Në të njëjtën minutë, të sinkronizuar, selitë e PS dhe PD shpërndanë marrëveshjen politike të 18 maj 2017, me propozimin e PD dhe të pranuar nga PS.
Edi Rama dhe Lulzim Basha pas takimit për më shumë se 5 orë zgjodhën të mos flasin për mediat, por marrëveshjen e kanë hartuar qartë. Ajo nis me një falenderim dhe mirënjohje për SHBA dhe BE për kontributin e tyre për zgjidhjen e situatës politike për zgjedhjet e vitit 2017.
Palët konfirmojnë vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës.
Burimet thonë se kjo do të thotë takim periodik i Edi Rames me Lulzim Bashën. Angazhimi i palëve për zgjedhje me standarde demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe perparimit të vendit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Marrëveshja nis me zgjedhjet, ku partitë i sugjerojnë Presidentit të Republikës që të dekretojë datën e re të zgjedhjeve, më 25 qershor. Do të nisë regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës dhe regjistrimi i listave shumëemërore të partive të opozitës brenda datës 26 maj 2017.
Sipas marrëveshjes zgjedhjet e pjesshme në Kavajë do të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme, pra me 25 qershor dhe do të pezullohet çdo iniciativë për kontrata të përkohshme në nivel qëndror dhe vendor.
Pika e dytë e marrëveshjes së dakordësuar mes palëve është qeveria, ku bie në sy fakti se kryetari i LSI-së, Petrit Vasili del jashtë kabinetit. PD do të marrë zv.kryeministrin dhe 6 ministri kyçe, Ministrinë e Brendshme, Arsimin, Shëndetësinë, Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Financat dhe Drejtësisë. Emrat do të miratohen nga Partia Socialiste. Opozita do të propozojë edhe kandidaturat për 5 drejtori, OSHEE, ALUIZNI, Hipotekat, Burgjet dhe Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor e Rural.
Rama dhe Basha janë dakordësuar që të votojnë në një seancë të jashtëzakonshme në parlament organet e vettingut, të votojnë dekretet e anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave, të ndryshojnë Kodin Penal përmes ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale dhe kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Të forcohet kuadri ligjor për financimin e partive dhe votimi i anëtarëve të Këshillit të Ministrave, anëtarëve të organeve të vettingut dhe i legjislacionit të parashikuar në këtë marrëveshje do të kryhet në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme të parlamentit. Opozita do të propozojë, sipas marrëveshjes, kreun e ri të KQZ dhe Avokatin e Popullit.
Por pjesa e tretë e marrëveshjes është edhe më interesante. Bëhet fjalë për ato që quhen reformat kyçe që do të votohen me fillimin e punës së legjislaturës së re. Mes tyre reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, ndërsa futja e teknologjive elektronike për votim dhe numërim mbetet për zgjedhjet pasuese.
Dekriminalizimi mbetet sërish një pikë kyçe e marrëveshjes politike, ku palët angazhohen për largimin e personave me rekorde kriminale, duke e nisur nga vetë listat partiake. Opozita do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Task Forcën Kombëtare të Luftës kundër narkotikëve për të forcuar luftën kundër këtij fenomeni. /TCH/