Është zhvilluar me tone të ashpra interpelanca mes deputetit Erjon braçe dhe ministrit Niko Peleshi në seancën plenare. Ishte deputeti socialist që kërkoi interpelancë me ministrin e Bujqësisë, në lidhje me problematikat e këtij sektori. Ai hodhi akuza të fort ndaj kësaj ministrie, duke i kërkuar që të tregojë çmimin mes fermerëve dhe tregtarëve, pasi sipas tij, çmimi nga fusha në treg trefishohet.
Braçe tha se ka një abuzim ulëritës në treg, teksa shtoi se ekziston një rrjet tregtarësh që janë të aftë të kryejnë këtë abuzim. Nga ana e tij, ministri Peleshi tha se po punohet për të tejkaluar këto problematika, duke vënë theksin te informacioni. Sipas tij, duhet një bursë që çdo fermer të marrë vesh çmimet në çdo treg.
Braçe: Bujqësia është sektori më i gjerë. Do çohen gjithë teoricienët e ekonomisë, e do kundërshtojnë me magjinë e tregut forcën e tij. Por këtu pazari është fuqia e vetme që funksionon. Ata që nuk fitojnë janë bujqit dhe blegtorët e zakonshëm, por fitojnë tregtarët. Marrëdhënia sot në këto pazare është e tillë ‘ose lëre produktin me çmimin që them unë, ose ik’. Këto çmime po bëjnë që në këtë vend në bujqësi po të punosh nuk fiton, por edhe po të investosh paratë e tua, i humb ato.
Peleshi: Të gjitha që tha Braçe janë të vërteta. Ka një të vërtetë të madhe që mbase nuk kemi guxuar ta themi, ne quajmë sot fermer këdo që punon e jeton në fshat, në fakt 89% e fermerëve kanë më pak se 2 hektarë tokë. Kjo do të thotë se të ardhurat që siguron nga bujqësia nuk janë të ardhurat primare të familjes tënde. Së pari, jemi duke punuar për përkufizimin e fermës dhe fermerit dhe të bëjmë një ndarje të qartë. Duhet zgjuarsi dhe politikë e zgjuar. Kjo qasje do të ndryshojë në vitin 2018. Këtë problem e kemi pasur dhe do ta kemi, se nuk jemi vend i zhvilluar, por në vitin 2018 do përballemi me një realitet tjetër, ku mundësitë do jenë shumë më të madhe se nevojat.
Ne kemi dyfishuar sipërfaqen nën ujë, megjithatë kemi dhe disa mijë hektarë të tjera pa ujë. Brenda këtij viti do përfundojmë 29 skema, do shtojmë me 10 mijë hektarë nën ujë. Do vazhdojmë decentralizimin, pjesën më të madhe të infrastrukturës dytësore dhe tretësore ua kemi dhënë bashkive. Po përmbyllim negociatat me BB për 25 milionë euro të tjera për skemën e ujitjes për vitin 2018.
Imputet bujqësore jo cilësore shpeshherë ndikojnë koston e prodhimit, kur janë të shtrenjta. Përjashtimi nga TVSH i një pjese të mirë të imputove, që nuk e bëjmë dot në paketën fiskale të këtij viti, por hap pas hapi, brenda mandatit. Fermeri nuk ka përgjegjësi për imputet bujqësore dhe unë jam këtu për ta mbajtur nën vëzhgim. Duhet kontroll për të mos penetruar në treg produktet e falsifikuara. Pra, çështja e kontrollit na takon ne dhe po përgatitemi ta bëjmë më mirë.
Infrastruktura ndikon, 100 milionë dollarë po negociojmë me BB për infrastrukturën. Do lidhet fshati me rrugën nacionale.
Mungesa e dijes, faktor i rëndësishëm. Drejtoritë e bujqësisë kanë pasur e vazhdojnë të kenë shumë funksione.
Braçe: Shqetësimi im kalon në disa hallka, karota që prodhohet në Divjakë ka një cilësi krejt ndryshe nga prodhimi në gjithë vendin. Kostoja për një dynim karrot është 2 lekë për kg, sot në pazarin e Tiranës ishte 70 lekë. Ky pra është shqetësimi, nga bujku te tregtari çmimi ndryshon me rreth 3-fish. E njëjta gjë ndodh me lakrën, me lule lakrën, bokolin, shalqiri ishte i vetmi produkt që i dha lekë fermerit.
