Në vitin 2018, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të përpiqet të rikuperojë kohën e humbur nga 2017-ta për realizimin e disa projekteve, vonesa që sipas tij kanë ardhur për shkak të debateve politike. Nga studio e Ora News, Veliaj mori si shembull ndërtimin e shkollave, për të cilat thotë se do kishte dashur të ishte në një stad më të përparuar.
Bojkotin e opozitës në Këshillin Bashkiak, Veliaj e cilëson një mungesë respekti për elektoratin që forcat politike opozitare përfaqësojnë, teksa shton se deri më tani kundërshtarët nuk kanë sjellë asnjë alternativë.
Akuzat nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, për blerje të mandateve, kryebashkiaku i konsideroi thjesht sulme politike.
Për zgjedhjet e ardhshme, Kryetari i Bashkisë me ambicie të artikuluar qartë për një mandat të dytë, la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me cdo forcë politike.
Gjatë vitit 2018, nëse kompanitë private nuk do të blenë autobusë elektrikë, këtë aktivitet mund ta marrë në dorë vetë Bashkia.
Veliaj e cilësoi absurd skepticizmin për ndërtimin e infrastrukturës turistike.
Si arritje kryesore nga 2017, kryetari i Bashkisë vlerësoi përmirësimin e imazhit të qytetit, ndërsa duke cituar një shkrim të publikuar nga ‘The Economist’, tha se nga kryefshat, tashmë Tiranë është një kryeqytet dhe një destinacion i mundshëm edhe për turistët e huaj.
Intervista e plotë:
-Ju falënderoj që gjetët kohën të ishit në studion e Ora News.
Veliaj: Faleminderit juve për ftesën dhe është një kënaqësi e veçantë të jem në studion tuaj. Mu duk vetja si jashtë shtetit. Thashë jam në Tiranë apo jo. Them që e keni mbajtur hapin shumë mirë me gjithë ndryshimet e kryeqytetit. Besoj një hapësirë e tillë për të prodhuar lajm është një vlerë e shtuar për qytetin.
-Kur vjen fundi i vitit e shfrytëzon për të bërë një bilanc gjatë këtij viti. Sa e keni arritur agjendën që keni pasur dhe cilat ishin projektet më të mëdha.
Veliaj: Besoj se i dhamë pak formë kryeqytetit. Në shkrimin e fundit “The Economist” , një nga vlerësimet që mu duk interesant; Tirana nga një kryefshat u bë një kryeqytet. Ka një shesh kryesor, ka një pazar, një zonë turistike, ka disa hapësira çlodhëse siç është parku i liqenit. Ka një park olimpik. Ka një vëmendje të jashtëzakonshme për fëmijët, duke filluar nga çerdhet, kopshtet, shkollat që kanë nisur të ndërtohen. Ka 27 kënde lodrash, që pasuan sherrin e këndit të parë. Ka më shumë higjienë. Them që ka qenë një vit shumë produktiv për Tiranë. Ajo që themi në Bashkinë e Tiranës është që pula jonë duhet të bëjë çdo ditë nga një vezë. Bashkia jonë çdo ditë duhet të ketë një produkt. Në fund të këtij viti kemi pasur të paktën 365 produkte. Numrin e rrugëve, numrin e pemëve, të shkollave, të çerdheve, të të gjithë institucioneve që janë përfshirë në dhënien jetë të qytetit, them se ka qenë një bilanc pozitiv. Të jem i sinqertë, po më ha ndërgjegjja dhe se çfarë do të bëjmë për 2018-n se e quaj tashmë të ezauruar dhe më e mira është përpara. Në qoftë se ne do të mbajmë këtë frymë, çdo ditë nga një punë konkrete, ne mund të bëjmë gjëra bashkë që veç e veç nuk i bëjmë dot. Fakti që kompanitë, shoqatat, banorët ndihmojnë me një pemë, me një vakt, them se ky lloj solidariteti është ndoshta investimi më i madh përtej asfaltit.
-Kryeqyteti këto ditë festive e kemi parë me një dekor të bukur..
Veliaj: Më vjen mirë që Tirana disa gjëra i merr afrofe. Fakti që këtu janë ministritë, qeveria, spitalet kryesore, universitetet, duhet të vish për këto arsye. Fakti që mbi këto, Tirana është bërë edhe destinacion turistik. Ne kemi pasur dy herë e gjysmë më shumë turistë, pra 250% më shumë. Mos harroni se Tirana nuk ka as det. Unë kam zyrën në sheshin Skënderbej. Kur takoj njerëz që kanë sjellë fëmijët nga Presheva, Kosova, Tetova, nga Greqia dhe thonë që kalohet viti i ri më i mirë këtu. Përtej pjesës së dekorit, kjo sjell edhe ekonomi për Tiranën.
