Më datë 30.07.2016, rreth orës 16:30, në ambientet e ajrimit, brenda I.E.V.P, Vaqarr, Tiranë, është plagosur me armë zjarri në pjesën e këmbës shtetasi Lili Dulaj, i dënuar më parë në shtetin e Kosovës, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i ndaluar me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhunë në familje”.
Nga hetimet ka rezultuar se ky person është goditur nga një distancë e konsiderueshme jashtë mureve rrethuese të këtij burgu dhe ndaj tij është qëlluar me një armë zjarri.
Gjatë veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se, shtetasi Lili Dulaj nuk ka qenë shënjestra e këtij atentati, pasi shënjestër ka qenë shtetasi Gazmir Daci, i cili ndodhet në masën arrest në burg, për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Vrasje e ngelur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, pasi ky shtetas më datë 04.11.2015, pas një konflikti të mëparshëm, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Valmir Kolaveri dhe plagosur rëndë vëllain e tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizuar.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se nga vendi i ngjarjes është larguar me shpejtësi një automjet tip “Mercedes Benz” Vito ku nga verifikimet rezulton posedues shtetasi Ergys Kolaveri, vëllai i Valmir dhe Robert Kolaveri. Në momentin e kapjes së tij, ai ka qenë së bashku me shtetasin Enea Caka, kushëri i tij./a.m.