Nga Joleza Koka
Nuk ka nevojë të “vjedhësh” një pjesë të tekstit të Gladwell, pasi aftësia e tij për të të mbajtur peng para letrës është aq e forte sa për ta dashuruar autorin. Megjithatë ndonjëherë disa pjesë na bëjnë përshtypje më shumë se të tjerat, sepse duket sikur na flasin ne, ose kohës të cilën po jetojmë. Mua më ka rënë rasti në këto kohë jo të gjatë të jetës time, për arsye ndonjëherë të rastësishme dhe ndonjëherë të qëllimshme, të jem pjesë e organizimeve të mëdha si Partitë Politike, fushatat civile etj, por mbi të gjitha të jem në kontakt të vazhdueshëm me të rinjtë, (duke qenë dhe vetë pjesë e kësaj kategorie). Kjo pjesë e Gladwell më goditit në vecanti në librin e tij “Davidi dhe Goliath” sepse mu duk sikur pashë “mundësitë e humbura” të shumë të rinjve (ndonjëherë përfshirë dhe veten) që kam parë gjatë gjithë kësaj kohe të aktivizmit politik.
Në epokën e world wide web, është e lehtë të ndjehesh individ kur në fakt je turmë, është e thjeshtë të mendosh që je unik kur në fakt sillesh në mënyrë uniforme. Problemi që kam parë dhe që po mundohem ta ilustroj duke vjedhur fjalët e Gladwell është pikërisht si rrugët e parrahura janë ato që jo vetëm garantojnë një sukses autentik, por mbi të gjitha që zhvillojnë atë që quajmë progres shoqëror, në Parti, Sport, Shkollë apo kudo të rinjtë identifikojnë modele suksesi “liderin ekcentrik, burrin babaxhan fjalë pak e të pushtetshëm, biznesmenin arrogant apo dhe gruan apo vajzën që duhet të bëjë dyfishin e sakrificave për të qenë “pjesë e lojës”. Eshtë pikërisht kjo “lojë” që ka neveritur këdo dhe që kushdo e imiton në menyren ekzakte sic e kanë bërë brezat e kaluar.
Impresionistët vendosën që të “krijojnë botën e tyre” dhe jo të kopjojnë suksesin e një bote të shkuar, për këtë arsye të gjithë “bashkëkohësit e tyre të suksesshëm ” nuk i njeh sot askush me emër ndërkohë impresionistët janë të ekspozuar në të gjithë muzetë e rëndësishëm të artit në të gjithë botën. Ndonjëherë kur dukemi më të pafuqishëm, më jashtë “sistemit” e më të përbuzur, jemi po ashtu dhe më të fortë e më kreativë, ”përjashtimi” që na bëhet ne të rinjve nga jeta e përditshme ose sic e thoshte Sennet një shekull më parë “brezi që i mungon narrativa e adulthood, është mbase vendi ku qëndron mundësia, për të ndryshuar realisht gjërat në vend. Impresionistët janë një shembull për këtë. Na duhet një narrativë origjinale, për të treguar ne historitë tona e jo të degjojmë nga një “gjeneratë e kaluar” se cfarë do të jetë “gjenerata e re”.
Para 150 vitesh, kur Parisi ishte në qendër të botës së artit, një grup piktorësh mblidheshin darkave në Café Guerbois, në lagjen Batignolles. Lider i grupit ishte Edouard Manet. Ai ishte një nga të parët aty: një burrë i pashëm rreth të tridhjetave, veshur në kulmin e modës, magjepës për të gjithë njerëzit përreth me energjinë dhe humorin që përçonte. Miku më i mirë i Manet ishte Edgar Degas. Ai ishte ndër të paktit po aq të lajthitur sa Manet. Duke qënë të dy të mbrujtur me temperament të zjarrtë dhe gjuhë të mprehtë, shpesh përfundonin në debate të hidhura.
Paul Cezanne, një burrë i gjatë dhe i ashpër me pantallona të lidhura me ushkur, shkonte dhe ulej i vetëm në një cep.