Mos harro se vjet kemi shitur në Baldushk 28 mijë gjela. Nga 50 euro mesatarisht, janë 1 mln 400 mijë euro vetëm në një javë për këtë fshat. Për Tiranën është biznes fakti që vijnë njerëz. Ndoshta është më mirë që vitin tjetër ta fillojmë që në nëntor fshatin e festave, sepse njerëzit duan më shumë relaks. Ne kalojmë kaq shumë kohë, 365 ditë duke injektuar dramë, toksina, sherre politike. Ndërkohë që këto pushime tregojnë që njerëzit kanë nevojë të relaksohen.
-Duke qenë se po mbyllet viti 2017, a keni ndonjë peng?
Veliaj: Unë besoj që disa projekte pavarësisht se kanë ecur shpejt mund të kishin ecur akoma më shpejt. Edhe unë vetë rashë pre e diskutimeve politike fjala vjen për shkollat e reja, duke parë që disa parti në koalicion kishin këto cic-micet e vogla. Kur disa vendime janë të drejta nuk duhet të kompleksohemi. Në 90% të rasteve nuk jemi kompleksuar por ka qëlluar raste që për t’i kënaqur aleatët dhe për t’i sqaruar humbasim kohë. Do të kisha dashur që projekti i shkollave të reja të kishte filluar që tani. Fatkeqësisht duke u treguar i duruar humbëm pak kohë. Bëmë vetëm 4 shkolla këtë vit, pavarësisht se 4 vitet e shkuar nuk u bë asnjë shkollë. Unë do të mundohem ta rikuperoj këtë kohë të humbur këtë vit. Mund të kishim avancuar më shumë. Në projektin e korsive të biçikletave mund të kishim avancuar më shumë. Nga janari deri në mars që kur të vijnë 4 mijë biçikletat e reja, korsitë të jenë gati. Përgjatë bulevardit, përgjatë rrugës së Kavajës, rrugës së Dibrës, jemi thuajse gati. Kisha ambicien që t’i mbyllja në dhjetor por nuk ia dolëm dot. Por në disa të tjera i kemi tejkaluar. Premtimi ishte për 12 kënde lojërash dhe përfunduam duke bërë 27.
-Do ta ruani dot këtë ritëm në 2018?
Veliaj: Viti i parë ishte viti më i thjeshtë. Sot kemi trefishin e buxhetit. Arsye ishte sepse krahasoheshim me një situatë dramatike. Tani është më e vështirë sepse krahasohemi me veten tonë. Kur njerëzit krahasojnë mbjelljet ku ne synojmë deri në mars 100 mijë pemë, i krahasojnë me 50 mijë pemët e mbjella vjet. Sfida është; a mundemi që në 2018 dhe mundim veten tonë me 2017-n? Them se po! Kemi mësuar që për çdo qindarkë që hedh bashkia të hedhin edhe të tjerët. Kemi mësuar që për çdo energji që derdhim, qyteti gjithashtu të kontribuojë.
-Në terma politik, kalimi nga 2017-2018 është kalimi i buxhetit. A keni shumicë në Këshillin Bashkiak?
Veliaj: Në terma politikë, rezultati ishte rekordi që ishte në bashki me 18 deputetë një rekord i paprecedentë për PS-në. Besoj që qytetarët na dhanë një po që jemi në drejtim të duhur. Për herë të parë një forcë politike fiton vetëm.
-Ju përmendët zgjedhjet e përgjithshme. Mgjth po të shohim zgjedhjet vendore, po të bashkojmë votat e PD dhe LSI jeni diku 2 mijë e ca vota mbrapa…
Veliaj: Shenjat që zgjedhjet e përgjithshme na dhanë ishte një referendum midis dy grupimeve, jo dy partive. Një grupim i cili thoshte që ne duhet të vazhdojmë këto reforma në qytet dhe në shtet dhe një grup që thoshte ne duhet të ndalojmë reformën në drejtësi, duhet të ndalojmë këto zhvillime, unë them që publiku mes këtyre dy filozofive, zhvillimit dhe bllokimit zgjodhi zhvillimin. Bazuar në këtë mesazh, ftesa në Këshillin Bashkiak ishte; ej, kushdo që të vazhdojmë me të 5-n dhe të kapim kohën e humbur për Tiranën dhe ashtu siç jemi vlerësuar nga mediat ndërkombëtare që qyteti po rilind, të na ndihmojnë për të vijuar këtë ritëm. Kësaj thirrje i janë bashkuar disa këshilltarë, jo të gjithë të LSI-së. Disa kanë qenë edhe të djathtë.
