Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi i kërkoi Lulzim Bashës që të shkojë më tej, kur bën denoncime për oligarkët. Duke iu referuar deklaratave të krydemokratit në Kuvend pak ditë më parë, për Samir Manen dhe Shefqet Kastratin, Klosi tha në emisionin “Breaking” në Top News, se Basha duhet të guxojë të shkojë më tej.
“Nuk e di nëse po vendos gjoba. Nëse bëhen akuza, siç është rasti i oligarkëve, kur thuhen gjëra të tilla, duhet të thuhet edhe më shumë. Ka kohë që flitet në Shqipëri, oligarkët, oligarkët.
Ata që bëjnë akuza të tilla, le të guxojnë të shkojnë edhe më tej. Çfarë kanë përfituar, sa kanë përfituar. Duhet një frymë më racionale në parlament. Opozita duhet të jetë më serioze në akuzat e saj”, tha Klosi.
Ish-kreu i SHISH foli edhe për heshtjen e presidentit Ilir Meta. Sipas tij, kreu i shtetit nuk ka se për çfarë të flasë më dhe se ndodhet në një pozitë të vështirë, për shkak se është shkarkuar nga Parlamenti.
“Ai i bëri të vetat. Kur ishin zgjedhjet, emërimet në drejtësi. Tani nuk ka se çfarë të bëjë. Qeverinë e dekretoi. Nuk ka se çfarë bën më. Për mua dha një shfaqje të paarsyeshme në zgjedhje.
Ndodhet në një pozitë të vështirë, Parlamenti e ka shkarkuar, pritet vendimi i Kushtetueses. Është një president që nuk është në pozitë normale. Edhe Kushtetuesja po vonohet. Fakti që po vonohet tregon se Kushtetuesja nuk është shumë e qartë se kush ka të drejtë”, tha Klosi.
g.kosovari