Nga Ilir Beqaj*
Kohët e fundit vihen re disa dukuri të reja, disi të panatyrshme, që venë në pikëpyetje mënyrën konvencionale se si janë zhvilluar shoqëritë demokratike, të paktën në shekullin e 20-të. Këto dukuri po pasqyrohen edhe në Shqipëri. Edhe lëvizja, kryesisht spontane, e studentëve në fillim të dhjtorit 2018 është ilustrim i këtyre dukurive të reja.
Vihet re një rritje e ndjeshme të zilisë. Ose nëse zilia ka qënë e ndrydhur, tani është shumë më evidente. Zili ndaj dijes, zili ndaj pasurisë, zili ndaj suksesit të tjetrit. Pse po ndodh kjo?
Për mendimin tim është efekt i botës digjitale ku po jetojmë. Bota digjitale shembi shumë barriera që pengonin qasjen në informacion. Deri para 20 apo më shumë vitesh edhe informacioni vlerësohej se duhet të disponohej vetëm nga elitat, pasi ishin këto të fundit që garantonin bashkëjetësën e harmonizuar të pakteve shkruara (në programet politike të partive) dhe të të pashkruara mbi të cilat shoqëritë funksiononin. Pajisjet digjitale që sot i disponon shumica dërrmuese e shoqërisë, përveç të tjerash, mundësojnë me shumë lehtësi përmbushjen e këtyre gjërave thelbësore:
Komunikimin në çast me këdo në çdo cep të botës
Shprehjen e ideve vetjake përpara një bote të paanë
Paraqitjen e objekteve që për të cilat cdokush mendon se jep mendimin vetjak për bukurinë, përsosmërinë, etj
Qasjen e lehtë në të gjitha informacionet e botës
Këto veprime deri disa vite më parë mund t’i bënin vetëm elitat. Madje ishin këto që formonin identitetin e elitave. Tani mund t’i bëjë kushdo.
Kjo ka sjellë një grimcëzim të pushtetit dhe perceptimin se këto grimca janë të shpërndara tek të gjithë. Këtu e ka gjenezën edhe kontradita e madhe. Nga njëra anë, shumica dërmuese e njerëzve ndjehet se është (apo i takon të jetë) pjesë e pushtetit, nga ana tjetër ndjen se kur vjen puna te pasuria, tek mënyra sesi ajo krijohet dhe sidomos sesi shpërndahet konstatohet, me keqardhje deri në maraz, se nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim. Madje përballja me hendekun e pabarazisë ndeshet në çdo çast të jetës së përditshme. Mesa duket njerëzit më shumë se a jetojnë vetë më mirë krahasuar me disa vite më parë, merakun më të madh e kanë në pamundësinë për të arritur më të mirën. Bota digjitale ua ka afruar perceptimin e më të mirës, por dhe po i ndërgjegjëson se se ajo është përherë e më larg.
Është mungesa e aksesit të drejtpërdrejtë në krijimin dhe, sidomos në rishpërndarjen e pasurisë, që rrit krizën identitare të masave të gjera dhe që, mesa duket, po ngjall zilinë për pasurinë, dijen (meqë edhe kjo gjithmonë e më tepër po prodhon pasuri), për suksesin e tjetrit (meqë edhe ky prodhon dhe shumëfishon pasurinë).
Të rinjtë shqiptarë masivisht mendojnë të shkojnë në vendet e Europës Perendimore, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre në Angli, Gjermani, Itali, Francë, Spanjë etj. janë në përballje të hapura, herë herë edhe të dhunshme, me elitat e vendeve përkatëse.
Një ilustrim evident i zilisë ndaj dijes, sipas meje, është edhe lëvizja Anti-Vax që po përhapet gjithnjë e më tepër nëpër botë. Duke kundërshtuar vaksinat ka një përpjekje për të kundërshtuar dijen që qëndron prapa vaksinave. Madje më shumë se kundër dijes që mishërohet tek vaksinat, lëvizja është më shumë kundër dijetarëve nëpërmjet të cilëveve dijet përphapen. Dhe vendin e elitës së dijetarëve dhe mendimtarëve po e zëvendësojnë CR7 apo Lady Gaga. Këto janë pseudo elita që formohen nga ata që janë më të klikuarit apo më të ndjekurit në rrjetet sociale.