“Nuk po ta jap dorën,” – i tha Cezanne Manetit duke u ngatërruar me këmbët e veta. “Nuk jam larë prej tetë ditësh.” Claude Monet, djalë i një shitësi, ishte një njeri me vullnet të fortë por i mungonte edukimi i disa të tjerëve. Shoku i tij i ngushtë ishte Pierre-Auguste Renoir, ‘’një iriq i butë’’ i cili gjatë viteve të miqësisë së tyre do të pikturonte njëmbëdhjetë portrete të Monet. Busulla morale e grupit ishte Camille Pissarro: politikisht i ashpër, besnik dhe parimor. Madje dhe Cezanne – njeriu më i zakonshëm dhe i alienuar nga të tjerët- e donte Pissarron. Vite më vonë, ai do ta identifikonte veten si ‘’Cezanne, nxënësi i Pissarro’’.
Ky grup mbreslënës piktorësh do të shpiknin artin modern dhe levizjen që njihet si Impresionizëm. Ata pikturuan njëri-tjetrin, pikturuan në krahë të njëri-tjetrit dhe e mbështetën njëri-tjetrin emocionalisht e financiarisht. Sot, siç dihet, pikturat e tyre janë të varura në të gjithë muzetë kryesor të artit në botë. Por në 1860 ata ishin duke u stërmunduar. Monet ishte trokë. Një herë Renoirit iu desh t’i sillte bukë që të mos vuante nga uria. Jo se Renoir ishte më mirë për vete. Atij s’i mjaftonin paratë as për të blerë pulla poste për letrat e tij. Nuk kishte praktikisht asnjë tregtar shitjesh të interesuar për pikturat e tyre. Kur kritikët e artit përmendnin Impresionistët (dhe ekzistonte një ushtri e vogël kritikësh arti në Parisin e 1860-ës) zakonisht prireshin t’i nënvleftësonin. Manet dhe miqtë e tij uleshin në kafenenë me panele druri Café Guerbois, në tavolinat me suprinë mermeri, në disa karrige metali fare pak serioze. Aty hanin, pinin e diskutonin për politikë, letërsi, art e më specifikisht për karrierrat e tyre – sepse të gjithë Impresionistët luftonin me një pyetje thelbësore: Si do ia bënin me ‘Sallonin e Ekspozimit’?
Arti luante një rol të pamasë në jetën kulturore të Francës së shekullit XIX. Piktura rregullohej nga një departament shtetëror që quhet ‘Ministria e Shtëpisë Mbretërore dhe Arteve të bukura’. Piktura konsiderohej profesion, njësoj siç ne quajmë sot profesion mjekësinë apo drejtësinë. Një piktor premtues do të duhej të fillonte studimet në ‘École Nationale Supérieure des Beaux-Arts’ në Paris, ku do të merrte një edukim të rreptë dhe formal, duke avancuar nga kopjimi i pikturave të të tjetrëve tek vizatimi i modeleve reale. Në çdo etapë të edukimit të tij do të kishte një konkurs. Ata që kishin performacë të dobët flakeshin tutje. Ata që dilnin mirë fitonin çmime dhe aksese prestigjoze, ndërkohë që zeniti i profesionit ishte ‘Salloni i Ekspozimit’: vendi i ekspozimit të artit më i rëndësishmi në Europë.
Çdo vit secili piktor në Francë ia dorëzonte dy ose tre telajot e tij më të mira një jurie ekspertësh. Afati i fundit ishte 1 Prilli. Artistë nga e gjithë bota shtynin karrocat e dorës të tejmbushura me talajo, nëpër rrugët me kalldrëme të Parisit, duke sjellë punët e tyre në “Palais de l’Industrie”, një sallë ekspozimi e ndërtuar enkas për panairin botëror të Parisit midis Champs-Élysées dhe Seine. Gjatë javëve në vijim juria votonte çdo pikturë një më një. Ata që konsideroheshin si të papranueshëm do stampoheshin me të kuqe me shkronjën ‘R’ për refuzuar. Ata që pranoheshin do të vareshin në muret e Palais, dhe përgjatë gjashtë javëve duke filluar nga fillimi i Majit, pothuajse një milion njerëz do të dyndeshin në ekspozitë, duke u ngjeshur për të kapur një vend përballë punimeve të artistëve më të mirënjohur apo për t’u tallur me punët që nuk iu pëlqenin. Pikturave më të mira iu jepeshin medalje. Fituesit përgëzoheshin ndërkohë që shikonin edhe vlerën e pikturave të tyre të ngrihej në qiell. Humbësit ktheheshin çalë-çalë në shtëpitë e tyre për t’iu rikthyer punës edhe një herë nga fillimi.
