Nga Lorenc Vangjeli*
Dritan Leli është nga ata njerëz me të cilin takimi fiksohet lehtë, por biseda është e vështirë. Në kuptimin se ajo ndërpritet shpesh. Si Doktor me profesion, dita e tij e punës nuk ka fillimin dhe fundin e ditës së njerëzve të tjerë. Sepse zakonisht nuk ka pasur as fillim dhe as fund të përcaktuar, por ka qenë e kushtëzuar nga urgjencat e pacientëve. Por tani, që prej më pak se disa javësh kur u shpall kandidat për kryetar të bashkisë së Vlorës, jeta e tij ka nisur një fillim të ri, fundi i të cilës ngjan larg.
Emri i tij ishte befasi për njerëzit e politikës, por në Vlorë, Tiranë e gjetkë ai ishte mjaft i njohur, qoftë për shkak të profesionit, qoftë për shkak të mbiemrit që mban, qoftë dhe prej të dyja këtyre arsyeve së bashku. I prerë, me vetëbesim të fortë si një vlonjat race, sfidues dhe i dëgjueshëm si pakkush në të njëjtën kohë, Doktor Leli duket se ka mundur të tejkalojë të sotmen dhe të hedhë një sy më tej saj: “Dua që mbas katër vjetësh në detyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës, Vlora të jetë bërë një qytet ku çdokush që ka ardhur këtu si banor apo si turist, të kishte dëshirë të rikthehej sërish”.
Në të vërtetë intervista me të është e vështirë. Sepse edhe biseda që bëhet në një lokal në buzë të detit, është si dita e tij e punës, pa fillim dhe pa mbarim. Gjithkush që e sheh, ndalon, i jep dorën dhe i drejtohet me emrin emblematik që gjithë vlonjatët, pavarësisht moshës dhe pavarësisht nëse je burrë apo grua, i japin njëri-tjetrit: Si je, vëlla? Vetë Doktor Leli i klasifikon më pas, të gjithë sivëllezërit e tij në dy kategori, të njohur të vjetër e të rinj dhe në pacientë të vjetër dhe të rinj. Dhe fjalët e para në një intervistë të tij të parë ai i drejton pikërisht për ta, por duke shtuar në një listë të pafundme emrash, edhe vlonjatët e rinj. Ata që kanë ardhur në perlën e Jonit në dy dekadat e fundit nga Tropoja e Kukësi, Korça e Mallakastra, Tepelena dhe që ndodhen që nga Novosela e deri tek Ura e Palasës.
Doktor Leli është nga ata njerëz me të cilët takimi fiksohet lehtësisht. Por kjo është vetëm një përshtypje e parë sepse në të vërtetë, fakti që ai ishte një takim për të bërë intervistën e tij të parë, nuk ka pikën e ndikimit tek ai. Sepse shpejt kuptohet që me të njëjtën lehtësi le takim me gjithkënd që kërkon të flasë me të. Më shumë se “dobësi” profesioni, është pjesë e magjisë së habitshme të një dite që për të është çuditërisht më e gjatë se dita e njerëzve të tjerë.
Nëse do të duhej të bëje një autoportret të vetes, si do t’u prezantoheshe qytetetarëve vlonjatë, kush është Dritan Leli?
Kam lindur, jam rritur dhe kam jetuar në Vlorë. Shtëpia ku kam lindur është ajo e gjyshërve të mi dhe ndodhet në lagjen Lirim, vetëm 50 metra larg ndërtesës së bashkisë së qytetit. Ajo është banesë ekzistuese dhe askush nga ne nuk ka dashur të bëjë ndryshime. Ruan madje edhe mobiljet e vjetra dhe origjinale që im gjysh i ka sjellë nga Italia e paraluftës. Duke qenë se babai im Halil Leli ka qenë oficer marine, mbas klasës së parë në Vlorë, ne kemi jetuar për shtatë vjet në ishullin e Sazanit ku dhe kam bërë shkollen tetë vjeçare. Aty jetonte një komunitet i vogël njerëzish me origjinë nga gjithë Shqipëria. Jeta në ishull ka qenë nga ato eksperienca që për një fëmijë kushtëzojnë gjithë jetën e mëpasshme. Kujtoj çisternën, një anije të vogël që sillte ujë të pijshëm në Sazan, meqë në ishull nuk ka burime uji. Vinte dy herë në javë dhe kjo gjë më ka mësuar se në jetë duhet të dish të presësh çastin e duhur, momentin e duhur për veprimin dhe vendimin e duhur. Dhe një gjë tjetër që nuk e harroj dot, kanë qenë dritat e Vlorës natën. Kisha aq mall për tokën e saj atëherë. Si tani.
Një mjek për Vlorën, pse je pikërisht ti zgjedhja e koalicionit të majtë?
Besoj se do të isha i fundit që do të jepja një përgjigje për një pyetje të tillë, siç do të doja të isha i pari në shprehjen e mirënjohjes së pafundme për këtë vlerësim nga koalicioni i majtë dhe kryetari i PS-së Edi Rama. Do doja gjithashtu të isha i pari në shërbesë për qytetarin vlonjat në bashki. Do të lidhja kandidimin e sotëm dhe punën e nesërme për Vlorën edhe me profesionin tim. Unë jam doktor radiolog dhe një punë e tillë më ka mësuar të tentoj të depërtoj brenda sipërfaqeve. Të gjej problemin aty ku dikush tjetër nuk do të shihte. Besoj tek puna. Besoj tek sakrifica dhe përkushtimi. Besoj tek e majta, tek idetë, vizioni dhe filozofia e saj. Jo thjesht si përgjigja më e mirë në krahasim me kundërshtarin e djathtë, por më e mira dhe e duhura për vendin.
