Interi është mposhtur në udhëtim nga Torino të dielën në mesdite, duke mos e shfrytëzuar gabimin e Romës dhe duke e rrezikuar edhe pozitën e katërt në Serie A, e cila është e fundit që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Torino e mposhti Interin 1-0 në “Olimpico” në një ndeshje të luajtur në kuadër të javës së 31-të të Serisë A italiane.
Interi pati shumë nga loja por goli iu mohua nga portieri i vendasve, Sirigu, që shfaqi një formë të jashtëzakonshme në këtë ndeshje.
Humbja e rasteve e kushtoi me tri pikë Interit, pasi ish-interisi Adem Ljajic shënoi gol në rastin e vetëm serioz të Torinos në minutën e 36-të. Inter mbetet në vendin e katërt me 59 pikë, një më pak se Roma në vendin e tretë, dhe dy më shumë se Lazio në vendin e pestë, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërkohë, kjo fitore e mban Torinon në vendin e 10 por tani me 45 pikë, gjashtë më pak se vendi i gjashtë, Milani. /Express/