Plani i integruar i zonës ekonomike Tiranë – Durrës, ose siç është pagëzuar me emrin “Durana”, do të shërbejë si një udhëzues për të shmangur kaosin e ndërtimeve pa leje dhe të pakontrolluara, për ta bërë këtë rajon më konkurrues. Agjencia e Planifikimit të Territorit ka përfunduar studimin e plotë dhe jep kornizat brenda së cilës do të synohet të zhvillohet ky rajon. Ky plan, së bashku me Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe atë për Bregdetin, do të marrin miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Një rajon i qendërzuar, që do të shërbejë si motori ekonomik i vendit. Kështu do të mund të projektohet zona Tiranë – Durrës, ndryshe e njohur me emrin e branduar “Durana” pas më shumë se një dekade. Agjencia e Planifikimit të Territorit, thotë se sfida do të jetë kthimi në një rajon që do të jetë i integruar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, mbi të gjitha, konkurrues. “Durana” synon që të mbështesë bizneset dhe industritë kreative nën një cikël të mbyllur, me qëllim që deri në vitin 2030, rajoni të ketë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto në rreth 10%, papunësia te të rinjtë të ulet me rreth 5% dhe investimet në teknologji të rriten me rreth 10%. Plani parashikon edhe krijimin e katër klasterave dhe katër inkubatorëve të zhvillimit.
Ky rajon vlerësohet si nyja kryesore në vend e burimeve njerëzore, mallrave, hapësirave të jetueshme dhe si porta hyrëse e Korridorit të 8. Ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e rajonit luajnë edhe “portat” logjistike, siç janë Porti i Durrësit dhe aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Për zhvillimin ekonomik, plani përcakton krijimin e dhjetë poleve strategjike, si ai autostradë – Kashar – Vlorë; Vlorë – Maminas; Kamëz – Nikël; Kinostudio; Aeroport – Vorë; Kashar – Kombinat – Vaqarr; Durrës – Shkozet; Durrës – Sukth/Shkozet; Spitallë – Porto Romano dhe Kavajë. Secila prej tyre do të ofrojë kushte për krijimin e bizneseve me cikël të mbyllur në logjistikë, fason, kreativitet etj.
Nga ana tjetër, rajoni konsiderohet si nyja më e rëndësishme e qarkullimit në nivel kombëtar, në të cilin është zhvendosur fluksi më i madh i akomodimit dhe shërbimit, si dhe shpërndarja e vizitorëve. Por, sipas studimit, ky rajon nuk ka arritur dot të krijojë identitetin e tij në raport me turizmin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Produktet turistike duhet të ndërlidhen me destinacione si Kruja, Elbasani apo Kavaja. Vizioni i ndërtimit të turizmit rajonal bazohet në krijimin e një destinacioni metropolitan të qëndrueshëm, me komunitet gjithëpërfshirës dhe multietnik, klimë biznesi të bazuar në shërbime inovative.
Krijimi i një marke rajonale vlerësohet faktori kyç në rritjen ekonomike të rajonit, ku parashikohet që bashkitë të hartojnë strategjitë duke u bazuar në pikat e forta, siç janë kapitali njerëzor i lartë, prezenca e modaliteteve të ndryshme, përqendrimi i shumë aktiviteteve ekonomik etj.
Mbi këto janë përcaktuar edhe pesë sistemet bazë territoriale që janë: ai urban, infrastrukturor, bujqësor, natyror dhe ujor.
Por, cili është vizioni që parashikon plani i integruar ndërsektorial i zonës ekonomike Tiranë – Durrës? Sipas dokumentit, ajo vlerësohet si një rajon që promovon dhe respekton stilet e shëndetshme të jetesës, aksesit në shërbimet shëndetësore cilësore dhe zhvillimin e komuniteteve të qëndrueshme. “Një nga hapësirat ekonomike më të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor me zhvillim të qenësishëm në punësim, infrastrukturë konkurruese, ku lëvizshmëria dhe aksesi në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar janë të përshtatshme me nevojat e banorëve dhe bizneseve. Një rajon që vlerëson të shkuarën historike dhe kulturore, e cila konkurron metropolet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer Tiranë – Durrës në një ambient tërheqës të talentit vendas dhe ndërkombëtar, të një krahu pune kreativ, i cili përputhet dhe ruan diversitetin ekonomik”.
Nga ana tjetër, sipas hartuesve të këtij plani, “Durana” do të shërbejë edhe si një praktikë e mirë për hartimin e planeve rajonale, duke qenë se Shqipëria nuk ka përvoja të tilla. Kjo është edhe arsyeja që “Durana” do të shërbejë si shembull për hartimin e planeve të tjera rajonale në vend.
Shtyllat ku do të ngrihet “Durana”
Plani ka përcaktuar gjashtë objektiva strategjike kryesore që do të kenë të bëjnë kryesisht me cilësinë urbane, mjedisin dhe transportin.
Përmirësimi i Cilësisë Urbane do të bazohet në realizimin e
projekteve të rigjenerimit, që do të rrisë atraksionin e këtij rajoni edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe do të nxisë industrinë e ndërtimit.
Një tjetër parim do të jetë ai i kthimit të rajonit në një hapësirë e cila mbështet krijimin e cluster-ave, duke u bazuar në parimet ku prodhimi dhe zhvillimi i mëtejshëm kryhen nën paradigmën e një cikli të mbyllur, ku mbetjet e një procesi përdoren si lënda e parë e një procesi tjetër.