Çfarë po bën tani në fushatë? Çfarë projektesh konkrete do t’i afrosh qytetit?
Bashkia e Vlorës me të gjithë shtrirjen e saj nga Novosela në Urën e Palasës është një hapësirë e cila duhet të shndërrohet përfundimisht në një qytet të vërtetë, në një hapësirë urbane mesdhetare. Një qytet që të afrojë shijen e diçkaje që nëse e provon njëherë, të fton ta provosh përsëri e përsëri. Nuk do të flisja për detaje të një projekti i cili kursesi nuk mund të mbajë idetë e një individi. Por ju them se ka një grup të madh specialistësh nga më të mirët, një ekip i cili nuk ka filluar punë sot dhe as nuk e mbaron atë nesër. Një punë që njeh çfarë është bërë mirë dje, që qorton çfarë është bërë keq dje dhe që tregon se çfarë duhet bërë më mirë nesër. Vlora afron historinë e djeshme dhe mundësitë e pafundme të sotme, afron qytetin e kujtimeve dhe të realitetit të nesërm në të njëjtin moment, diell dhe det, turizëm dhe shërbime, prodhim dhe estetikë. Pa pikën e nostalgjisë mund të them se Vlora është një markë e veçantë shqiptare që bëhet e tillë edhe për shkak të njerëzve të saj, karakterit të papërsëritshëm vlonjat.
Jam tërësisht i sigurtë se bashkëpunimi i pushtetit qëndror me atë lokal këtu në Vlorë do të jetë gjithashtu një model dhe një shans më shumë për Vlorën. Edhe në këto dy vjet të qeverisjes së majtë, ky model ka nisur të ndjehet. Një model që do të japë frute të shpejtë dhe të shëndetshëm. Do të afroj qetësi dhe vetpërmbajtje. Respekt, shërbesë dhe transparencë për çdo votues. Ena e mbushur nuk bën zhurmë, siç thotë një proverb i vjetër, që do të thotë, shumë më shumë punë dhe shumë më pak fjalë. Për shembull, ka dy modele, i pari, ai i kryetarit aksidental edhe të bashkisë së Tiranës, edhe të partisë demokratike, zotit Basha, modeli i fjalëve të shumta dhe punës si gur në trastë dhe modeli i dytë ai që do të doja të dëshmoja mbas katër vitesh.
Cilat janë marrëdhëniet e tua me strukturat lokale të PS-së dhe të LSI-së në Vlorë?
Do të thosha mjaft të mira dhe të bazuara në njohje të vjetra e të reja, në respekt reciprok, punë të përbashkët dhe detyra të përbashkëta. Eshtë një nga detajet që i konsideroj si më të mirat në këtë fillim fushate. Secili di detyrën e tij, secili beson në fitoren që është e do të jetë pronë dhe privilegj i gjithë secilit, secili vlerëson se puna e vërtetë, starti i saj nis me marrjen e mandatit dhe nuk përfundon atë ditë. Ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm që reflekton raportet politike në Tiranë dhe filozofinë e re të bashkëpunimit të së majtës. Më lejoni të mos përmend emra sepse janë vërtet shumë kontributorët e fushatës për bashkinë e Vlorës.
Edhe pse fushata nuk ka filluar zyrtarisht, të gjithë kandidatët janë në terren. Ju vetë çfarë bëni konkretisht?
Kam një veçanti që më bën të provoj dy ndjesi të përkundërta, e para që ende nuk jam në fushatë të vërtetë dhe e dyta, krejtësisht në të kundërt, që kam gjithë jetën time profesionale që po bëj fushatë në Vlorë e për Vlorën. Sepse në thelb nuk ka ndryshuar asgjë. Puna si mjek më ka bërë të takoj pafundësisht njerëz me të cilët bisedoja për shëndetin e tyre dhe mënyrat sesi mund të shërohen. Tani është pothuaj e njëjta gjë: flasim si mund të shërojmë Vlorën nga sëmundjet e trashëguara si në të gjithë Shqipërinë nga kaosi i tranzicionit. Edhe pse Vlora është më pak, ose të paktën kështu më duket mua, e prekur prej tyre. Po bëjmë takime të shumta me grupe interesi, me individë, me qytetarë në të gjithë Vlorën e madhe. Në fakt tani po e kuptoj sesa e madhe është realisht Vlora. Në të gjitha kuptimet e kësaj fjale.
Në një vështrim të shpejtë, çfarë i mungon Vlorës sipas jush?
Nuk mjafton një vështrim i shpejtë, sepse gjithçka do të jetë e detajuar në formë projektesh afat shkurtër dhe afat gjatë. Lista është shumë e gjatë. Eshtë duke u punuar ende për të dhe do të ketë një ofertë të jashtëzakonshme për çdo skaj të Vlorës së madhe urbane. Do të përmendja në fillim ndryshimet cilësore që në fushën e përpunimit të mbeturinave, të ujrave të zeza e deri tek ndryshime gjithashtu cilësore në tregjet e qytetit, në përpunimit e produkteve ushqimore, në shërbime, në përmirësimin e infrastrukturës qytetëse dhe në kontrollin shumë më të mirë të territorit. Sot është bërë e pamundur të ndërtohet pa leje, ndërtimet e nesërme në Vlorë do të jenë jashtëzakonisht të kontrolluara dhe të menduara jo për të shërbyer çastit të parë dhe interesit të parë, por si objekte që do të jenë pjesë e qytetit.