Nga Ben Andoni
Ne nuk mund ti vlerësojmë thjesht me njohuritë tona, gjërat që lidhen me politikën, prodhimin bujqësor, luhatjet e ekonomisë, funksionimin e shtetit, konceptet moderne për familjen, BE-në apo të papriturat e historisë, etj., ndaj na duhet një busull, që njihet si ideologji. Kjo e fundit ‘e thjeshtëzon’ kompleksitetin e madh të botës në diçka të kuptueshme, e cila mund të ndiqet dhe t’i bëjë udhë një individi. Shqipëria në mungesë të ideologjive të caktuara është një vend jo thjesht kaotik, por që nuk jep mundësi, që shtetasi i thjeshtë i saj të gjykojë si duhet për problematikat e panumërta, që e rrethojnë: Ecurinë e ekonomisë, kahet e politikës, marrëdhëniet shoqërore, klasat e papërcaktuara etj.
Me pak fjalë, shoqëritë krijojnë një frymë dhe vërtetësi perceptimi përmes një procesi të tërë debati dhe shtjellimi idesh, të cilat e kanë bazën tek një pjesë e vogël e ideve që merren të mirëqena ose të rëna dakord si shoqëri, sipas literaturës. Themeli i botëkuptimit kolektiv quhet ideologji. Sërish konform literaturës, ideologjia nuk është as e mirë as e keqe në vetvete dhe përfaqëson një variabël standard sociologjik, që vendet e përparuara mundohen ta evidentojnë.
Homo Albanicus, sidomos pas viteve ’90, që është krejtësisht i shkalafitur prej dikotomisë së politikës e Majtë-e Djathtë, i është dashur të përballë ideologji të ndryshme, por tek e fundit asnjëra e ravijëzuar qartë. Duket se megjithë masivitetin e fesë apo mëtimit të tashmë qeverisjes socialiste se shteti është forcuar, kemi shumë më tepër konfuzion ideor dhe çoroditje përballë problematikave të ndryshme të përditmërisë dhe jo vetëm.
Ideologjia Socialiste para viteve ’90 ishte kanonike, përcaktohej qartë dhe njihej me togfjalëshin e ashpër: Diktatura e Proletariatit. Tashmë në masë, shpallet vdekja e ideologjisë dhe në politikë të paktën, ku njerëzit e lidhin më shumë si leksik drejtimor, këtë e shikon nga hallakatja e partive tona. Në nisjen e iniciativës së tij të quajtur “Foltore”, që e ndryshoi dhe e përçau PD-në, ish-kryeministri Berisha shpalli kahun ideologjik Konservator dhe pa asnjë mëdyshje të gjithë poshtë tij e mbështetën dhe e artikuluan si të ishin megafonë të thjeshtë. Pak ditë më parë, në Kuvendin e PD së Rithemelimit, ai e kanalizoi PD-në sërish në anën e Djathtës në qendër dhe pothuaj sërish nuk pati asnjë reagim. PS-ja dukshëm ka lëvizur nga e Majta dhe nuk është habi që sikur Rama të artikulojë zyrtarisht kahun e Qendrës, për të cilin po jep frymë, thjesht do të marrë duartrokitje.
PD-ja e pas viteve ’90, koha kur ishte e bashkuar (dhe vetëm lindte partiza) doli si një front dhe jo parti kundër ish-regjimit komunist, por nuk është se u soll ‘aq mirë’ me pronarët. Fizionomia e saj e vërtetë u përshfaq hapur qysh në vitin 1993 kur ua prishi atyre grevën e urisë, pasi Ligji 7501 e ktheu në hiç pritjen e tyre dhe çlirimin e pritshëm; një vit më pas u trandën njësoj dhe të përndjekurit! Po të hedhësh vështrimin në periudhën e qeverisjes së parë të PD-së, sheh se përveç një antikomunizmi të sforcuar nuk mund të flitet për politikë mirëfilli të Djathtë; jo thjesht respekti ndaj pronës, por edhe votimin për liberalizimin e qëndrimit ndaj LGBT do i shpërfaqnin ndryshe. Dërrmën në fakt do e merrnin me Strukturat Piramidale, kur Berisha ‘bënte bé për paratë e pastra të shqiptarëve’. Por më theksuar mungesa e ideologjisë do shpalosej në kohën e Luftës së Kosovës, kur kërkoheshin të dilnin dhe të shpaloseshin vlerat kombëtare, atribute themelore të së Djathtës, ndërsa në vend të këtyre mbi administratën e PD, luftohej për pushtet me socialistët dhe u lejua vërshimi i kontrabandës nga Shqipëria, pa përfshirë këtu pengesa që iu bë jo pak njerëzve të rezistencës kosovare.
