Nga Ilir Beqaj/
Numri i vizitorëve të huaj në vitin 2017 për herë të parë kaloi 5 milionë vetë. Sipas të dhënave zyrtare rezulton se Shqipërinë e vizituan në vitin 2017 rreth 5,1 milionë vetë. Profili i vizitorëve vijon të mbetet përgjithsisht i njëjtë:
40 % e vizitorëve vijnë në muajt korrik e gusht.
71 % e vizitorëve vijnë nga vendet fqinjë Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, Greqi e Itali.
81 % e vizitorëve zgjedhin të vijnë në rrugë tokësore.
Në krahasim me vitin 2013 janë 1,86 milionë vizitorë më shumë apo një rritje me 57 %.
Besoj se rritja është rezultat i efekteve pozitive të një sërë ndërhyrjesh të kryera në mandatin e parë qeverisës, përfshirë rilindjen urbane, infrastrukturën rrugore dhe të ujrave të përdorura, furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, sigurinë rrugore dhe rendin publik, jetëzimin e trashëgimisë historike dhe kulturore, urgjencën mjekësore, administrimin e mbetjeve, etj.
Në krahasim me vitin 2016 janë rreth 380 mijë vetë më shumë, apo rreth 8 %. 8 % është një rritje jo e vogël, por për herë të parë pas disa vitesh me rritje vjetore dyshifrore kemi rënë nën 10 %.
Një lexim i shpejtë tregon se në fakt rritja një shifrore në 2016 lidhet me rënie të ndjeshme të vizitorëve nga Kosova. Ndërsa pjesa tjetër e vizitorëve është rritur me 31 %, që është një rritje vërtet spektakolare.
Vizitorët nga Kosova vazhdojnë të përbëjnë grupin më të madh të vizitorëve të huaj, por nëse në 2016 Shqipërinë e vizituan rreth 2,15 milionë kosovarë, në 2017 e kanë vizituar rreth 1,75 milionë. Rënia është 19 % apo rreth 411 mijë vetë. Edhe pse mund të vlerësohet se vizitorët nga Kosova shpenzojnë në ditë më pak se vizitorët nga vendet e tjera, unë besoj se ne nuk duhet të humbasim vizitorët nga Kosova. Ata sot plotësojnë një pjesë të ofertës sonë që nuk është e lehtë të zëvendësohet nga vizitorë të tjerë. Një analizë krahasuese mujore e vizitorëve nga Kosova tregon se rënia ka ndodhur kryesisht në tre muajt e verës.
Në tre muajt e verës 2017 janë 406 mijë vizitorë më pak se në 2016 apo 31 % më pak. Kjo rënie ka sjellë që edhe në nivel të përgjithshëm të vetmet muaj me mosrritje të vizitorëve të huaj të jenë muajt e verës. Duhet një analizë sa më e shpejtë e shkaqeve të kësaj rënie për të bërë përpjekje për të rikuperuar sa të jetë e mundur. Nuk përjashtohet mundësia që në muajt e verës, për të mospenguar lëvizjen në pikën e kalimit dhe kontrollit kufitar në Morinë të mos jenë mbajtur shënime të rregullta të lëvizjes së qytetarëve. Nëse do të ishin publike të dhëna lidhur me numrin e automjeteve që kanë lëvizur në dy anët e kufirit gjatë verës 2017 mund të kishim një vlerësim më të plotë nëse rënia e vizitorëve është kaq e madhe apo jo. Po ashtu edhe ballafiqimi me të dhënat zyrtare të autotiteteve përgjegjëse kosovare mund të ndihmojë për një analizë sa më të plotë. Mosregjistrimi i saktë të kosovarëve në muajt e verës mund të ketë sjellë një rënie të lehtë të peshës specifike të verës në numrin e vizitorëve, por është e parakohshme për të bërë arritur në konluzionin se kemi rritje të kërkesës edhe jashtë muajve të verës.
Siç u tha edhe më lart rritja me 31 % apo me rreth 793 mijë e vizitorëve jo nga Kosova është vërtet impresionuese.
Vizitorët nga Maqedonia u shtuan me 105 mijë vetë apo 18,5%.
Vizitorët nga Mali i Zi u shtuan me 56 mijë vetë apo 17,2 %.
Vizitorët nga Greqia u shtuan me 78 mijë vetë apo 18 %.
Vizitorët nga Italia u shtuan me 97 mijë vetë apo 36,7 %.
Vizitorët nga nga vendet e tjera shtuan me 457 mijë vetë apo me 45,2 %.
Rtitja e ndjeshme e turistëve nga Italia dhe vende të tjera përveç vendeve fqinjë ka sjellë edhe rritje të ardhjes nga ajri e deti.
Në 2017, krahasuar me 2016 nga ajri erdhën 26 % më shumë ndërsa krahasuar me 2013 erdhën 86 % më shumë.
Në 2017, krahasuar me 2016 nga deti 43 % më shumë ndërsa krahasuar me 2013 erdhën 116 % më shumë.
Po ashtu edhe ardhja për qëllime biznesi ka një rritje të ndjeshme me 16,6 % krahasuar me 2016, edhe pse vizitorët që vijnë për qëllime biznesi përbëjnë vetëm 1,3 % të vizitorëve.
Lajm shumë i mirë është edhe që numri i vizitorëve që vijnë për qëllime pushime është rritur me 23,6 %.
Për fat të mirë në 2018 kemi fillimin e e zbatimit të disa politikave të shënjestruara për turizimin.
2018 do të jetë viti i parë i plotë financiar me politikë fiskale të dedikuar për turizimin. Qoftë me TVSH 6 %, qoftë me lehtësirat e konsiderueshme fiskale për investitorët në turizëm.
