Kryeministri Edi Rama sulmoi ashpër opozitën dhe presidentin Ilir Meta, teksa foli nga Vlora për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Rama deklaroi se ata po ëndërrojnë katastrofën për të ardhur në pushtet, ndërsa shtoi se gjatë qeverisjes së tij Shqipëria ka pësuar një transformim të spitaleve dhe shërbimit shëndetësor, duke bërë të mundur që të përballojë këtë sfidë me dinjitet.
Mes të tjerash, Rama iu përgjigj dhe Presidentit Ilir Meta, i cili tha se vlerëson me 10 qëndrimin e opozitës për pandeminë, duke thënë se kjo është e pritshme, pasi vetë ai ëndërron luftë me qeverinë.
“Natyrisht është e kuptueshme, i vë notën 10 kësaj opozite, sepse për vete shkon edhe më larg, ëndërron luftë, jo me Covidin, por me qeverinë, jo me armikun e padukshëm, por me shumicën që e ka kthyer në shënjestër, ëndërron të bëhet Vojo Kushi, mbi tankun imagjinar të një regjimi që në fakt është shtypës për Ilir Metën, sepse shtyp ëndrrën e tij për të vazhduar të sjellë vërdallë gjithë politikën shqiptare dhe Shqipërinë duke u hequr si i treti i vërteti gjithmonë, për t’iu ngjitur njërit nga dy të mëdhenjtë, për t’i lënë komplet përgjegjësinë dhe për të vazhduar të vjelë lopët, apo institucionet e kthyera në lopë, për qumështin e ndërmarrjes së Monikës”, tha Rama.
Sot flasin për spitalet padenjësisht. E vërteta sot është që Shqipëria falë këtij transformimi të spitaleve, të shërbimit dhe falë kësaj qeverie, dhe së pari falë ministres sonë të Shëndetësisë, po e përballon këtë sfidë plotësisht me dinjitet dhe Shqipërisë nuk po i ndodh asgjë që nuk i ndodh Amerikës, Italisë, Gjermanisë, rajonit e me radhë. Është shumë e dhimbshme, por është shumë e vërtetë, që sot në këtë situatë në Shqipëri shoqëria jonë më shumë se problemin e mundësive për të përballuar këtë sfidë vuan pamundësinë e një pakice për të gjetur arsye dhe forcë, që t’i bashkohen shumicës në këtë sfidë. Një opozitë, e cila shpresën e fundit për t’u rikthyer në pushtet e ka varur te armiku i padukshëm. Një opozitë, e cila fatkeqësisht ëndërron katastrofën, atë që thotë përditë, duke e shitur sikur të ishte realiteti, por në fakt është ëndrra aspak e fshehtë e saj, qameti, kolapsi i sistemit tonë shëndetësor. Ëndërron që vërtet të mos ketë më shtretër për të sëmurët, që të dergjen dyshemeve, që Shqipëria ta humbasë këtë sfidë dhe ata të mund të përfitojnë atë pushtet përsëri, të cilin e kanë pasur dy herë dhe të dyja herët kanë treguar se dinë ta përdorin vetëm për vete.
Si mundet një opozitë e tillë, një parti e tillë, në radhë të parë PD, t’i mbetet në majë të gjuhës propaganda e katastrofës, dhe të katandiset ky vend me një president që del atje sikur po del në oborrin e një klubi në një ndërtim pa leje, në një periferi të humbur, i dehur plotësisht, dhe të thotë se i vë notën 10 kësaj opozite. Natyrisht është e kuptueshme, i vë notën 10 kësaj opozite, sepse për vete shkon edhe më larg, ëndërron luftë, jo me Covidin, por me qeverinë, jo me armikun e padukshëm, por me shumicën që e ka kthyer në shënjestër, ëndërron të bëhet Vojo Kushi, mbi tankun imagjinar të një regjimi që në fakt është shtypës për Ilir Metën, sepse shtyp ëndrrën e tij për të vazhduar të sjellë vërdallë gjithë politikën shqiptare dhe Shqipërinë duke u hequr si i treti i vërteti gjithmonë, për t’u ngjitur njërit nga dy të mëdhenjtë, për t’i lënë komplet përgjegjësinë dhe për të vazhduar të vjelë lopët, apo institucionet e kthyera në lopë, për qumështin e ndërmarrjes së Monikës. Ky është realiteti i një opozite, që në fatin më të keq, në vend të alternativës, ka zgjedhur aleancën me Covidin.