Informaliteti, Rama ul çmimin e kasave fiskale me 51 euro
Qeveria ka vendosur t’u japë ‘një dorë’ bizneseve të pa pajisura me kasa fiskale, duke ulur çmimin e blerjes së tyre. Tashmë me vendimin e ri që u komunikua dje nga vetë kryeministri Rama, çdo biznes që nuk e ka një kasë do të mund ta blejë atë duke filluar nga sot me 279 euro, nga 330 euro që ishte më parë.
Dje në takimin për luftën kundër informalitetit në fushën e shëndetësisë, kryeministri deklaroi se nga kjo e enjte ata që do të drejtohen për t’u pajisur me kasë fiskale do ta marrin atë me çmim më të ulët. “Ne u kemi imponuar kompanive një ulje drastike të çmimit dhe për të gjithë ata që do të porosisin kasë nga nesër e më tutje, kasa nga 330 euro që kushton aktualisht do të jetë 279 euro. Kemi bërë një ulje drastike në shërbimin për zgjerimin e memories dhe ulje në një përqindje të caktuar në mirëmbajtje dhe një sërë shërbimesh të tjera”, tha dje Rama.