Prej disa ditësh kemi në fuqi një kuadër të ri rregullator për agroturizimin. Ky kuadër i ri rregullator pritet të bashkëshoqërohet edhe me mbështetje financiare të drejtpërdrejtë.
Edhe pakoja e miratuar së fundmi e “100 fshtatrave” do të zgjerojë ofertën turistike dhe potencialisht shtrijë më shumë gjatë vitit shfrytëzimin e kësaj oferte, edhe pse në vlerësimin tim personal lista duket e hartuar në mënyrë eklektike dhe e shpërpjestuar veri – jug (në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër e Lezhë së bashku jetojnë po aq shqiptarë sa në qarqet Korçë, Gjirokastër e Vlorë, ndërkohë qënë nëse 4 qarqet e veriut janë përzgjedhur 25 fshatra në tri qarqet e jugut janë përzgjdhur 37 fshatra apo 50 % më shumë se në veri).
Apo lajmet e mira për interes konkret për aeroportet e Kukësit dhe të Vlorës. Por përveç këtyre dy aeroporteve duhet një zgjidhje për vizitorët e Sarandës. Agjencitë e mëdha europiane që duan të sjellin përherë e më shumë vizitorë të huaj në Sarandë janë të detyruar të përdorin aeroportin e Janinës, pasi në aeroportin e Korfuzit nuk ka më asnjë mundësi për fluturime të reja. Edhe nëse do të jetë në funksion aeroporti i Vlorës, qoftë nga Janina, qoftë nga Vlora do të duhen më shumë se dy orë për të arritur në Sarandë.
Megjithatë mbetet ende shumë për të bërë. Në drejtim të kuptimit sa më të plotë të kërkesës. Kuadri rregullator i agroturizimit duket i hartuar në potencialet e ofertës dhe jo sipas kërkesës për agroturizimin shqiptar. Nëse agroturizmi shqiptar i çertifikuar duhet të ketë 30 % të prodhimeve lokale, për një vizitor të huaj europianoverior apo europianoqëndror gjithçka që gjen në Shqipëri është vetëm lokale.
Por edhe korniza e ofertës turistike “Made in Albania” është ende për të skicuar. “Ndiq rrugën tënde” nuk mjafton. Pothuajse të gjitha promovimet europiane që i bëhen Shqipërisë turitike kanë të përbashkët “hahet mirë dhe ende lirë”. A na duhet kjo? A na mjafton kjo?
Ende kemi potencial në turizimin shëndetësor, sidomos atë shëndetësor dentar. Mund të formojmë paketa ofertë disaditore në Shkodër, Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë etj për vizitorë që vijnë mars – prill apo tetor – nentor dhe gjatë periudhës së qëndrimit kryejnë një mjekim të plotë dentar. Mund të jetë “paketa e buzëqeshjes”. Kjo duhet shoqëruar me një sistem të sigurtë të gjurmimit të materialeve mjekësore dentare të implantueshme, me një sistem rigoroz të monitorimit të sterilitetit të autoklavave të kabineteve dentare, me një sistem eficient të administrimit të mbejtjeve të ashtuquajtura spitalore që krijohen në kabinetet dentare dhe, pse jo, edhe me sigurim profesional të mjekëve dentist. Tek shëndeti të huajt, sidomos europianët, kërkojnë siguri në shëndet dhe garanci në përdorimin efektiv të financave personale.
Ende kemi potencial në turzimin e moshës së tretë. Në prill – maj dhe në shtator – tetor kapacitet tona në bregdetin e adriatikut mund të dhe duhet të shfrytëzohen nga vizitorë europianë që vijnë dhe qëndrojnë të paktën 1 javë. Kjo do të kërkojë veç të tjerash që edhe në mjediset publike pranë plazheve të Shëngjinit, të Durrësit, Shkëmbit të Kavajës, Golemit, Malit të Robit të realizojmë të njëjtin rikualifikim urban që po kryejmë në laget e brendshme të qyteteve tona kryesore. Madje kjo pjesë e infrastrukturës tursitike që kemi në bregdetin e Adriatikut duhet shfrytëzuar gjatë pranverës edhe për turizimin e organizuar nga institucionet arsimore, kulturore e sportive europiane për nxënësit e studentit në pjesën e fundit të vitit të rregullt akadamik. Në një intervistë ditët e fundit në kanal televiziv skandinav përfaqësues të agjncisë turistike Apollo vlerëson bregdetin e Adriatikut si mundsi për pushime kryesore të verës për familje të reja me fëmijë të vegjël. Pra, duhet të punojmë për të rikuperuar bregdetin e Adriatikut të cilin e shfrytëzuam barbarisht për 25 vjet. Edhe këtu siguria tek kujdesi shëndetësor është e veçantë prandaj duhet të vazhdojmë shpejt me fuqizimin e urgjencës mjekësore në territor dhe urgjencat pritëse të spitaleve.
Por kemi edhe sfida të tjera. Do të ishte shumë mirë nëse këtë verë vizitorët e huaj të akomodohen në njësi me një sistem të plotë vlerësimi sipas yjeve. Ndërkohë duhet punuar pa humbur asnjë minutë që për 2019 të kemi hartën kombëtare të njësive akomoduese sipas yjeve. Do të ishte shumë më mirë nëse këtë verë të kishim mole të reja në bankina detare apo marina.
Do të ishte shumë më mirë nëse do të ishte në funksion një sistem pritash që mbeturinat urbane që vërshojnë dimrit të mos derdhen në detet e ngrohta të verës.
Ia kemi detyrim shqiptarëve për nderin që na bënë duke na zgjdhur të qeverisim. Ia kemi detyrim musafirëve të huaj që na nderojnë duke na vizituar.