka bërë deri më sot dhe këtë po bën edhe sot Sali Berisha. Nëse dje konflikti për të ishte mënyra për të mbajtur pushtetin, sot konflikti i nxitur prej tij synon kthimin në pushtet, restaurimin e sundimit të tij autokratik dhe kriminal.
Berisha flet për një revolucion paqësor, si e vetmja rrugë për të përmbysur qeverinë socialiste të kryeministrit Rama. A janë normale protestat apo “revolucionet paqësore” në Shqipërinë e sotme. A mund ta kontestoni një revolucion paqësor nga Berisha dhe PD aktualisht?
Revolucioni për të cilin flet Berisha frymëzohet nga idetë bolshevike, me të cilat ai u mëkua në rininë e tij dhe prej të cilave nuk u shkëput kurrë. Gjithçka që ai bën dhe thotë mua më duket dhe më tingëllon bolshevike, komuniste. Edhe nëse “antikomunizmi” është kryefjala e ligjërimit politik të tij, antikomunizmi i Berishës është po aq i keq, në mos edhe më i keq si komunizmi, sepse është i zhveshur nga çdo ideal
Më pëlqen gjithnjë t’i referohem një heroi të tillë të fjalës së lirë, si Adam Michnik, i cili, njerëz si Berisha dhe si shumë prej atyre që i kanë shkuar ose i shkojnë pas, i konsideron si “dhelpra që ndërrojnë lëkurën sipas rrethanave”. Në fakt, për sa kohë që Berisha ishte në pushtet, ai s’bëri gjë tjetër veçse, siç do të thoshte Michnik, “zëvendësoi ortodoksitë e komunizmit me ortodoksi të një lloji tjetër”, apo “komunizmin me fytyrë bolshevike, me një antikomunizëm me fytyrë bolshevike.
“Revolucioni” që përpiqet të organizojë dhe të udhëheqë Berisha sot në Shqipëri është një aventurë bolshevike dhe, si shumë aventura të tjera “revolucionare” të këtij antibolsheviku bolshevik, edhe kjo e fundit është e destinuar të dështojë.
Revolucion do të thotë përmbysje. Në kontekstin e sotëm shqiptar, një “revolucion” alla Berisha do të thoshte përmbysje e një qeverie të zgjedhur demokratikisht, me fjalë të tjera përmbysje e rendit demokratik. Ky pikërisht është një synim bolshevik, edhe pse metodat me të cilat Berisha thotë se do ta përmbysë qeverinë socialiste të Edi Ramës janë pacifiste (ama jo të dhunshme), si metodat e Mahatma Ghandit.
Sa qesharake më duket e gjitha kjo dhe krahasimi që vetë Berisha bën mes “revolucionit paqësor” të tij dhe etikës politike të një rezistence jo të dhunshme të Ghandit. Demagogjia e Berishës mund të gëlltitet nga shumë prej atyre që vazhdojnë ta ndjekin pas, por ajo nuk ngjit te shumica e shqiptarëve, të cilët e njohin mirë natyrën e dhunshme të tij.
Ne demokraci nuk ka revolucion. Të vetmet revolucione që unë di të kenë ndodhur në një sistem demokratik kanë qenë revolucioni hapësinor (space revolution) dhe ai kibernetik që nisën në dekadën e dytë të shekullit të 20-të, revolucioni seksual i viteve 1960, revolucioni i gjelbërt (green revolution), ose revolucioni i tretë agrar, që nisi nga fundi i viteve 1980, revolucioni robotik i kohëve të fundit etj.
“Revolucioni paqësor:” i Berishës nuk i ngjan asnjërit prej tyre. Është e vërtetë se gjatë shekullit të njëzetë, në disa vende që kishin vendosur më parë forma demokratike qeverisjeje, janë kryer revolucione, por ato kanë qenë revolucione të forcave të djathta ekstreme (rightest, apo right-wing revolutions), si ai nazist në Gjermani (Hitleri), apo ai fashist në Itali (Musoli), në Spanjë (Franko) apo në Argjentinë (Peroni).
Berisha nuk u ngjan atyre, por një “revolucion” në emër të së djathës shqiptare (me të cilën vetë Berishën nuk e lidh asgjë), nëse mund të ndodhte e të triumfonte, mund të degjeneronte në një regjim fashist.
