Në konferencën për mediat, ai tha se vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje.
Ndërsa inflacioni qëndron në nivele të ulëta, Sejko tha se tregjet financiare shfaqen të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme.
Sejko u shpreh se tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave dhe e tarifave tregtare mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe në inflacion.
Po ashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.
Fjala e plote e Guvernatorit
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Ndonëse jo të plota, të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat, kanë ardhur në rritje gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni qëndron në nivele të ulëta, tregjet financiare shfaqen të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje të shpejtë e të qëndrueshme.
Politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ka pasur një kontribut pozitiv në këto zhvillime. Ajo ka mundësuar kthimin e inflacionit pranë objektivit tonë, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar. Gjithashtu, ajo ka gjeneruar një ambient financiar të qetë, me kushte të favorshme financiare dhe kreditim në rritje.
Projeksionet ekonomike për të ardhmen mbeten pozitive. Në skenarin bazë, inflacioni pritet të luhatet pranë objektivit, ndërsa ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatin e mesëm.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është ende i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
***
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të lehtë në dy muajt e parë të vitit 2025, duke qëndruar në nivelin mesatar prej 1.9%. Rënia e inflacionit u diktua nga ecuria e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara dhe ulja e çmimit të energjisë për konsum familjar. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të artikujve të tjerë të shportës së konsumit ishte relativisht i qëndrueshëm.
Në aspektin makroekonomik, zhvillimet në inflacion gjatë tremujorëve të fundit janë diktuar – në pjesën më të madhe – nga rënia në nivele të ulëta e inflacionit të importuar, në përgjigje të ecurisë së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe të forcimit të kursit të këmbimit. Ndërkohë, presionet e brendshme inflacioniste kanë pasur një rënie më të ngadaltë dhe mbeten konsistente me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Ecuria e këtyre të fundit pasqyron si kërkesën solide për mallra e shërbime, ashtu edhe rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit.
Statistikat zyrtare mbi ecurinë e aktivitetit ekonomik gjatë dy tremujorëve të fundit nuk janë ende të plota. Megjithatë, informacioni i disponuar sugjeron se rritja ekonomike ka mbetur solide, në nivele të krahasueshme – ndonëse disi më të ulëta – se ajo e tremujorëve paraardhës. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se është mbështetur në rritjen e konsumit dhe të investimeve të brendshme, si dhe në rritjen e eksportit të shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ka vijuar të qëndrojë në pozita konsoliduese dhe eksporti i mallrave vijon të shfaqë rënie. Kjo ecuri është pasqyruar në zgjerimin e sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që dinamikat e sektorit të industrisë dhe të bujqësisë janë më të dobëta.
Zgjerimi i kërkesës agregate është shoqëruar me rritjen e punësimit, rënien e normës së papunësisë dhe vijimin e rritjes së pagave në sektorin privat. Kështu, sipas të dhënave të Instat-it, punësimi në tremujorin e katërt shënoi një rritje vjetore prej 1.8%, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.5%. Në të njëjtën kohë, norma mesatare e papunësisë gjatë vitit 2024 zbriti në 8.5%, kundrejt nivelit 9.5% të shënuar gjatë vitit 2023. Sikundër e kemi theksuar dhe më parë, rritja e punësimit dhe e pagave ndihmon zgjerimin e të ardhurave familjare, por ajo tenton gjithashtu të transmetohet në rritje të kostove të punës dhe të çmimeve të konsumit.
Rritja e konsumit familjar dhe e investimeve të biznesit pasqyron bilancet e shëndetshme financiare, besimin për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme të kreditimit. Këto të fundit janë diktuar si nga niveli relativisht i ulët i normës bazë të interesit dhe i normave të interesit të kredisë, ashtu edhe nga qasja pozitive e sektorit bankar ndaj kreditimit.
Tregjet financiare kanë qenë të qeta gjatë tremujorit të parë të vitit 2025. Ato vijojnë të karakterizohen nga një nivel i lartë likuiditeti dhe prime të ulëta rreziku, duke shfaqur – në të njëjtën kohë – edhe një qëndrueshmëri më të lartë të kursit të këmbimit.
Për pasojë, kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet me ritme të shpejta – prej mesatarisht 16.7% gjatë dy muajve të parë të vitit – duke shfaqur në të njëjtën kohë një shpërndarje të mirë sektoriale dhe një cilësi të mirë portofoli. Një zhvillim specifik i dy tremujorëve të fundit ka qenë riaktivizimi i kreditimit në valutë, si pasojë e uljes së normave të interesit në tregjet evropiane dhe i rritjes së shpejtë të kredisë akorduar bizneseve për investime. Kjo e fundit shënoi një rritje mesatare prej 20% gjatë dy muajve të parë të vitit, duke mbështetur rritjen e kapaciteteve prodhuese. Gjithashtu, treguesi i kredive me probleme zbriti në 4.06% në muajin shkurt, një minimum i ri historik prej më shumë se një dekade.
Stabiliteti i sistemit financiar, si dhe përmirësimi i treguesve të qëndrueshmërisë fiskale dhe të huaj të vendit, janë pasqyruar në një përmirësim të mëtejshëm të renditjes së rrezikut të borxhit sovran të Shqipërisë nga agjencia Standard & Poors në muajin mars 2025, duke e çuar atë në BB. Ky përmirësim ul kostot e huamarrjes së sektorit publik e privat në tregjet e huaja, si dhe rrit atraktivitetin e ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar për investitorët e huaj.
Përditësimi i parashikimeve sugjeron se trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen.
Në skenarin bazë, inflacioni pritet të kthehet gradualisht pranë objektivit gjatë vitit 2025. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate për mallra e shërbime, një qëndrueshmëri më të lartë të kursit të këmbimit, si dhe për rënie të mëtejshme të inflacionit në partnerët tanë tregtarë. Paralelisht me të, ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në afatin e mesëm.
Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve paraqitet – për momentin – neutrale. Megjithatë, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave e tarifave tregtare, mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion.
***
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.