Hashim Thaçi mund të rikthehet shumë shpejt në “kolltukun” e kryeministrit, duke ia lëshuar postin e premtuar të presidentit shefit të tij në Qeveri, Isa Mustafës. Kjo është rokada e mundshme që po mendohet për dy pozitat kryesore të shtetit, pas zhvillimeve të fundit në Kuvendit e Kosovës, ku partitë opozitare po i kundërshtojnë fuqishëm marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe Malin e Zi.
Në prill të vitit 2016 presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, do t’i skadojë mandati i saj pesëvjeçar, përderisa sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së, pas skadimit të mandatit të presidentes, pozitën e saj do ta zërë Hashim Thaçi.
Megjithatë, drejtimi i Qeverisë dhe zbatimi i obligimeve ndërkombëtare, përfshirë formimin e Asociacionit, Gjykatës Speciale, po duket një mision i vështirë për Isa Mustafën, marrë parasysh ofensivën e opozitës në drejtim të tij.
Prandaj, pozita e presidentit po shihet si zgjidhje më e pranueshme në këtë situatë për Mustafën e madje edhe për vetë Thaçin që të mos mbetet me kompetenca ceremoniale..