Edhe pse Guvernatorin Sejko e detyruan të dilte në një prononcim selektiv për një media pro qeverisë gjatë fundjavës, për të qetësuar qytetarët shqiptarë se kriza e Greqisë nuk ka impakt të drejtëpërdrejtë në Shqipëri, mesazhi i përcjellë prej tij duket nuk ka mjaftuar.
Në orët e para të mëngjesit të së hënës, bankat greke në Shqipëri janë mbushur me klientë që befas kishin vendosur të blinin apo rregullonin shtëpi dhe u duhet të tërhiqnin kursimet e tyre. Edhe pse duket qartë që arsyet e dhënë janë të pavërteta bankat kanë mundësuar sot kthimet e depozitave. Por nëse kjo epidemi paniku vazhdon për disa ditë atëherë edhe banka më e shëndetshme dhe e fuqishme gjermane do të rrezikonte falimentimin.
Paniku i krijuar nga frika e falimentimit të shtetit grek tek qytetarët shqiptarë është i pajustifikuar dhe institucionet shtetërore apo edhe shoqatat e bankave duhet të bëhen më agresive për t’ua shpjeguar klientëve këtë fakt. Likuiditeti sipas Bankës së Shqipërisë i bankave që kanë origjinë greke por funksionojnë si banka të pavarura në vendin tonë është i mjaftueshëm, madje në disa raste edhe i papërdorur për shkak të speficikave të tregut që nuk kanë kurrëfarë lidhje me krizën greke.
Shqipëria dhe tregu me deformime serioze informaliteti nuk arriti të përfitonte nga vala e parë e emigrantëve të kthyer në atdhe në 2008 e në vazhdim. Edhe ata të dëshpëruar që humbën pagesat sociale dhe u kthyen me pak kursime për ti investuar në Shqipëri, në shumicën e rasteve janë rikthyer në Greqi duke i mbyllur edhe bukëpjekëset apo dyqanet e suflaqeve që mbinë si kërpudha.
Mjedisi që gjetën në Shqipëri ishte jo mikpritës sidomos për fëmijët e lindur në tokën helene, që nuk arritën të ambjentoheshin as me shqipen në klasat e improvizuara nëpër shkolla dhe as me mentalitetin agresiv të bashkëmoshatarëve të mësuar të luajnë në beton në vend të gjelbërimit.
Ndërkohë që të gjithë alarmohen për fatin e Greqisë ka edhe një lajm që qarkullon më shumë si kërcënim sesa si vizitë normale dy palëshe. Ardhja e Ministrit të Jashtëm të Athinës në Tiranë po paraqitet nga mediat greke si një listë kushtesh për Shqipërinë dhe marrëvëshjet e lëna pezull. Kjo po, është një klimë e papranueshme aq më tepër nga një vend që po kthehet në simbol të dështimit me detyrimet ndaj bashkimit Europian dhe menaxhimin e fateve të tij.
Vetëm me një fqinj si ne, grekët duket se gjejnë kurajon të bëjnë të “fortët”, pasi në fakt shteti shqiptar në këto vite ka treguar ndaj palës greke gjithcka, edhe dredhi, por ka dështuar të prodhojë reciprocitet në marrëdhëniet dypalëshe dhe dinjtet në nëgociata. Koha për të provuar të kundërtën, ka ardhur dhe ikur me kohë. Të shohim!