Më bën përshtypje se si Berisha, me atë formim dhe mentalitet bolshevik që ka, nuk e di se, për të bërë një revolucion (I) kërkohen një mbështetje dhe një pjesëmarrje e gjerë popullore, që Berisha nuk i ka, (II) synohet ndryshimi rrënjësor i formës dhe mënyrës së qeverisjes, por, pas shumë vitesh në pushtet, ai vetë, pra Sali Berisha, është njeriu i gabuar për ta premtuar dhe realizuar këtë, ndërkohë që masa dërrmuese e shqiptarëve nuk do të donin kurrsesi të ktheheshin pas në” kohën e Berishës”; (III) çdo revolucion kryhet brenda një kohe të shkurtër; ai s’mund të jetë permanent, si protestat e vazhdueshme të Berishës.
“Revolucioni” për të cilën flet ditë e natë Sali Berisha nuk i ngjan, madje, as një revolucioni si ai i turqve të rinj (Young Turk Revolution), pra që të ishte një “Revolution of the Young Democrats, pasi edhe ata demokratë të rinj që i shkojnë pas Berishës udhëhiqen nga po ai mentalitet i vjetër i liderit të tyre.
Ju njiheni si një ndër kritikët më të ashpër të dyshes Berisha-Meta prej shumë kohësh. Sa i besueshëm do të jeni aktualisht në kontestimin aktual ndaj opozitës?
I besueshëm? Doni të thoni sa mundet që vlerësimi im për këta dy politikanë të provohet i drejtë? Unë vetë nuk kam asnjë dyshim. Siç thashë më sipër, Berishën e kam konsideruar një “fatkeqësi kombëtare për shqiptarët” dhe koha ka provuar se i tillë ka qenë dhe vazhdon të jetë.
Metën kam deklaruar se nuk e njihja si presidentin e vendit tim shumë kohë para se ai ta linte postin e kreut të shtetit dhe, deri më sot, koha ka provuar se edhe ai, si “aleati” i vet, Berisha, ka humbur çdo kredibilitet. Të dy kanë një fytyrë, të njëjtat rekorde dhe i pret o njëjti fat.
Kohët kanë ndryshuar, shumë ujëra kanë rrjedhur, a vazhdoni të keni bindjen se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë është më e mira?
Pa as më te voglin dyshim. Unë besoj sinqerisht se, për fatin e mirë të Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, në këtë periudhë të zhvillimit historik të vendit tonë dhe të kombit shqiptar interesi kombëtar i shqiptarëve dhe interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Ballkan përputhen plotësisht.
Në një shkrim të kohëve të fundit, ju keni atakuar një ish-koleg tuajin, z. Agim Nesho, i cili aktualisht është një ndër asetet më të vyera të Partisë së Lirisë të Ilir Metës. Mos keni vepruar gabim?
Atakuar? Atë njeri? Demaskuar po, mbështetur në fakte, por pa synimin që të merrem me të. Nuk do ia vlente. Partia e Lirisë le ta mbajë peshqesh. Personi në fjalë as dreqit nuk i hyn në punë.
Dhe ç’mund të thoni sot për Kastriot Islamin, i cili çuditërisht ka heshtur dhe ka “humbur” prej shumë kohësh. Si e shpjegoni heshtjen dhe mungesën e tij?
Nëse këtë emër nuk do e përmendnit ju, mua s’do më kishte ardhur ndër mend. Nuk kam ndonjë shpjegim, veç atij që përmban arsyeja pse ma bëni këtë pyetje. Unë vetë e kam harruar atë emër; përmendja e tij gjithnjë më ka sjellë bezdi.
Si e parashikoni situatën pas datës 3 mars, kur mendohet se do të kulmojë “revolucioni paqësor” i Berishës?
Berisha is Dead. Në politikë. Frika që i ka hyrë në palcë dhe zakoni i vjetër e bëjnë ende të rrezikshëm. Ai ende ka aftësinë të bëjë dëm dhe të shkaktojë fatkeqësi. Por është i mbaruar gjithsesi. Shqiptarët, edhe ata që janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale të socialistëve, nuk do të donin një tjetër tragjedi, as dhunë, as kthim në kohën e Berishës.
Shumë njerëz më pyesin: A do i hiqet ndonjëherë statusi i një personi non grata Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara? Si t’u përgjigjem atyre?
Thuaju: NEVER!
/e.d