Rajoni “Tiranë-Durrës” synon të mbështesë bizneset dhe industritë kreative, të cilat do të lejojnë në kapërcimin teknologjik të këtij rajoni në të ardhmen.
Përmirësimi i infrastrukturës do të lejojë përmirësimin e
ndërlidhjes midis bizneseve dhe furnitorëve të tyre si dhe aksesin e individëve te shërbimet e ofruara nga kjo hapësirë ekonomike.
Ndërsa mbrojtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit natyror do të ketë si prioritet përmirësimin e cilësisë së sigurisë së aksesit me detin Adriatik, përdorimi i teknologjive me zero emetim të dëmshëm.
Në 2030-n…
Nëse zonën Tiranë–Durrës e shikon nga lart, është shumë e lehtë të dallosh kaosin urban, ndërtimet pa kurrfarë lidhjeje. Por, ajo që ekspertët synojnë me hartimin e këtij plani, është zvogëlimi i “gjurmës ekologjike” dhe nxitja e industrisë së ndërtimit që sot është në vështirësi. Deri në vitin 2030, synohet përmirësimi i infrastrukturës dhe integrimi i zonave informale në rreth 80%, do të rigjenerohen me 40% ish-zonat industriale dhe me 50% ato rurale.
Përmirësimi i infrastrukturës do të ndihmonte në rritjen e portit të Durrësit dhe si rrjedhim, edhe në lehtësimin e aksesit në tregjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Për këtë do të mundësohet rigjenerimi i plotë i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe lidhja me aeroportin, do të ulet me rreth 30% përdorimi i makinave, ndërsa do të rritet transporti publik me energji jo të dëmshme. Kjo do të çojë në përmirësimin e mjedisit, ku plani synon reduktimin me 40% të ndotjes në lumenjtë Ishëm dhe Erzen, si dhe përmirësimin e ujit të plazheve të detit Adriatik.
Profili ekonomik
Rajoni përfshin 8.4% të territorit dhe 37% të popullsisë në vend. Është rajoni me dendësinë më të lartë. Krahasuar me mesataren e vendit, dendësia aktuale është 440% dhe sipas projeksioneve demografike, deri në vitin 2031 do të jetë 514.8%, ndërsa dendësia në Tiranë do të jetë 584.2% banorë për km².
Popullsia në rajonin Tiranë – Durrës deri në vitin 2013 përllogaritet të rritet me 211,560 banorë. Kjo rritje do të jetë kryesisht në Tiranë, me rreth 201,000 ose 26.4% më shumë se popullsia aktuale. Në Durrës, rritja do të jetë 3.7% ose 10,000 banorë më shumë. Një tendencë e tillë do të sjellë nevojën për të realizuar plane zhvillimore në harmoni me objektivat deri në vitin 2030.
Ky rajon prodhon 48% të PBB-së dhe përfaqëson rajonin me të ardhura më të larta për frymë, që janë 1.32 herë më të mëdha se mesatarja e vendit, ndërsa Tirana i ka 1.41 herë më të larta
Sipas strukturës së vlerës së shtuar bruto, rreth 72% e jep transporti, rreth 66% e jep turizmi, rreth 65% telekomunikacioni dhe rreth 62% ndërtimi. Kjo strukturë tregon se ka potenciale sidomos në sektorin e IT-së.
Struktura e të punësuarve në këtë rajon tregon një shkallë të lartë të individëve me arsim të lartë rreth 29%, çka nënkupton se ka një përputhje më të mirë midis ofertës dhe kërkesës. Sfida më e madhe mbetet varfëria, e cila është më e ndjeshme në zonën e Durrësit ku treguesit janë përkeqësuar.
Megjithatë ka një tendencë për zhvillim më të madh, duke qenë se ka akses për t’u integruar në korridoret paneuropiane. Në këtë rajon janë përqendruar rreth 80% e ndërmarrjeve me kapital të huaj, e cila mund të shërbejë për thithjen e investimeve të huaja në sektorët më produktivë, në të funksionojnë rreth 65% e kompanive që kanë më shumë se 50 punonjës.
Sfidat
Zona ekonomike Tiranë – Durrës duhet të përballojë një sërë sfidash në mënyrë që të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm territorial, që janë:
-Ekonomia globale dhe konkurrenca rajonale
-Integrimi i hapësirave informale. Rigjenerim urban dhe strehim
-Lëvizshmëria dhe transporti
-Kapërcimi teknologjik dhe infrastruktura dixhitale
-Situata mjedisore dhe menaxhimi i mbetjeve
-Ndryshimi i stilit të jetesës
Parimet mbi të cilat do të zbatohet ky plan
-Koncepti i Zhvillimit të balancuar Policentrik (Sistemi Policentrik i Qendrave Urbane)
-Vendosja e një forme të re zhvillimi Urban-Rural në nivel të Zonave Funksionale Urbane.
-Barazi në aksesin në infrastrukturë, energji dhe shërbime.
-Mbrojtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i kapitalit dhe aseteve natyrore.
-Strukturat ekologjike dhe resurset kulturore si potenciale zhvillimi në rajonet që janë më të vonuar në zhvillim dhe janë të klasifikuar si zona ekologjike dhe kulturalisht sensitive./Monitor/a.m.