“Në Paris nuk gjen as 15 dashamirës arti në gjendje që të pëlqejnë piktura të pa aprovuara nga ‘Salloni i Ekspozitës’ ‘’ – ka thënë një herë Renoir. “Ndërkohë janë 80,000 që nuk do të blinin as edhe një hundë të pikturuar nga një piktor që nuk ka ekspozuar tek ‘Salloni i Ekspozimit’ ”. Salloni i fuste aq shumë ankthin Renoirit saqë një vit shkoi tek Palais dhe qëndronte duke pritur tek dera ndërkohë që juria bënte shqyrtimet, me shpresë për të marrë vesh nëse ishte aprovuar apo jo. E pastaj ngaqë i erdhi turp, e prezantoi veten si “një shok i Renoirit”. Një nga frekuentuesit e rregullt të Guerbois, Frédéric Bazille, një herë rrëfeu: “Kam patur një frikë të tmerrshme që mund të refuzohesha”. Kur artisti Jules Holtzapffel nuk u pranua në Sallon në 1866-ën, e qëlloi vetën për vdekje në kokë. “Antarët e jurisë më refuzuan. Rrjedhimisht unë nuk kam talent dhe duhet të vdes.” shkruhej në letrën e tij të fundit. Për një piktor në shekullin e XIX-të në Francë, Salloni ishte gjithçka. Arsyeja përse Salloni ishte një çështje kaq e rëndësishme për grupin e Impresionistëve ishte se juria e Sallonit i refuzonte ata vazhdimisht.
Qëndrimi i Sallonit ishte tradicional: “Punimet priteshin që të ishin të sakta deri në detaj, të mbaruara ashtu siç duhet dhe të kornizuara formalisht, me perspektivën e duhur e të gjithë konvesionet artistike me të cilat syri publik ishte mësuar”, – shkruan historiani i artit Sue Roe. “Drita transmetonte shumë dramë, errësira sugjeronte peshë. Me pak fjalë, piktura jo vetëm që duhet të ishte ‘e saktë’ por duhet të ishte dhe moralisht e pranueshme. Një pasdite në Sallon ishte si një natë në Operan e Parisit. Audienca priste të lartësohej e të argëtohej. Në shumicën e rasteve, ata e dinin se çfarë ju pëlqente dhe prisnin të shikonin atë që njihnin. “Lloji i pikturave që fituan medalje,” thotë Roe, “ishin gjigande, telajo të pikturuara me përpikmëri të cilat tregonin skena nga historia dhe mitologjia franceze, me kuaj e me ushtri ose gra të bukura me tituj si ‘Nisja e Ushtarëve’, ‘Grua e re duke vajtuar mbi një letër’, ‘Pafajsi e braktisur’”.
Impresionistët kishin një ide komplet të ndryshme rreth asaj që përbënte art. Ata pikturonin përditshmërinë. Shenjat e furçave të tyre në telajo ishin të dukshme. Figurat e tyre ishin të paqarta. Për jurinë e Sallonit dhe për turmat që derdheshin në Palais, puna e tyre dukej amatore, madje shokuese. Në 1865 Salloni, për habi të të gjithëve pranoi nje pikturë nga Manet, ku shfaqej një prostitute, që quhej Olympia; pikturë që çakordoi gjithë Parisin. U detyruan të vendosnin roje rreth pikturës për të ruajtur distancën nga turmat e vizitorëve. “Dominonte një atmosferë histerie e madje edhe frike” – shkruante historian Ross King. “Disa spektatorë shembeshin në ‘histeri të qeshurash të cmendura’ ndërkohë që të tjerë, kryesisht gra, e largonin vështrimin me frikë.” Në 1968, piktura të Renoir, Bazille dhe Monet arritën të pranoheshin nga Salloni. Por në mes të gjashtë-javëshit të ekspozimit, punët e tyre u hoqën nga hapësira kryesore e ekspozimit, për t’i degdisur tek dépotoir- një dhomë e errët pas ndërtesës, ku dërgonin pikturat që zhvendoseshin. Ishte po aq keq sa edhe sikur të mos ishin pranuar fare.
