Elbasani është një prej qyteteve të prekura nga COVID-19 me 18 persona të diagnostikuar, ku kryesisht kanë qenë dy vatra.
Në një intervistë për tirananews.al, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, bën të ditur masat e marra nga institucioni që ai drejton sa i përket dezinfektimit por edhe funksionimit të tregjeve. Llatja sqaron strategjinë që po ndiqet për bizneset e vogla që janë edhe më të prekurit në këto momente , ndërsa jep dhe lajmin e mirë për faljen e tarifave të sipërfaqes publike dhe atë të tregjeve.
Kryebashkiaku i Elbasanit thekson se deri më tani janë ndihmuar me pako ushqimore më shumë se 2600 familje në vështirësi ekonomike, ndërsa mbahen në patronazhim të vazhdueshëm për bërjen e pazareve me shpenzimet e tyre rreth 6000 familje nga të cilat 1200 janë me shërbim aktiv të përhershëm.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Elbasani ka 18 të prekur me COVID. Cilat janë masat e marra nga Bashkia që ju drejtoni për këtë situatë?
Bashkia e Elbasanit që në fillim të shfaqjes së rasteve të para në Shqipëri mori masat përkatëse duke ngritur Shtabin e Emergjencave dhe duke marrë masat e nevojshme siç ishin dezinfektimet periodike të transportit publik, i cili më pas u mbyll dhe të të gjithë ambienteve ku kishte fluks të shtuar të qytetarëve.
U mbyllën tregjet publike dhe aktivitetet e bashkisë. Ashtu siç të gjithë e dimë ishte shumë e dhimbshme për Elbasanin anulimi i të gjitha aktiviteteve të Ditës së Verës për të cilën kishim kohë që po përgatiteshim dhe që është hera e parë që për këtë festë nuk ka organizime publike.
Në bazë të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë u mbyllën çerdhet, kopshtet, teatrot, muzetë, qendrat e ofrimit të kurseve për fëmijë, qendrat ditore të ofrimit të shërbimeve për fëmijët me aftësi ndryshe. U vendos në kushte të rrepta monitorimi dhe karantinimi “Shtëpia e të Moshuarve”, u mbyllën mensat e shërbimit social për personat në vështirësi ekonomike duke e kthyer shërbimin në katering për këtë kategori dhe duke e dërguar në banesat e këtyre personave, marrja e masave mbrojtëse në sportele të cilat ofronin shërbim të detyrueshëm për qytetarët, etj.
Dezinfektimi i të gjitha ambienteve publike dhe ambienteve të përbashkëta është një proces i vazhdueshëm. Për të thënë të vërtetën, Elbasani në fillim kishte vetëm 2 vatra të importuara (nga vendet e prekura) të cilat u izoluan me sukses me vetëm 5 të prekur, por numri i tyre u rrit ndjeshëm si pasojë e papërgjeshmërisë, të një bari i cili mendohet se ofronte shërbim për një klientelë të kufizuar duke shfrytëzuar derën e brendshme të këtij ambienti.
Ju ishit të parët në fakt që nisët procedurën e pikave pranë bankave apo sporteleve. Po me tregjet si po veprohet?
Tregu kryesor i fruta-perimeve në Elbasan ka më shumë se një javë që është rihapur me standardet e kërkuara dhe brenda të gjitha parametrave.
Tregu është bërë me hyrje dalje të veçanta, të ndara nga njëra-tjetra dhe të kontrolluara me Polici Bashkiake. Punonjësit e policisë bashkiake nuk lejojnë hyrjen e daljen në treg pa maska dhe doreza. Më tej është aparatura për dezinfektimin e klientit. Tregtarët janë të vendosur në një largësi 1.5 m nga njëri-tjetri.
Rihapja e tregut ishte e domosdoshme edhe për shmangur abuzimet me çmimet që mund të bëheshin në këtë periudhë, por duhet të theksoj se në treg janë vetëm tregtarët të cilët kanë një kontratë me bashkine dhe qëndrojnë të pezulluara të gjitha tregtimet ambulante me bileta ditore të cilët kryesisht përdoreshin nga zonat rurale rreth qytetit, të cilët edhe për shkak të pezullumit të transportit urban e kanë të pamundur lëvizjen.
Cilat janë masat e marra nga ju për te lehtësuar biznesin, kryesisht atë të vogël lidhur me taksat?