Po të shkojmë te sera shqetësimi bëhet edhe më i madh. Për kastravecin, domaten që sot në Tiranë është dy herë më shtrenjtë. Pra, tregtarët këtu fitojnë dy herë e gjysmë më shumë. Ka dhe problematika tjera, por ky i abuzimit të tregtarëve është skandaloz. Edhe në eksport çmimet kanë shkuar tre herë më shtrenjtë. Nuk do ketë vlerë asnjë lloj investimi nëse paratë nuk i marrin bujqit, por tregtarët. Bujqit e kanë konkurrencën direkt me turqit dhe grekët. Bujqit duhen orientuar të mbjellin tokën në kushtet që para se grekët e turqit të bllokojnë tregun. Sulmi në periudha piku duhet të ndalet.
Peleshi: Nëse ka një diferencë për treguesit e Braçes, unë nuk besoj se kjo diferencë vjen për shkak se nuk duhet të besojmë te forcat e tregut. Në bujqësinë shqiptare ekonomia e tregut është e deformuar, ajo ka kuptim t’i besosh atëherë kur informacioni shkëmbehet siç duhet, ne kemi problem të madh të informacionit të çmimeve. Ne po punojmë me shpejtësi për të ndërtuar një bursë bujqësore dhe blegtorale. Të gjithë të dinë sa është çmimi i bursës, në çdo treg. Nëse informacioni nuk qarkullon në kohë reale, nuk mund të flasim për ekonomi tregu, e cila nuk funksionon në bujqësi. Fermeri është shumë larg, shumë i copëzuar. Ndaj duhet kooperimi në shitje, do të inkurajojmë fermerët të kooperojnë në shitje.
Braçe: Ministër, unë nuk mallkoj, por gjërat nuk funksionojnë dhe këtë nuk e mohoj dot, as unë dhe as askush. Ka një abuzim shumë të madh në treg, nga fusha në treg ndryshon çmimi me tre herë, kjo është ulëritëse. Ndërhyni në këtë pikë. Ka një rrjet tregtarësh të aftë për të sulmuar produktet bujqësore.
Në rend dite janë parashikuar edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, kohë kur pritet të ketë debate dhe akuza nga ana e opozitës, akuza të nisur këto në komisionet kuvendore. Duke filluar nga e hëna, deputetët e opozitës kanë qndruar pak nëpër komisione, ndërsa më pas i kanë bojkotuar ato.
***
Pas një jave të mbushur me debate në komisionet kuvendore për shkak të situatës së krijuar nga çështja “Tahiri” dhe për shkak të mospajtimit me projektbuxhetin, Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e përjavshme plenare.
Në rend dite është parashikuar një interperlance me ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi, kërkuar nga deputeti Erjon Braçe. Në rend dite është gjtihashtu projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2016” si dhe projektligji “Për tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.
Në rend dite janë parashikuar edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, kohë kur pritet të ketë debate dhe akuza nga ana e opozitës, akuza të nisur këto në komisionet kuvendore. Duke filluar nga e hëna, deputetët e opozitës kanë qndruar pak nëpër komisione, ndërsa më pas i kanë bojkotuar ato.
Rendi i ditës në Kuvend për ditën e sotme është:
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 25.10.2017 (neni 44, Rregullore)
Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend (neni 44, pika 3 e Rregullores)
Interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kërkuar nga deputeti Erjon Braçe (neni 96, Rregullore)
Projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2016” (nenet 73-77, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë) Pyetje Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Diskutime (Shprehen grupet parlamentare): Koha e votimit (në parim/nen për nen/në tërësi)
Projektligji “Për tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë” (nenet 73-77, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë) Pyetje Shprehet komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Diskutime (Shprehen grupet parlamentare): Koha e votimit (në parim/nen për nen/në tërësi)
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (neni 45, Rregullore) Koha e diskutimeve deri në 60 minuta. /a.ç