Vetëm fansat më besnikë të saj e kanë ndjerë mungesën e një këngë të re, sepse për të gjithë Çiljeta nuk ka ikur kurrë. Një nga këngëtaret më të dashura për shqiptarët prej tri vitesh nuk publikoi asnjë videoklip të ri, duke treguar se nëse e fiton zemrën e publikut, ke një vend që nuk zihet dot lehtë. ‘Klipi’ më i bukur i Çiljetës këto vite ishin lajmi i shtatzënisë, ardhja në jetë e një djali e më tej fotot me Fernandon, i cili u rrit midis mijëra shikimesh kurioze.
Vajza seksi e showbizit, vendosi të bëhet nënë e kryefamiljare me kohë të plotë, pa ndjerë aspak mungesë për takat e larta e fustanet e shkurtra skenike. Por erdhi koha që ajo të marrë sërish të gjithë vëmendjen, duke u rikthyer fuqishëm me një prej projekteve më të rëndësishme të jetës së saj. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, këngëtarja na tregon gjithçka rreth mungesës dhe rikthimit të saj të bujshëm.
Çiljeta, rikthehesh pas një mungese të gjatë në tregun muzikor. Pse u largove për tri vite?
Sepse u bëra me djalë dhe zgjodha që në tri vitet e para të jetës së tij t’i përkushtohem krejtësisht, duke lënë mënjanë punën. Kishte ardhur koha që unë t’i dedikohesha me kohë të plotë familjes sime.
Të kanë kërkuar për koncerte megjithëse nuk ke nxjerrë këngë të reja?
Po, kam punuar gjithë kohën. Kam pasur një axhendë të mirë koncertesh pa nxjerrë klip të ri.
Të ka munguar protagonizmi përgjatë këtyre viteve?
Jo, aspak. Kam kënduar pa ndalim, duke qenë pranë publikut. Vetëm se gjithë kohën kam menduar se rikthimi im duhet të ishte më i bujshëm e më i bukur se kurrë ndonjëherë. Të rikthehesh do të thotë të vazhdosh njësoj në pikën ku e ke lënë dhe kjo është e vështirë. Pse zgjodhe të rikthehesh me Noizyn? Ky ka qenë një projekt që ka nisur katër vite më parë, kur unë isha në kulmin e karrierës sime artistike. Njerëzit e prisnin prej vitesh këtë bashkëpunim dhe për këtë arsye vendosa të rikthehem me një plan shumë të madh. E në të vërtetë, ky është projekti më i madh që kam realizuar në jetën time. Me askënd tjetër nuk mund të ishte më mirë se me Noizyn.
Më në fund klipi i këngës me Noizyn u xhirua. A doli vërtetë si një film?
Po, ka dalë vërtetë si një film dhe plani im është realizuar krejtësisht. Gjithçka u bë ashtu siç e kam dashur.
E kujt ishte ideja? A ka klipi një skenar të mirëfilltë?
Skenaristja jam unë në fakt. Pra, kësaj here nuk vij vetëm si protagoniste e videoklipit tim, por jam kujdesur në detaje për çdo skenë që publiku do të shohë në të. Sigurisht që më ka ndihmuar shumë edhe Bled Kalivaçi i “Max Production”.
Po harxhimet si kanë qenë? Ka kushtuar më shumë se të tjerët?
Po, sigurisht që ka kushtuar shumë më tepër.
A do të na e thuash shifrën?
Jo, këtë dua ta mbaj sekret (qesh).
Si u ndjeve gjatë xhirimeve?
Gjatë xhirimeve jam ndjerë shumë e stresuar.
Pse?
Sepse siç thashë edhe më herët, unë jam kujdesur vetë për gjithçka, për stafin, për skenat dhe përgjegjësia që kisha ishte shumë më e madhe. Ka skena ku përveç meje, janë edhe 30 vetë të tjerë. Zakonisht në klipe i gjithë stafi kujdeset për këngëtarin, ndërsa këtë herë ndodhi e kundërta. Megjithatë, duhet të pranoj se i gjithë stresi që kam kaluar ia vlen. Vetëm me lodhje e stres mund të bësh një punë vërtetë të mirë. Gjërat e thjeshta të mërziten shpejt.
Armët që keni përdorurnë klip janë të vërteta?
(qesh) Jo, jo. Ne jemi njerëz paqësorë.









