Nga sot, banorët e bllokut të banimit në rrugën “Vëllezërit Manastirli” në kryeqytet kanë një lagje me rrugë, trotuare, lulishte e kënde lojërash për fëmijë krejt të reja. Pas gjashtë muajsh nga nisja e punimeve, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga rruga “Muhamet Gjollesha”, rruga e “Durrësit”, rruga “Vëllezërit Manastirli” dhe nga rruga “Skënderbej” me një sipërfaqe totale prej 3.5 hektarë. Në përurimin e punimeve mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetja e PS, Vasilika Hysi si dhe shumë banorë të zonës të cilët shprehën kënaqësinë për ndryshimin që ka pësuar zona.
Kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi ndryshimin që ka pësuar kjo lagje, ndërsa theksoi se ajo është shembulli më i mirë se kur ka vullnet dhe dëshirë punët bëhen shumë mirë dhe në kohë rekord. “Më parë, blloku i Ambasadave ishte një ishull urban në mes të një xhungle totale, ku edhe ky shesh ku sot lodrojnë fëmijët në sfond ishte i zaptuar dhe shumë prej hapësirave të komunitetit kishin nevojë për çlirim. Sot kemi bere më të mirën e mundshme, duke pasur parasysh se sa është dendësuar lagja, sa janë shtuar banorët, duke parë se si është rritur edhe numri i makinave dhe mjeteve që lëvizin në qytet, ndaj ju them me gjithë zemër, ta gëzoni, ju falenderoj shumë për durimin në këto muaj, por besoj se ia vlejti durimi dhe sot kemi një lagje shumë më cilësore”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se falë këtij investimi prona në këtë lagje ka marrë një tjetër vlerë, ashtu siç ka ndodhur në çdo investim tjetër që Bashkia e Tiranës ka bërë në kryeqytet. “Një nga treguesit kryesorë që në një lagje është investuar mirë është kur fillojnë dhe dalin tabelat e para që prona shitet ose jepet me qira. Në momentin që një lagje është e shkatërruar, asnjë nuk vjen të blejë pronë. Fakti që në një pjesë të madhe të ballkoneve ka nisur të lëvizë tregu imobiliar dhe kanë filluar të dalin tabelat shitet, prona sot ka vlerë, prona sot ka asfalt nuk ka baltë, prona sot ka kanalizime, prona sot është vetëm një rrugicë që të ndan me rrugën kryesore, arterien e Tiranës, prona sot është realisht Blloku i Ambasadave dhe fakti që në shumë ballkone kanë dalë tabela shitet, do të thotë që më në fund edhe ekonomia këtu lëviz kur lëviz prona dhe tregu i imobilarëve”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ai siguroi se transformimi që ka pësuar kjo lagje do të mbërrijë edhe në çdo lagje dhe rrugicë tjetër të Tiranës. “Jam shumë i fokusuar te puna, sigurohem që çdo ditë të ketë një punë konkrete në Tiranë. Dhe puna konkrete për ditën e sotme ishte kjo. Nesër do jetë diku tjetër, në një lagje tjetër dhe dua të inkurajoj gjithë qytetarët që teksa shohin shumë punë po bëhen, i kap pak dhe padurimi, se është vetëm çështje kohe. Po vazhduam me këtë ritëm që çdo ditë mbyllet një punë konkrete në Tiranë, është vetëm çështje kohe se sa të vijmë në secilën lagje”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë u ndal edhe te fondi për komunitetet që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të gjithë atyre banorëve që organizohen dhe kanë nevojë për të bërë rregullime në pallatet e tyre. “Nëse secili pallat ka një administrator, administratori mund të vijë menjëherë që sot, pasi kemi filluar aplikimet për fondin e komuniteteve. Kjo do të thotë që nëse dikush do ta suvatojë, ta lyejë, të vërë panele diellore, të rregullojë një lulishte apo një nevojë tjetër, atëherë menjëherë bashkia i përgjigjet me 50 për qind të shumës atij pallati sipas nevojës dhe dëshirës që ka për të bërë investime. Por për këtë na duhet një bashkëpunim. Ashtu siç jemi në bashki, pra vena kryesore e punëve deri te niveli kapilar që është shkalla dhe hyrja e çdo pallati duhet të kemi një njeri që i rri punës te koka”, tha Veliaj.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se vera që na pret përpara do jetë e ngarkuar me pune infrastrukturore në Tiranë, ndaj dhe për këtë arsye ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të hasin si pasojë. “Muajt e verës janë muajt ideal për të punuar për disa arsye: Së pari, ngaqë njerëzit janë me pushime dhe rrugët janë pak më te lira. Së dyti, meqenëse është ngrohtë dhe nuk ka shi dhe asfalti ngjit më kollaj dhe kushtet janë më optimale. Ndaj dua t’ju kërkoj ndjesë. Ne kemi punuar gjatë gjithë periudhës maj dhe do të vazhdojmë dhe gjatë muajve qershor deri në shtator. Ndaj ka apo s’ka fushatë, ka apo s’ka pushime, Bashkia do i rrijë punës te koka se është momenti ideal”, theksoi Veliaj.
Ai u ka bërë apel qytetarëve që gjatë periudhës së verës të tregohen të kujdesshëm për të mos shpërdoruar ujin, në mënyrë që qyteti të përballojë me sukses stinën e nxehtë edhe sa i përket furnizimit me uji. “E rëndësishme është edhe bashkëpunimi për ujin e pijshëm. Tirana ka pasur rrjet infrastrukturor për ujë për vetëm 180 mijë banorë. Tani jemi bërë mbi 1 milionë. Kjo do të thotë që është shumë e rëndësishme të kursejmë ujin e pijshëm. Është anormale që njerëzit të lajnë tapetet, makinën, të freskojnë rrugën me ujin e pijshëm. Kështu që, ju lutem të sinjalizojmë që kush abuzon me ujin ta përdorë me kursim. Vetëm një kujdes për ujin si një mall që ka vlerë është mënyra më e mirë që ne tejkalojmë verën në kushte optimale sa i përket furnizimit me uji të pijshëm”, shtoi kryetari i bashkisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh gjithashtu se që punët dhe transformimi i Tiranës të vazhdojë është i nevojshëm që qytetarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të votojnë për vazhdimësinë. Vetëm kështu theksoi ai, Bashkia e Tiranës do ketë një partnere të sigurt për vijimin e investimeve në qytet. “Ky është një nga 50 blloqet e banimit që kemi transformuar në të gjithë Tiranën. Në katërvjeçarin e kaluar u bënë vetëm 3 blloqe. 50 kemi bërë në një vit. Mjafton që në datë 25 të mos votojmë PS, kthehemi mbrapsht dhe degjeneron prapë e gjithë Tirana”, tha Veliaj./a.m.