Përdorimi masiv i botës digjitale, kryesisht rrjeteve sociale, nga ana njëra anë po sjell lindjen e këtyre pseudo elitave dhe nga ana tjetër po shton hendekun në rishpërndarjen e pabarabartë të pasurisë që krijohet. Sa më shumë përdoren rrjetet sociale aq më shumë pasurohen zotëruesit e platformave digjitale. Sa më shukë shkarkohet nga YouTube një video për një rofeshatë të CR7 apo për një këngë të Lady Gaga aq më shumë pasurohet Alphabet Inc. Dhe kjo është një nga format e shfaqjes së pabarazisë në krijimin dhe për rrjedhojë në shpërndarjen e pasurisë.
Mesa duket, aksesi i garantuar pa pagesë në shërbime publike cilësore sa më pranë vendbanimit, kënaq më, nuk “ngop” më pritshmëritë e shumicës dërmuese të njerëzve.
Prandaj lypet një rithemelim i doktrinës/ave të rishpërndarjes. Doktrina, deri tani konvencionale e shekullit të 20-të, e rishpërndarjes së pasurisë duket jashtë realitetit.
Më tej, ka një prirje për të bërë qeverinë përgjegjëse për çdo gjë. Kjo po çon edhe në bindjen se çdo gjë duhet ta zgjidhë qeveria. Pse ndodh kjo?
Sepse vetë qeveria, falë botës digjitale, është shumë më tepër prezente në jetën e përditshme. Nëse para 20 vitesh qeveria ishte prezente me gazetat e përditshme në mëngjes dhe edicionet e lajmeve televizive në mbrëmje, sot është prezente në çdo çast, 24 orë në 7 ditë të javës. Qeveria përpiqet të agresojë mendjen e njerëzve (zgjedhësve) në mënyrë konstante për të përhapur idetë dhe programet e saj si dhe për të reduktuar efektin negativ të fake news. Por nuk po arrin të kuptojë se kështu po krijon tek njerëzit pritshmëri shumë të mëdha për çdo vështirësi apo pengesë që ata hasin në jetën e përditshme.
Kështu pra, pas gati 30 vitesh kapitalizëm, në shoqërinë shqiptare, sidomos tek të rinjtë, po nguliten bindje për gjëra krejt të kundërta me aspiratat e fillimit të ndryshimeve politike të vitit 1991.
Zili për dijen, zili për pasurinë, zili për suksesin e tjetrit. Dhe për mospërmbushjen e aspiratave përgjegjësia është e qeverisë.
Prandaj politika lypet të rishpiket. Jo për t’iu kundërvënë këtyre dukurive. Por për t’u përshtatur, për t’u ridimensionuar, për të udhëhequr, për të garantuar që në këtë përballje të re të mos ketë humbës.
Partia Socialiste, si grupimi politik dhe intelektual më influencues në Shqipërinë e 30 viteve të fundit nuk mund t’i shmanget kësaj sfide. Madje duhet të vihet në ballë të saj. Jam i bindur se do t’i bëjë mirë asaj vetë, por sidmos Shqipërisë. Duke mos ngurruar të dëgjojë këdo dhe qënë e gatshme të pranojë brenda saj ata që i bashkohen përballjes së kësaj sfide. Edi Rama afirmoi dje (21 janar 2019 në seancën çelëse të sesionit të katër të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë) se “Partia Socialiste është në dispozicion të atyre që duan të kontribojnë për këtë vend”. Dhe stacioni më i afërt është kongresi i rradhës në i PS-së që do të mbahet në 23 mars 2019.
*Posaçërisht për JavaNews.al