Bashkia e Elbasanit ka një afat të vonë të pagimit të taksave për bizneset e vogla 31 korrik, ndryshe nga shumë të tjerë të cilat e kanë në 20 prill apo në maj. Kjo kohë na jep mundsi të mirë për të riparë edhe njëherë Paketën Fiskale dhe barrën fiskale për çdo biznes të prekur. Por është e kuptueshme që për të gjithë periudhën që zgjat kjo situatë, asnjë biznes nuk do të paguajë tarifën e sipërfaqes publike dhe atë të tregjeve.
Sa familje kanë marrë ndihmë në këtë periudhë dhe a është arritur mbulimi i gjithë territorit të Bashkisë?
Bashkia e Elbasanit, kryesisht nëpërmjet organizatave joqeveritare të cilat kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe, por edhe biznese dhe donatorë të ndryshëm, deri tani ka ndihmuar me pako ushqimore më shumë se 2600 familje në vështirësi ekonomike, ka kontaktuar dhe mban në patronazhim të vazhdueshëm për bërjen e pazareve me shpenzimet e tyre rreth 6000 familje nga të cilat 1200 janë me shërbim aktiv të përhershëm, për të cilet sigurohet bërja e pazareve, blerja e medikamenteve, hedhja e mbeturinave, apo çdo shërbim tjetër që kanë nevojë këto familje në mënyrë që të shmangin daljen nga shtepia.
Si po funksionon vetë institucioni i Bashkisë në këtë periudhë?
Një pjesë kryesore e stafit e cila nuk është e domosdoshme në zyrë po i shërben familjeve që cituam më siper me shërbime, ndersa një pjesë tjetër punon nga zyra duke respektuar rregullat e distancimit dhe të higjenës dhe një pjesë tjetër punon nga shtëpia, kryesisht nënat me fëmijë apo ata që janë në prag të pensionit dhe kanë sëmundje kronike.
Si po vijon puna për investimet publike, janë ndërprerë apo vijon në mënyrë të kufizuar?
Puna publike po vazhdon normalisht dhe një pjesë e tyre është duke përfunduar, kemi hapur kantiere të reja, siç janë suvatimet e disa pallateve në unazën e Elbasanit dhe disa investime në rrejtin e ujit të pijshëm. Gjithashtu, vazhdon normalisht puna në hapjen e kanaleve vaditëse dhe kulluese, mirëmbajtjen e rrugëve rurale, shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe vazhdimin e mbjelljes së pemëve në projektin e murit të gjelber. Në fakt është për t’u vleresuar puna e pandërprerë e Agjencisë së Shërbimeve publike dhe Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve.
Sa mendoni se këto kufizime do të ndikojnë në ekonominë e qytetit?
Elbasani ka patur probleme ekonomike edhe para kësaj situate dhe fokusi kryesor i imi dhe i bashkisë ishte tek hapja e mundësive të reja për zhvillimin ekonomik dhe turistik, por është për t’u parë pasi edhe vetë profili i biznese është i larmishëm dhe i ndryshëm. Unë jam i bindur se shumë biznese do t’i rikthehen shumë shpejt normalitetit dhe do t’i shfrytëzojnë më së miri mundësitë e reja që do të krijohen, sidomos n prodhim.
Por sigurisht, edhe ju jeni dakord me mua se para jetëve njerëzore nuk mund të llogarisin asgjë tjetër. Dhe në këtë periudhë shpëtimi i jetëve njerëzore është detyra jonë kryesore.
Nga 18 të prekur, 15 janë të shëruar. Mes tyre edhe një mjek
Elbasani është një nga qytetet që është prekur nga COVID-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani janë 18 të prekur, por për fat të mirë 15 prej tyre janë shëruar. Elbasani në fillim kishte vetëm 2 vatra të importuara (nga vendet e prekura) të cilat u izoluan me sukses me vetëm 5 të prekur, por numri i tyre u rrit ndjeshëm në një vatër të re që rezuktoi më pas nga hetimet se ishte një lokal i hapur që vijonte të kryente aktivitet.
Restoranti në lagjen “5 maj” që ishte kthyer vatër në fakt ndodhet afër Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe aty kanë dalë edhe rastet e tjera me COVID-19 në Elbasan.
I prekur nga COVID-19 ishte edhe një mjek. Mësohet se mjeku i sanatoriumit shërbente në spitalin e Elbasanit dhe mendohet të jetë kontaminuar nga ndonjë pacient që ka shkuar për kontroll. (L.Tanushi)