Nga SHABAN MURATI
Kënaqësia që ngjalli në Moskë referendumi britanik, i cili hapi derën e largimit të Britanisë së Madhe nga BE, mund të krahasohet me kënaqësinë që ngjalli në Europë prishja e Bashkimit Sovjetik 25 vjet më parë. Po të parafrazojmë fjalët e njohura të presidentit rus, Vladimir Putin, se prishja e Bashkimit Sovjetik është katastrofa më e madhe gjeopolitike e Rusisë, edhe largimi i Britanisë së Madhe nga BE mund të quhet katastrofa më e madhe gjeopolitike e Bashkimit Europian, që nga Traktati themelues i Romës në vitin 1957.
Ikja e Britanisë së Madhe nga BE ka shumë dimensione, por dimensioni me efektin më të madh dhe më të gjerë negativ është dimensioni gjeopolitik, në dëm të Europës dhe në favor të Rusisë. Sekretari i jashtëm britanik, Filip Hammond, deklaroi në 24 qershor se rezultatet e referendumit kanë gëzuar presidentin rus. Ish-ambasadori i SHBA-ve në Moskë, Majkëll Makfol, në 24 qershor e përkufizoi kështu rezultatin e referendumit britanik: “Humbësit: BE, Britania e Madhe, SHBA, dhe gjithë ata, që besojnë në dobinë e një Europe të fuqishme, të bashkuar dhe demokratike. Fituesi: Putini”. Nga ky zhvillim negativ paneuropian BE del më e dobët se kurrë më parë. Prej saj largohet, jo thjesht shteti i parë në 60 vjet të ekzistencës së BE, por largohet shteti me ekonominë e dytë më të madhe në BE. Largohet një nga dy shtetet e vetëm të BE, që bëjnë pjesë në klubin bërthamor. Largohet një nga dy shtetet e vetëm të BE, që është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të drejtën e vetos për çështjet më të rëndësishme botërore. Ndryshon në dëm të Europës ekuilibri i forcave dhe konfiguracioni i fuqisë në shkallë kontinentale. Europa bëhet më e dobët në arenën ndërkombëtare dhe është vështirë që, pa Britaninë e Madhe, të klasifikohet tani si një qendër globale e fuqisë.
Amputimi britanik i Bashkimit Europian ndodh në kohën më të pafavorshme të mundshme. Koha, kur BE përballet me problemin e rrezikut rus dhe me problemin e indondimit nga oqeani i refugjatëve nga Lindja e Mesme. Europa ndodhet në kulmin e një përplasjeje të madhe gjeopolitike me Rusinë, e cila ka marrë forma dhe intensitete, të papara që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Kriza ukrainase është fusha e mejdanit të kësaj përplasjeje gjeopolitike. Nëse Rusia po shfaqet kërcënuese në planin strategjik, gjeopolitik dhe të sigurisë, me aneksimin e dhunshëm të Krimesë, me ndezjen e konfliktit separatist në Ukrainën Lindore dhe me prishjen e kufijve të një shteti sovran europian për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, Europa po vazhdon të kundërpërgjigjet me vështirësi me instrumentin e saj paqësor të sanksioneve kundër Rusisë. Është një instrument, i cili vështirë të quhet koheziv, sepse një pjesë e shteteve anëtare të BE kanë dalë hapur kundër dhe praktikisht janë rreshtuar me Rusinë në këtë ballafaqim gjeopolitik. Është një instrument, përdorimi i të cilit vështirë se do të vazhdojë gjatë, sepse disa shtete anëtare të BE kanë kërkuar zyrtarisht dhe këmbëngulin prej kohësh që ta neutralizojnë veprimin gjeopolitik europian të sanksioneve. Britania e Madhe ishte një nga shtetet anëtare më të vendosura dhe më aktive për zbatimin e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë. Pesha e fuqisë së saj brenda BE ka ndikuar që të mbahet fort në veprim instrumenti i përgjigjes gjeopolitike të BE ndaj Rusisë. Tani kjo linjë e fortë sanksionesh antiruse humbet peshë dhe ndikim dhe taboret e të ashtuquajturve euroskeptikë, të forcuara nga sponsorizimet e shërbimeve bankare, diplomatike dhe sekrete ruse, po marrin fuqi të reja me këtë rast për ta prishur këtë instrument gjeopolitik europian, që janë sanksionet.
