Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se nga vëzhgimi i qeverisë shqiptare, për shkak të rritjes së çmimit të naftës si pasojë e luftës SHBA-Izrael-Iran, janë rritur vetëm çmimet e perimeve dhe jo të ushqimeve të tjera,
“Rritja ka ndodhur vetëm në kategorinë e perimeve ndërsa në të gjitha ushqimet e tjera nuk ka pasur rritje të çmimeve”, tha ministrja në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë.
Ajo shtoi: “Lufta nuk është në dorën e Shqipërisë për ta frenuar apo jo, çmimet janë rritur si pasojë e luftës, ne jemi këtu që pasojat të kenë ndikim minimal në ekonominë shqiptare”.
Ministrja tha se qeveria është duke monitoruar çmimet në bazë ditore. “Janë mbi 80 produkte të shportës dhe asnjë nuk ka pasur rritje për shkak të luftës. Inflacioni shënoi në nivel 2,6%, që është nivel i kontrolluar ende. Nëse do të shohim që çmimet do të rriten edhe në produktet e tjera atëherë pa dyshim që do të ndërhyjmë me një akt që do të parashikojë të subvencionojë kategoritë e shtresave në nevojë”.