Salloni ishte spektaktli i artit më i rëndësishëm në botë. Të gjithë në kafenenë Café Guerbois binin dakort për këtë. Pranimi nga Salloni vinte me një kosto; duhet të krijonin një lloj arti që atyre u dukej pa kuptim dhe rrezikonin të humbisnin në rrëmujë midis punëve të artistëve të tjerë. A ia vlente? Çdo natë, Impresionistët diskutonin nëse duhet të vazhdonin të trokisnin në derën e Sallonit apo t’ia mbathnin në hesapin e tyre dhe të ndërtonin një skenë vetëm për vete. A donin ata të ishin Peshq të Vegjël në Liqenin e Madh të Sallonit apo Peshq të Mëdhenj në Liqenin e tyre të Vogël që mund ta zgjidhnin vetë?
Në fund, Imerialistët bënë zgjedhjen e duhur, që është dhe një prej arsyeve pse sot pikturat e tyre varen në çdo muze kryesor arti në botë. Ata mund të pikturonin cfarë të donin. Dhe nuk do të humbisnin brenda turmës sepse (tek ekspozita e tyre) nuk do të kishte një turmë.
Në 1873, Pissarro dhe Monet propozuan që Impresionistët të ngrinin një kolektiv që do të quhej ‘Société Anonyme Coopérative des Artistes Peintres, Sclupteurs, Graveurs’. Nuk do të kishte konkurse, as juri dhe as medalje. Çdo artist do të trajtohet si i barabartë. Në shfaqjen e tyre, Impresionistët mund të ekspozonin sa telajo të donin dhe t’i varnin ato në mënyrë që njerëzit të kishin realisht mundësi t’i shikonin. “Impresionistët humbisnin brenda masivitetit të Sallonit edhe kur arrinin të pranoheshin.”-shkruajnë historianët e artit Harrison White and Cynthia White. “Me… shfaqjen e pavarur ata mund të tërhiqnin vemëndjen e publikut.” Në grupin e tyre të vogël ata kishin gjithë mbështetjen që vinte nga komuniteti dhe miqësitë – dhe krijuan një vend ku inovacioni dhe individualiteti nuk sulmohej, përkundrazi. “Ne kemi filluar ta bëjmë veten ‘Niche’ “, – i shkruante gjithë shpresë një shoku Pissarro. “Ne ia arritëm që edhe duke i bezdistur të ndërhynim për të ngritur këtë flamurin tonë të vogël në mes të turmës”.
Sfida e tyre ishte ‘të avanconin pa e vrarë mëndjen për mendimin e të tjerëve’.
Ata patën të drejtë. Krejt të vetëm Impresionistët themeluan një identitet të ri. Ata ndjenë një liri të re në kreativitet, e nuk kaloi shumë derisa bota e jashtme filloi të ulej dhe të mbante shënime.
Në historinë e artit modern nuk ka patur kurrë nje ekspozitë më të rëndësishme apo më të famshme.
Leksionet që na japin Impresionistët është që ka momente ku disavantazhi i dukshëm i të mos qenit pjesë e diçkaje, në një botë të marxhinalizuar na rezulton të mos jetë aspak një disavantazh.
Pikërisht kjo lloj dileme na parashtrohet vazhdimisht, e jo gjithmonë bëjmë zgjedhjet e duhura. Ka shumë teori që na kujtojnë se ekziston një pikë ku paratë rreshtin së na i përmirësuari jetën dhe fillojnë të na e bëjnë atë më keq. Historia e Imperialistëve na sugjeron paralelisht një problem tjetër. Ne përpiqemi për më të mirën dhe bëhemi copash që të mund të hyjmë në institucionet më të mira. Por shumë rrallë ndalojmë për të reflektuar – ashtu si bënë Impresionistët- nëse institucionet më prestigjoze janë gjithmonë në interesin tonë më të mirë. Ka shumë shembuj rreth kësaj, për të na qartësuar mënyrën se si zgjedhim universitetet, vendet e punës apo partitë.
Arnoldi ta ka shkruar edhe ket?