Vetë Europa dhe Bashkimi Europian si organizatë do ta kenë më të vështirë të përballojnë agresivitetin rus në rritje, presionet dhe interferencat e Moskës në jetën e brendshme të shteteve anëtare të BE. Fenomeni negativ i filorusizmit, i shfaqur hapur në udhëheqjet e disa shteteve anëtare të BE, që i ngjan një njolle të errët të ndikimit dhe kontrollit rus në hapësirat brenda BE, pritet të marrë përmasa të reja. Nuk është rastësi vrulli i ri antieuropian dhe entuziazmi i partive dhe forcave ekstremiste të djathta dhe të majta në Francë, Holandë, Greqi, Sllovaki, Hungari etj. nga ikja e Britanisë së Madhe dhe nga aspirata për erozionin e plotë të BE. Nuk është entuziazëm vetëm nga nxitja e re, që të organizojnë edhe ata referendume dhe të detyrojnë shtetet e tyre që të ikin nga Bashkimi Europian. Vështirë të mendohet brenda BE një efekt-domino në përmasat dhe me rezultatet britanike. Entuziazmi antieuropian i forcave ekstremiste, të djathta dhe të majta, shkaktohet nga prishja e ekuilibrave të brendshëm të kohezionit politik, ekonomik, financiar, institucional, strategjik etj. brenda Bashkimit Europian. Është entuziazmi antieuropian i forcave filoruse brenda BE, të cilat, në forma të nëndheshme dhe të mbidheshme, sabotojnë fuqinë e BE si aktor global dhe kontinental.
Ikja e Britanisë së Madhe nga BE është gjithashtu dobësim i aktorëve kryesorë dhe të fuqishëm të skenës europiane, dobësim i shteteve të mëdha europiane. Vetë Britania e Madhe nuk mund të jetë më në planin ndërkombëtar ajo që ka qenë deri tani, dhe nuk mund të ketë fuqinë që ka pasur deri tani si anëtare e madhe dhe me peshë të veçantë e Bashkimit Europian. Ajo zgjodhi izolacionizmin dhe në gjithë historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk mund të gjesh një shembull, që të provojë se me kursin e izolacionizmit është forcuar pozita dhe influenca e një shteti në arenën ndërkombëtare. Britania e Madhe do të ketë influencë më të kufizuar në punët europiane, dhe ky është një parametër, që do të futet në konsideratat partneriale të shteteve të mëdha jashtë Europës në marrëdhëniet e tyre me Britaninë e Madhe sot e tutje. Me statusin e ri si shtet jashtë BE, Britania e Madhe do të ketë statusin e njëjtë të shteteve europiane, që nuk janë anëtare të organizatës së madhe politike dhe ekonomike europiane.
Britania e Madhe pas referendumit do të duhet të përballet me sfidat e reja të Skocisë për pavarësi, të Irlandës së Veriut për bashkim me Irlandën, të Gjibraltarit për bashkim me Spanjën etj. Britania e Madhe mund të thuhet se krijoi një precedent negativ për veten e saj në lidhje me perspektivën e Komonuellthit britanik, ku mban formalisht drejtimin e gjithë ish-perandorisë së saj të dikurshme anglofone. Është për t’u theksuar se në prag të referendumit, krahas presidentit të SHBA, Barak Obama, edhe kryeministrat e Kanadasë dhe të Australisë i bënë thirrje të drejtpërdrejta Britanisë së Madhe që të mos votonte për të lënë Bashkimin Europian. Nëse Britania e Madhe vendosi me referendum që të largohet nga organizata ndërkombëtare europiane, ku ishte anëtarësuar me dëshirë dhe me vullnet të plotë që nga viti 1973, është e natyrshme të mendohet se shtete anëtare të Komonuellthit mund ta braktisin, me ose pa referendum, Komonuellthin britanik. Në arenën ndërkombëtare Britania e Madhe ka operuar deri tani si një anëtare e fuqishme e Bashkimit Europian, përkatësi që në planin diplomatik dhe strategjik ka pasur rëndësi dhe efekt të madh. Tani ajo e ka privuar veten nga kjo lidhje dhe do të detyrohet të luajë si shtet individual në të gjitha marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.
