INSTAT: Rriten pagat dhe punësimi në tremujorin e dytë
Punësimi ka shënuar rritje në pothuajse të gjithë sektorët kryesorë në tremujorin e dytë, sipas të dhënave të statistikave afatshkurtra të INSTAT. Industria, ndërtimi, shërbimet, tregtia me shumicë, hotelet, informacioni dhe komunikacioni, të gjitha kanë shënuar jo vetëm rritje të punësimit, por edhe të pagave. Në rënie është vetëm transporti.
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të dytë 2015, ndryshimi vjetor i nivelit të fondit të pagave shënoi një rritje prej 4,2 % në “Industri”, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në aktivitetin “Industri përpunuese” me 7 %. Ky tregues u rrit në aktivitetin “Energji elektrike, gaz, avull” me 1,3 % dhe në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” me 0,4 %.
Ndryshimi tremujor i fondit të pagave shënoi rënie me 2,1 % në aktivitetin “Industri”, rënie e cila vjen kryesisht nga ndikimi i aktivitetit “Industri nxjerrëse” me 7,9 % dhe nga aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” me 4,3 %.
Gjithashtu, ky tregues shënoi rritje në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, me 4 %.
Në aktivitetin “Ndërtim” në tremujorin e dytë 2015 krahasuar me tremujorin e parë 2015 shënuan rritje, Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë me 3,9 % dhe Indeksi i fondi të pagave me 7,8 %.
Në aktivitetin “Shërbime”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e dytë 2015, paraqet një rritje të fondit të pagave me 7,5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontribut kryesor në rritjen e këtij treguesi kanë dhënë kryesisht aktivitetet “Tregti me shumicë” me 14,9 % dhe “Informacioni dhe komunikacion” me 16,1 %.
Ndryshimi tremujor i fondit të pagave paraqitet me rritje 1,4 % në tremujorin e dytë 2015 krahasuar me tremujorin e parë 2015, në aktivitetin “Shërbime”. Në këtë rritje kanë ndikuar kryesisht aktivitetet “Tregti me shumicë” me 0,3 % dhe “Informacioni dhe komunikacion” me 2,7 %.
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Transport dhe magazinim” paraqet rënie me 1,2 % krahasuar me tremujorin e dytë 2014. Ndërsa, indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Transport dhe magazinim”, në ndryshim tremujor, shënoi rritje me 1,8 % krahasuar me tremujorin e parë 2015.
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në tremujorin e dytë 2015 paraqet rritje 11,7 %, ndërsa në ndryshim tremujor, krahasuar me tremujorin e parë 2015, ky tregues paraqet rritje 8,6 %.
Ndryshimi vjetor i fondit të pagave në ndërmarrjet e aktivitetit “Hotele” paraqet rritje 12,8% krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndërsa në ndryshim tremujor, krahasuar me tremujorin e parë 2015, ky tregues paraqet rritje 8,1 %.
Fondi i pagave në aktivitetin “Informacioni dhe komunikacioni” paraqitet me rritje 16,1 % në tremujorin dytë 2015 krahasuar me tremujorin e dytë 2014, ndërsa ndryshimi tremujor i indeksit të fondit të pagave paraqet rritje 2,7 % në krahasim me tremujorin e parë 2015.
Ndryshimi vjetor i indeksit të fondit të pagave në aktivitetin “Aktivitete arkitekture dhe inxinierike” paraqet rritje 18 % krahasuar me tremujorin e dytë 2014. Me rënie 1,2 % paraqitet indeksi i fondit të pagave në këtë tremujor, referuar të njëjtit aktivitet, krahasuar me tremujorin e parë 2015.









