Këshilli Kuvendor i Mandateve dhe Imunitetit po shqyrton prej dy ditësh kërkesën e Prokurorisë e cila kërkon marrjen e një autorizmi për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit Saimir Tahiri, lidhur me hetimin e nisur ndaj grupit të Habilajve.
Por, dosja e paraqitur nga Prokuroria duket se nuk ka bindur mazhorancën për implikimin real të Saimir Tahirit, aktualisht deputet i PS. Prej dy ditësh prokuroria ngulmon se ka krijuar dyshimin e arsyeshëm për implikimin e Tahirit në trafik droge, por duket se provat e vetme që organi i akuzës ka paraqitur janë thjesht informacionet e dala në media.
Edhe në seancat me dyer të mbyllura, nuk u parashtrua asnjë provë që implikonte Tahirin në akuzat e ngritura ndaj tij përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Në këto kushte, duket se mazhoranca po shkon drejt rrëzimit të kërkesës së prokurorisë. Burime të besueshme politike bëjnë me dije për Java News se mazhoranca qeverisëse po shtyhet drejt mospranimit të kërkesës së prokurorisë për arrestim dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit.
Mazhoranca bie dakord për vijimin e hetimit, gjë e cila në bazë të ndryshimeve kushtetuese mund të hetohet, dhe në fakt hetimi ka nisur që në datë 17 Tetor, por kërkesa për arrestimin e Tahirit vlerësohet e pa bazuar në prova./a.m.