“Rezultatet dhe arritjet tona në përmbushjen e kërkesave të vendosura nga Këshilli janë domethënëse. Topi mbetet në portën tonë përsa kohë nuk kalon në portën e BE. Është fakt se topi tani është në fushën e BE-së. Kjo do të thotë se ne duhet të vijojmë përpjekjet me të gjitha forcat, me të gjitha mundësitë dhe me të gjitha kanalet në dispozicion të këtij Këshilli që të zbatojmë vendimin e tij të marsit 2020 me dy hapa tërësisht praktike, miratimi i kornizës negociuese për Shqipërinë dhe miratimi i datës së Konferencës së Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri”, tha sot Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, i cili raportoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian mbi zbatimin e Planit të Veprimit
“Për vendin tonë procesi i integrimit europian është ngjarja më e rëndësishme e ecurisë për pranimin në një organizatë ndërkombëtare që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky është moment historik mjaft i rëndësishëm dhe për të arritur këtë qëllim duhet të punojmë harmonikisht të gjithë së bashku”, tha Mazi.
“Në vitin 2018, KE propozoi hapjen e negociatave për Shqipërinë. Pati një masë kritike mbështetje për vendim pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2019, gjithashtu. Dështimi i Unionit për të marrë vendim pozitiv në vitin 2019 u karakterizua nga kryeministri italian, si “gabim historik i BE”. Presionet në vijim dhe pozitive, ecuria e reformave në vend, raportet vjetore të Komisionit për Shqipërinë, çuan në marrjen e vendimit pozitiv pas dy vitesh dështimesh. Këshilli vendosi në 25 mars 2020, hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas këtij vendimi objektivi i Shqipërisë mbetet miratimi i kuadrit negociues për Shqipërinë dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, për fillimin teknik të nisjes konkrete të negociatave për anëtarësim, pra ulje në tavolinë midis nesh dhe Komisionit Europian”, u shpreh Mazi.
Mazi tha se, “ky objektiv do arrihej përmes ridërgimit të rekomandimit të pastër nga Komisioni në Këshillin Europian për nisjen e negociatave në paketën e zgjerimit për vitin 2020. Miratimi kornizës negociuese, caktimi i një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”.
“Komisioni vlerësoi në nëntor 2020 se Shqipëria është afër përmbushjes së kushteve përpara Konferencës së Parë ndërqeveritare, mbetej vetëm një hap tjetër praktik”, tha Mazi.
“Në kuadër të brendshëm kombëtar, nga takimi i qershorit të vitit 2020 të këtij Këshilli, u ravijëzua plani i veprimit dhe masat për jetësimin e tij”, tha Mazi.
Ai shtoi se puna dhe arritjet konkrete kanë vijuar në disa linja prioritare.
“Vendimi politik u mor në 25 mars 2020. Konferenca e Parë Ndërqeveritare do të mbahej sa më shpejt, fill pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli. Kështu ishte e shkruar. Deri atëherë Shqipëria duhet të ketë përmbushur kërkesat specifike në konkluzionet e Këshillit të marsit 2020. Bazuar në ndarjen e qartë dhe mirëkuptimin se jo të gjitha kërkesat e renditura në vendimin e Këshillit, ose konkluzionet e Këshillit duhet të përmbushen para Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u hartuan masat për përmbushjen e përparësive për Konferencën e Parë Qeveritare, për vënien e tyre në jetë përpara miratimit të kuadrit negociues për Shqipërinë. Sipas këtij këndvështrimi, Plani i Veprimit parashikoi hapat për plotësimin e përparësive që duhet të përmbushen përpara Konferencës së Parë ndërqeveritare, nga të cilat u përcaktuan, miratimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, arritja e kuorumit, ngritja dhe funksionimi i strukturave SPAK dhe BKH, forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritja e bashkëpunimit me shtetet anëtare të Unionit”, theksoi Mazi.
“Këshilli i 25 marsit 2020 përcaktoi edhe përparësi të tjera të rëndësishme, për çka është arritur mirëkuptimi se do të jenë pjesë integrale të kornizës negociuese që do t’i paraqitet Shqipërisë në Konferencën e Parë ndërqeveritare”, shtoi Mazi.
Mazi shtoi se, “puna konkrete e qeverisë dhe gjithë institucioneve shtetërore ishte vijimi pa u ndaluar i reformave të nevojshme të procesit të integrimit europian. Priorizimi i përmbushjes së kërkesave për mbajtjen e Konferencë së Parë Ndërqeveritare. Ato u realizuan si vijon. 5 qershor 2020 Këshilli politik përfundoi draftin mbi reformën zgjedhore me përfshirjen e opozitës jashtë parlamentit u arrit marrëveshje ndërpartiake midis pozitës dhe opozitës parlamentare dhe ekstra parlamentare. Marrëveshja e 5 qershorit u kthye në dispozitë nën/ligjore përmes miratimit në Kuvend të disa ndryshimeve në ligjin Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë në seancën plenare të 23 korrikut 2020. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor adresojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse rekomandimet e OSBE/ODIHR. U plotësua ky kusht për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”.
“Gjykata Kushtetuese mori funksionalitetin, kuorumin me 6 anëtarë në dhjetor 2020. Sot Gjykata Kushtetuese ka 7 anëtarë. Emërimi i 3 kandidatëve jo magjistralë për Gjykatën e Lartë mundësoi funksionimin e një nga dhomat e Gjykatës. Kjo Gjykatë është funksionale. Është i plotësuar edhe kushti tjetër për Konferencën e Parë Ndërqeveritare”, tha Mazi.
“SPAK dhe zyra e Prokurorisë Speciale është plotësisht funksionale që nga dhjetori i vitit 2019. Drejtori i BKH-së u emërua në 30 korrik 2020 dhe filloi kryerjen e funksionit. Zhvillimet e mësipërme përmbushin kushtin për Konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Mazi.
“Lufta kundër korrupsionit vazhdoi të forcohej. Është shënuar progres në vijimësi, duke konsoliduar koordinimin operacional dhe kapacitetet monitorues. Rezultatet të prekshme u arritën në luftën kundër krimit të organizuar përfshirë përmes bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE”, theksoi mazi, duke shtuar se, “u përmbush kështu edhe kjo kërkesë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”.
“Sot ende nuk ka një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të vijojmë të japim rezultate konkrete në përmbushjen e prioriteteve në këtë plan në të gjithë spektrin e tyre dhe plotësisht. Së shpejti do të bëhet një vlerësim tjetër nga KE për përmbushjen e kushteve përpara Konferencë së Parë Ndërqeveritare”, tha Mazi.
Mazi shtoi se, “Presidenca portugeze, kemi njoftim, e ka në prioritetet e saj mbajtjen e kësaj Konference brenda këtij semestri që ajo është Presidente e BE”.
KKIE zhvilloi sot takimin e radhës online me temë: “Zbatimi i Planit të Veprimit për hapjen e negociatave të miratuar në Kuvend me rezolutën e dt. 24.09.2020 mbi “Hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Miratimin e Planit të Masave për Përmbushjen e Përparësive të Përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian”.