Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, thotë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.
Në një intervistë për MCN TV, Pisonero ka lënë të kuptohet se udhëtimi i dy vendeve drejt integrimit europian do të vijojë të mbetet i përbashkët. Kjo zbeh shpresat për një ndarje të mundshme të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, e cila po pengohet nga vetoja bullgare.
“Është e qartë për Komisionin Europian që duhet të ecet përpara me një datë konkrete për të dyja vendet. Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare. Kemi punuar fort me presidencën portugeze. Po hyjmë në fazën finale dhe tryeza e parë duhet të përmbyllet sa më shpejt”, u shpreh Pisonero.
Sipas saj, KE i cilëson të plotësuara kushtet që i janë vënë vendit tonë, megjithatë theksi vijon të mbetet te reforma në drejtësi, zbatimi i saj, reforma zgjedhore dhe përparimi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
/b.h