Në këtë mandat të tretë, Partia Socialiste jo vetëm është shkëputur nga ideologjia e të Majtës, por me përgjigjet cinike të Ramës për mungesën e sindikatave, justifikimin për inceneratorët dhe sidomos të ardhmen e PPP-ve, publiku ka parë një forcë politike që jo thjesht nuk i intereson politika për të administruar ndershëm pasuritë e vendit, por më shumë se kaq noton në një përballje shumë të largët me problemet reale të fashave të saj të popullsisë duke ua konfuzuar krejt ideologjinë. Nuk po përmendim këtu sesi ka lënë pezull dhe vlerat e anti-fashizmit, apo si do të jetë qëndrimi ndaj kapitalit dhe futjen e shpeshtë të shtetit tek privati… Por, ajo që njerëzit po vuajnë nga mungesa totale e ideologjisë është se sërish nuk ka qëndrime për zgjidhjen e problematikës së madhe të pronave, përballjes së konceptit të lirisë, shqetësimeve të familjes së sotme, arsimit të së ardhmes etj. Forcat politike bëjnë programe, që mund të shpërfaqin ideologjitë e tyre por që janë aspak të prekshme për publikun. Ndaj jashtë politikës ne s’kemi sot qëndrime mirëfilli sociale dhe pakte të pranuara për çështjet që listuam pak më sipër apo si duhet trajtuar p.sh., diferencave në të ardhurat e shqiptarit të thjeshtë dhe atij të shtresës së Mesme, si duhet frenuar mosikja e njerëzve, si duhen trajtuar të drejtat të njeriut, në frymë moderne etj.
Fryt i kësaj është kaosi i sotëm në Shqipëri, që duket qartë që nga mungesa totale e ndonjë ideologjie të përcaktuar, për të cilën ne shpesh nuk bëhemi dot ‘të vetëdijshëm’. Nëse institucionet e pavarura, Akademia e Shkencave, Institucionet e Arsimit dhe Kulturës duhet të luanin si duhet rolin e tyre, atëherë me ndihmën e ideologjive, lindur dhe përcjellë nga këto struktura, shqiptarët do kishin mendërisht të përcaktuar sesi do të përballeshin në përditmëri, si do të shikonin politikën në parlament, si do ta ndërtonin kohezionin e tyre social.
Kjo sot mungon totalisht dhe ne jemi kaq apatikë dhe gjykojmë vetëm sipas anësive politike se pse pakti Rama-Meloni është apo jo i dëmshëm për vendin? Nuk kemi përcaktime për Kosovën dhe identitetin, që po mëtojnë qarqe të ndryshme ta përcjellin? Kurse në rastin e problemeve, që na prekin cilësinë e jetës, nuk mundemi sot të gjykojmë se çfarë do të bëjë Ngrohja Globale, sepse kërkesa publike për mjedisin zë një vend gati të papërfillshëm në programet dhe iniciativat, ndërsa institucionet nuk e kanë për gjë t’i zvogëlojnë Zonat e Mbrojtura, ashtu si nuk ‘kemi’ përgjigje pse nuk tërheqim dot si fqinjët investime bazike të huaja?!
Ideologjia na jep përgjigjen, qëndrimin apo këndvështrimin e kësaj pyetjeje. Por, sot kur përmend ideologjinë njerëzit e kujtojnë vetëm si leksik që lidhet me partitë por harrojnë se na duhet për të gjykuar këtej e tutje për familjen, lindshmërinë, ikjen, për pasuritë tona dhe për PPP-të apo privatizimet e monopolet.
Ideologjia lejon një komb të ketë një ndjenjë të qartë të qëllimit dhe identitetit të përbashkët, pikërisht atë që vuan më së shumti Shqipëria dhe bashkëkombësit e saj që nuk bëhen kurrë bashkë, siç ndodhi pak orë më parë në Preshevë. Po të krahasojmë me një shembull: Shumë kombe, si p.sh. modeli ynë Shtetet e Bashkuara, nuk kanë një fe, etni, gjuhë ose vendlindje të përbashkët, por ideologjia e tyre e ka mbushur këtë boshllëk dhe ka sjellë një ndjenjë kohezioni për këtë komb kaq vital, përmes Deklaratës së Pavarësisë. Amerika është një vend ku besohet dhe luftohet me ndjenjën se: të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, që ndër to janë Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë…Kaq e thjeshtë është. A ka ardhur koha dhe për Shqipërinë, që të ketë një ideologji kombëtare, me sa duket po. Jo për partitë që e kanë shfrytëzuar çdo burim të vendit, por për shqiptarin e thjeshtë, atë që derdh gjak në çdo luftë dhe që i ka rënë bretku në ara apo në punën me tre turne për dekada me radhë dhe sidomos shqiptarin e 30 viteve të fundit, që ia bjerrin vendin për çdo ditë. (Homo Albanicus)
Cja fut kot ti.populli eshte 30 vjet para nga ju populli i di te gjitha hilet qe beni por ju kujtoni se ne zdime gje.Amerika e carmatosi Shqiperine sepse do qe ti japi Serbise gjysmen e Kosoves qe Serbia te kaloje ne influencen Amerikane prandaj Shqiperia duhet te jete pa ushtri qe te mos mundet te reagoje dhe te behet kjo duhet ne Shqiperi dhe Kosove te jene ne pushtet njerezit e Amerikes prandaj Amerika krijoi SPAK qe te veje ne pushtet njerezit e saj dhe te heqi qafe te tjeret si te koruptuar,udheheqesit e UCK Amerika i coi ne Hage qe ti hapi rugen per pushtet njerezve te saj.Shqiperia eshte shtet kapitalist qe te funksjonoje kapitalizmi gjysma e Shqiperise duhet te jete e varfer puntore po te jene te gjith Shqiptaret te pasur atehere kush do punoje shembet shteti populli kete hile e di prandaj iken emigrant qe te bleje prona jashte shtetit dhe te mos mundet Shqiperia ti taksoje.sa per ngrohjen globale nuk egziston