-LSI ju akuzon se i keni blerë. Qëndrojnë këto akuza?
Veliaj: Sigurisht që nuk qëndrojnë dhe mikja ime Monika e di që kjo është e pavërtetë. E kuptoj që e thotë për konsum politik dhe këtë do ta thonë edhe përfaqësues të tjerë. Asnjë parti nuk ndihet mirë kur largohen nga ekipi. Për këtë kanë mirëkuptimin tim.
-Çfarë i shtyn këshilltarët e LSI të votojnë kundër një vendimi politik që e merr forca e tyre?
Veliaj: Së pari kjo nuk është e vërtetë. Vendimi politik që mori forca e tyre është të ndihmojnë bashkinë dhe qytetin. E kanë thënë edhe në këtë tv që në Tiranë do të vazhdojnë të mbështesin pavarësisht diferencave që kemi me politikën e madhe qendrore. Vendimin e shkelën ata që nuk vazhduan të na mbështesin jo ata 4 që na mbështetën. Unë këtë ftesë ia kam bërë PD-së. Nëse nuk keni një plan më të mirë, sa të bllokoni ju nderon të ndihmoni. Fakti që kaq shumë me ngulm kërkuan debat për buxhetin dhe nuk u paraqitën fare, është pak mungesë respekti për qytetarët që përfaqësojnë. Pasi panë që se sabotuan dot, dalin të nesërmen në konferencë shtypi. Ka një shumicë dërrmuese që do përparimin e qytetit. Në fund të ditës, njerëzit janë bërë pragmatikë dhe thonë; a është më e mirë situata në familjen time? Nëse përgjigja është po, hajde t’i japim mundësinë. Fakti që nuk kemi alternativë dhe kur miratohet buxheti nuk vijnë fare do të thotë që fshehurazi pranojnë se gjërat po shkojnë mirë dhe as nuk ia vlen t’i kundërshtosh. Grupi PS-PDIU ka 32 mandate dhe do të vazhdojmë dy vite të tjera pa asnjë problem. Më mirë ta kemi vëmendjen tek puna.
-Vasili tha se do t’u hiqte mandatet këshilltarëve të saj?
Veliaj: Zt.Vasili është një burrë i mirë dhe besoj se ka qenë një deklaratë emocionale. Mandatet i jep populli nuk i jep partia. Për sa kohë i ka vendosur populli aty për t’i shërbyer popullit dhe ata i shërbejnë duke fuqizuar punën e bashkisë, një parti politike nuk i heq dot një mandat.
–Zt.Veliaj ju e keni bërë të qartë qëllimin për një mandat të dytë në krye të bashkisë së Tiranës. A do t’i shtrini dorën partive të tjera për bashkëpunim?
Veliaj: Të gjithë partive, të gjithë popullit, është i mirëpritur në një koalicion të madh qytetar që Tiranën siç e kemi transformuar dy vjet, ta bëjmë në një mandat tjetër. Kemi edhe dy vite të tjera. Unë s’jam naiv dhe e di që do të fillojë një batare sulmesh dhe balte. Është çmimi që dikush paguan kur do që ta shohë vendin e vet të zhvillohet. Kjo nuk është e re. Mjafton të kujtosh historinë e vendit tonë 100 vitet e fundit. Kush është përpjekur të zhvillojë vendin, ka ngrënë edhe topat e baltës. Unë e di që do kem racionin tim nga ata që përfaqësojnë një politikë të dështuar si në Tiranë si në gjithë Shqipërinë. Që ne jemi të hapur që për këdo qytetar, këto parti që do ta shohë Tiranën zonjë kjo s’ka asnjë dyshim.
-Cilat janë disa prej projekteve madhore për vitin 2018?
Veliaj: Disa prej projektet e mëdha që unë i përmenda është çështja e shkollave. Në 2019, me kundërshtarët e mi politik mund të debatoj për çfarë të duan. Ama një çështje që nuk dua të debatoj është ajo e shkollave të reja. Dua që t’i kemi mbyllur dhe shkollat me dy turne të jenë të së kaluarës. Para dy vitesh diskutonim për çështjen e parkingjeve. Sot Tirana jo vetëm ka 2 parkingje nëntokësore por diskutojmë të 5-n, të 6-n. Çështja e terminalëve të autobusëve. Ka problematika. Këtë vit do të jemi akoma më të ashpër. Duam që të ketë akoma më shumë përmirësim. Bashkia vet do të futet jo vetëm si rregullator por edhe me disa linja. Ky nuk është kërcënim. Ky është premtim. Nuk po kërcënoj privatët, por ata punojmë më mirë kur shteti është një operator. Shiko pastrimin në Tiranë. Edhe privatët punojnë më mirë në lagjet periferike kur shohin një kompani publike pasi kërcënohen se mund të marrin edhe hapësirën e tyre.
