Incidentet e fundit që kanë ndodhur në rajonin e Dukagjinit, i pari në fshatin Gorazhdec të Pejës dhe i dyti në Serbobran të Istogut, kanë ngjallur jo pak reagime, si nga politikbërësit në vend, po ashtu edhe nga ata jashtë vendit, sidomos ata nga Serbia, por edhe nga politikanët serbë të Kosovës, të cilët u nxituan që ta cilësojnë këtë rast si rast të motivuar etnikisht.
Por, burime të Koha.net brenda organeve kompetente të rendit, bëjnë me dije se dy rastet e sipërpërmendura, sipas të gjitha gjasave, janë akte të pastra kriminale apo inskenime të qëllimshme.
Sipas burimeve të sigurta brenda organeve të rendit, sulmi në rastin e Gorazhdecit është kryer mbi një shtetas të Kosovës i përkatësisë etnike serbe, i cili, siç bëjnë me dije këto burime për Koha.net, njihet si person i cili në vazhdimësi shoqërohet me bashkëqytetarë shqiptarë dhe boshnjakë.
“Por, i njëjti njihet edhe si person problematik i dhënë pas pijes alkoolike dhe për shoqërim me persona të cilët supozohet të jenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme, aktivitete të cilat mund të kenë qenë shkaktare të incidentit”, ka thënë burimi i Koha.net duke mos dashur të identifikohet me emër.
Ai ka thënë se raporti zyrtar për këto raste pritet të del diku kah fillimi i janarit të vitit të ri, ku edhe do të konfirmohen të dhënat e sipërpërmendura.
Ndërkaq, edhe në rastin e fshatit Serbobran, mësohet se sulmi ka ndodhur mbi një dyqan të këtij fshati, për të cilin burimi në fjalë thotë se ka qenë i njohur si lokacion ku kanë qëndruar persona të dyshimtë dhe se pronarja e dyqanit ka indikacione që ka qenë e përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Andaj, rastet në fjalë, sipas informatave të organeve të rendit, i kanë të gjitha predispozitat e rasteve të pastra me motive kriminale të ndërlidhura me aktivitetet e personave të sulmuar.