Zëdhënësi i Kremlinit nuk e fshehu kënaqësinë e udhëheqjes ruse nga ikja e Britanisë së Madhe prej Bashkimit Europian dhe u shpreh se tani pritet që marrëdhëniet dypalëshe të jenë më të mira. Është disi naive të besohet se, tani që Britania e Madhe vendosi të largohet nga BE, janë çelur perspektiva më të mira për marrëdhëniet ruso-britanike. Një interpretim i tillë do të thotë sikur anëtarësimi në BE ka penguar zhvillimin e këtyre marrëdhënieve dypalëshe. E vërteta është se Britania e Madhe, jashtë BE, do të jetë edhe më e dobët përballë Rusisë në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Rusia jo vetëm është e kënaqur nga Brexit, por sipas burimeve diplomatike britanike, ajo ka punuar që procesi referendar të shkojë në drejtimin që doli. Nuk është fjala vetëm për propagandën intensive të mjeteve ruse të propagandës për jashtë në favor të daljes së Britanisë nga BE, por edhe për shumë forma të tjera të ndërhyrjes së institucioneve të Rusisë në procesin e përpunimit të opinionit, të forcave politike antieuropiane dhe në procesin e votimit. Në nivelet më të larta të politikës britanike u bënë referenca të qarta për ndërhyrjen e Rusisë në procesin e votimit. Këto akuza britanike të nivelit të lartë i dogjën shumë udhëheqjes ruse, saqë vetë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u detyrua personalisht në datën 24 qershor që të deklaronte se: “Ne asnjëherë nuk kemi ndërhyrë. Në asnjë mënyrë nuk kemi ndikuar në këtë proces, dhe bile nuk jemi përpjekur ta bëjmë këtë gjë”. Një përgënjeshtrim, që më tepër i shton, sesa i largon dyshimet e një ndërhyrjeje ruse.
Në planin gjeopolitik europian Rusia do të ketë tani përballë një Europë të amputuar, e cila do të duhet të merret dhe të përqendrohet në mbylljen e kësaj të çare të madhe, të cilën ministri i Jashtëm austriak e përkufizoi si tërmet politik. Çarja tektonike gjeopolitike e Bashkimit Europian është e madhe dhe Europa do ta ketë më të vështirë të përballojë betejën e madhe gjeopolitike me Rusinë, e cila është në zhvillim e sipër për Ukrainën.
Dobësimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i Europës nga aksidenti britanik mund ta shtyjë Rusinë të avancojë më tej në oreksin e vet gjeopolitik drejt kufijve të tjerë të shteteve europiane, sidomos drejt atyre që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe që konsiderohen nga Kremlini si sferë natyrale e influencës ruse. Presioni rus për të penguar integrimin europian të vendeve ish-komuniste, sidomos në Ballkan dhe në pjesën lindore të Europës, pritet të bëhet më i fortë, sepse në këndvështrimin rus, siç shkruante portali rus “Gazeta.ru” në 24 qershor: “BE, e quajtur projekti më tërheqës integrativ edhe për hapësirat postsovjetike, humbi imazhin e ëndrrës politike të popujve”.
Mund të ekuilibrohet më lehtë tronditja financiare, që shkaktoi referendumi britanik i largimit nga BE. Mund të riparohet çarja e anijes politike dhe institucionale europiane. Por është tepër e vështirë të riparohet dhe të kompensohet pakësimi i fuqisë së BE si bllok dhe si aktor global. Do të jetë më e vështirë sot e tutje të përkufizohet Europa si aktor global dhe fuqi globale në planin ndërkombëtar. Mund të thuhet se BE ka humbur një bast tepër të rëndësishëm, por loja vazhdon. E tërë politika dhe gjeopolitika ndërkombëtare ka formën e një loje, ku bastet i përcakton fuqia. Ka shumë rëndësi që BE të kërkojë dhe të gjejë format dhe forcat e fuqisë, që po humbet me ikjen e Britanisë së Madhe. Një formë efikase është rruga e zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos me një shtet të fuqishëm kandidat si Turqia. Bashkimi Europian ose ëndrra europiane nisi të realizohet në fillim pa Britaninë e Madhe, dhe nuk besohet se do të vdesë tani, meqë Britania e Madhe vendosi ta lërë fushën e lojës europiane.