Në këtë sens, ne ju kemi bërë një sfidë për të filluar procedurat për autobusë elektrikë dhe për të transformuar flotën. Dy terminale, pra nga lindja dhe në perëndim, nga Durrësi dhe nga Elbasani nga të përkohshme do të kthehen në permanente dhe çështja e korsive të biçikletave do të marrë një hov. Viti 2018, do të jetë viti i biçikletave në Tiranë. Nëse Shkodra që nuk ka infrastrukturë arrin ta mbajë zellin qytetarë, Tirana që do ketë edhe infrastrukturën, do të duhet ta arrijë këtë të paktën në nivelin e Shkodrës dhe i përgëzoj. Ne shqiptarët nuk jemi me bisht. A jemi ne që kur shkojmë jashtë sillemi si të civilizuar?! Bëjmë një jetë dinjitoze. Këtë mund ta bëjmë në vendin tonë.
-Bulevardi i ri dhe Unaza e Madhe, çfarë do të ndodhë?
Veliaj: Në fillim të vitit do të hapim pjesën tjetër të bulevardit të ri. Në fund të vitit do ta hapim në total në fund tek Bregu i Lumit. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi punuar tek Bregu i Lumit. Kemi mbjellë 4 mijë fidanë që do të krijojnë një minipyllë. Nga një zonë komplet e ndotur. Brenda vitit kemi puqjen e bulevardit me lumin. Bulevardi i ri do të fillojë të popullohet jo vetëm me infrastrukturën e bashkisë por edhe me investime private. Ne parashikojmë një shfryrje të Tiranës në atë drejtim. Deri në vitin 2030, parashikojmë që 100 mijë banorë të zhvendosur në atë lagje të re.
-Ndalemi tek mjedisi. Një prej tyre janë autobusët elektrikë…
Veliaj: Ka një paketë për mjedisin. Disa kanë dhënë rezultat. Si tek përmbytjet. Vendosja e një pagese modeste tek qeset, e uli numrin në 60% dhe kjo do të thotë 60% qese më pak në ambient. Mjafton të marrim vendime të drejta dhe ne e kemi në dorë edhe për përmbytjet. Për autobusët elektrikë, bashkia ka caktuat fond që do t’i blejë vetë. Disa linja qoftë modeste, Tiranë-Aeroport ose Unaza e Vogël, bashkia do t’i operojë vetë. Privatët e kanë vetë në dorë. Ose të bëjnë porositë ose të shohin që biznesin e tyre do ta marrë bashkia me vendosjen e linjave publike. Një pjesë e privatëve kanë filluar të bëjnë porositë. Milano në 2020 do i ketë të gjitha elektrike. Ne nuk ka nevojë të bëjmë tramin. Teknologjia na mundësi që edhe kur kemi mbetur mbrapa, ta kapim të fundit. Ose do të modernizohen ose të dalin nga tregu, është kaq e thjeshta biseda me operatorët e autobusëve.
-Çfarë do të bëhet për turizmin?
Veliaj: Së pari do të aprovojmë disa leje zhvillimore për hotele të reja në Tiranë. Nëse vjen një avion charter me 300 kinezë, t’i nuk mund t’i shpërndash nëpër shtëpia tek shokët tanë marksistë. Kjo nuk funksionon. Patjetër që do të kemi një zhvillim të hoteleve. Patjetër do të kemi zhvillim të disa zonave siç është zona e Pazarit të Ri. Ne do të hapim edhe Vilën e Enver Hoxhës. Ne do të hapim edhe Çarshinë e Toptanëve në një nga xhepat e Kalasë së Tiranës që do të jetë në fokus për artizanë. Futja e operatorëve turistikë dhe zgjerimi i hotelerisë do të na bëjë më të përshtatshëm për evente të mëdha. Do të kemi disa artistë shumë të njohur, do të ketë disa konventa shumë të rëndësishme shkencore me famë botërore vitin tjetër. Nëse këto sjellin mijëra njerëz, ku do t’i vëmë? Kur patëm konvente të mëdha, jemi detyruar të çojmë njerëz në Durrës, Krujë dhe Elbasan.
Nëse njerëzit mendojnë se janë në komunizëm do t’i punësojë shteti të gjithë e kanë gabim. Duhet që privati të fuqizohet, kurse bashkia do të sigurojë standardin.