Nga Genta Brahimi
Autoritetet shqiptare vazhdojnë të heshtin për pritjen e sirianëve. Këmbëngulja e gazetës “Shëndet+” për të marrë një informacion zyrtar për situatën merr vetëm përgjigjen “Do t’ju njoftojmë sapo të kemi diçka”. Ndërkohë, gjithçka që dihet, janë vetëm informacione jozyrtare, të përfolura nga mediat, por pa asgjë të qartë.
Nga ana tjetër, mësohet se disa ish-reparte po “pastrohen” në mënyrë që të vendosen emigrantët sirianë që mund të mbërrijnë në vendin tonë. Vetëm drejtori i Përgjithshëm i Kufirit dhe Emigracionit, Genc Merepeza, ka pranuar të japë një përgjigje, ndërsa është shprehur se aktualisht janë identifikuar 3 pika ku do të stacionohen refugjatët sirianë në rast se ata do të kalojnë përmes Shqipërisë. Këto pika janë në afërsi të kufirit me Greqinë dhe në fshatrat Gërhot dhe Arshi Lengo: ish-reparti ushtarak tokësor në “Arshi Lengo” dhe ish-ambientet e divizionit ushtarak në Gërhot. Të dyja zonat janë nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Hyrja në to është e pamundur nëse nuk disponon leje nga kjo ministri.
Reparti ushtarak i tankeve, një nga më të mirët në vend, është i vendosur përballë qytetit të Gjirokastrës, rreth 3 km larg. Është vend i izoluar dhe aktualisht kontrollohet nga 4 punonjës të ushtrisë. I ngritur rreth viteve ’60, reparti u mbyll në vitin 2000.
Në pamje të jashtme gjithë zona duket e fjetur dhe e braktisur. Brenda këtij territori ngrihen 10 godina, 4 prej të cilave kanë qenë dikur kapanonë ku flinin ushtarët dhe të tjerat kanë shërbyer si magazina, depo e mensa. Nga jashtë gjendja e tyre duket e mirë, por vihen re shenjat e amortizimit, dëmtimet dhe degradime. Që të gjitha godinat kanë funksional rrjetin e ujësjellësit, sistemin elektrik dhe infrastrukturën rrugore. Brenda godinave ka lagështirë, mungojnë shtretërit dhe në disa prej tyre ka materiale të vjetra, kryesisht mobilje të vjetëruara prej druri.
Ndërsa situata në “Arshi Lengo” mund të konsiderohet e pranueshme për vendosjen e emigrantëve sirianë, gjendja në ish-divizionin e këmbësorisë në Gërhot lë shumë për të dëshiruar. Zona ushtarake është e vendosur 1 km në hyrje të qytetit të Gjirokastrës. Godinat janë në tre radhë paralele dhe zënë një sipërfaqe të konsiderueshme. Dikur kanë qenë rreth 30 godina funksionale, por pas braktisjes, nga pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur vetëm muret anësore.
Në radhën e parë të ndërtesave syri të zë vetëm 6 godina që mund të konsiderohen në gjendje të mira, ato kanë çati, dyer e dritare. Pjesa tjetër është plotësisht jashtë funksionit dhe në to dallohen vetëm mure ose fragmente muresh që mezi qëndrojnë ngritur. Në një pjesë hyjnë e dalin qetësisht kafshë të ndryshme, si: derra, dele, lopë, etj. që mbahen nga banorët e vendosur pranë ish-divizionit.
Askush nga autoritetet vendore nuk flet në lidhje me përgatitjet për ardhjen ose jo të emigrantëve, duke thënë se nuk kanë dijeni për çka do të ndodhë. Po ashtu askush nuk flet në lidhje me kapacitetet akomoduese në të dyja pikat. Momentalisht është përjashtuar vendosja e emigrantëve në fushën e aeroportit të Gjirokastrës, pasi aty mungon krejtësisht infrastruktura e nevojshme.
Në lidhje me deklaratat në media se kanë nisur përgatitjet për ardhjen e emigrantëve, në të dyja pikat ku shkuam nuk kishte asnjë rezervë ushqimore apo masa paraprake për pritjen e emigrantëve.
Reporterët e gazetës “Shëndet+” do të vazhdojnë të ndjekin hap pas hapi masat që po merren në këtë drejtim. (Ky shkrim u mbështet nga shoqata “Together for Life”)