Nga Adriatik Doçi
Lulzim Basha dhe rrethi i tij në Partinë Demokratike po kthejnë gradualisht në kauzë politike amendamentet kushtetuese për Vetingun në politikë, një nismë kjo e propozuar edhe në vitin 2018, por që u rrëzua fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pas nga Kuvendi. Gjatë seancës së sotme plenare, në përpjekje për të sfiduar kundërshtarin politik Edi Rama, Lulzim Basha tha Vetingu në politikë duhet pranuar pa pyetur SHBA-BE dhe Komisionin e Venecias, pasi Shqipëria e ka tashmë një praktikë të tillë, duke iu referuar Vetingut në drejtësi.
Gjithashtu, Basha pretendon se Komisioni i Venecias e ka pranuar Vetingun në politikë dhe se propozimi i tij reflekton problematikat e konstatuara nga Venecias në 2018. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ripërsëriti sot gatishmërinë për t’u ulur ekspertët e të dy palëve në tryezën e bisedimeve, por në të njëjtën kohë ngriti dyshime të forta se propozimi i Bashës është një manovër dhe pjesë e luftës së tij me Sali Berishën, i cili ka nisur një aksion për ta shkarkuar.
Po cilat janë parashikimet e dyshimta dhe ndoshta të papranueshme të amendamenteve të PD-së për Vetingun në politikë?
A ashtë Vetingu në politikë sipas Lulzim Bashës i njëjtë me Vetingun në drejtësi?
A kanë propozuar Basha dhe rrethi tij amendamente me një përmbaje të tillë, me qëllim që të mos miratohen?
1. I pari ikën Lulzim Basha
Vetingu në politikë sipas Partisë Demokratike parashikon largimin e Lulzim Bashës nga politika dhe Parlamenti, për kontakte të papërshtatshme me Ilir Metën, i cili është subjekt i dyfishtë i amendamenteve të Bashës, si i akuzuar nga prokuroria për korrupsion në vitin 2011 dhe si President i vendit. Vetingu sipas Bashës kualifikon Metën si pjesë të krimit të organizuar edhe personazhet që janë proceduar për korrupsion, por që janë shpallur të pafajshëm për mungesë provash. Ilir Meta bën pjesë në këtë kategori. Lulzim Basha ka qenë në aleancë me Ilir Metën dhe partinë e tij.
2. ‘Hidhet në erë’ shteti
Vetingu në politikë sipas Lulzim Bashës parashikon që një sektor pranë SPAK mund të pezullojë nga detyra Presidentin, kryeministrin, kryetarin e KLSH, të Bankës së Shqipërisë etj., nëse nuk e konfirmon në detyrë. Ata mund të kthehen në detyrë nëse vendimi moskonfirmimit rrëzohet nga Gjykata Speciale, Apeli apo Gjykata Kushtetuese, por pasojat janë të pariparueshme pasi një pezullim i tillë fut në krizë institucionin kushtetuese ose rrëzon qeverinë. Nëse pezullimi i një gjyqtari apo prokurori nga shkalla e parë e Vetingut nuk bllokon sistemin gjyqësor pasi janë rreth 800 subjekte të tilla, pezullimi i Presidentit, për shembull, krijon krizë institucionale, pasi nuk kemi 800 presidentë apo guvernatorë, por nga një të tillë. Rreziku i shkeljes së të drejtave, arbitraritetit, paqartësia dhe devijimet politike, janë edhe arsyet kryesore se pse Komisioni i Venecias rrëzoi propozimin e PD-së në vitin 2018.
3. Ndëshkim edhe për kontakte me një person i shpallur i pafajshëm
Është parashikimi më i papranueshëm dhe absurd. Vetingu në politikë sipas PD-së parashikon ndëshkimin e krerëve të shtetit, politikës dhe deputetëve, edhe për kontakte të papërshtatshme me persona të proceduar për krim të organizuar, por që janë shpallur të pafajshëm nga gjykata me vendim të formës së prerë apo që prokuroria ka pushuar çështjen për mungesë provash. Është pikërisht pika 3 e nenit 5 të nismës. Vetingu sipas PD-së, një person të padënuar asnjëherë për asnjë vepër penale, e shpall pjesë të krimit të organizuar. Nisma merr atributet e gjykatës, duke fajësuar një person i shpallur i pafajshëm. Jo vetëm kaq. Por, përjashton edhe politikanin apo funksionarin e lartë nëse ka pasur kontakte të papërshtatshme me këtë personazh.
4. Pastërtia e figurës me implikime të rënda për të drejtat
Nëse gjyqtarët dhe prokurorët kanë një kod etike, të cilin duhet ta zbatojnë edhe jashtë orarit të punës, duke evituar kontaktet me persona të dyshimtë, krerët e partive dhe deputetë, përkundrazi, kanë për mision të maksimalizojnë votat si dhe të takojnë personazhe të të gjitha kategorive dhe sferave shoqërore. Në këto rrethana, ndoshta nuk ka asnjë deputet që të mos ketë kontakte me një person apo të afërm të dënuar apo proceduar për një nga veprat që Vetingu sipas PD i konsideron si pjesë të krimit të organizuar. Disa nga deputetët e PD-së kanë familjarë të dënuar për vepra penale që janë pjesë e veprimit të ligjit anti-mafia. Jo rastësisht, Komisioni i Venecias, në vitin 2018, kur rrëzoi propozimin e PD-së për Vetingun në politikë, e vë theksin tek rreziku i abuzimit me të drejtat.
5. SPAK është organ hetimor, jo administrativ
Amendamentet e PD-së parashikojnë që Vetingun në politikë ta bëjë SPAK. Anëtarët e SPAK janë përzgjedhur dhe trajnuar për procese hetimore dhe jo për procese administrative, siç është Vetingu. SPAK i ngarkohet një detyrë e re jashtë natyrës së veprimtarisë së tij dhe kompetencave të parashikuara me ligj.
6. Implikohet politika, konflikt interesi
Amendamentet e PD-së për Vetingun në politikë parashikojnë që maxhoranca dhe opozita, të janë subjekte të Vetingut, të monitorojnë Vetingun, paraqesin prova dhe bëjnë ankimime. Konkretisht parashikohet ngritja e një komisioni të posaçëm me 6 anëtarë, tre anëtarë të opozitës dhe tre të mazhorancës, të cilët janë vetë objekt i Vetingut. Komisioni do të luajë rolin e ONM në Vetingun në drejtësi. Ky komision është në konflikt të hapur interesi dhe një dorë e politikës në procesin e Vetingut, anëtarët e këtij komisioni, kolegët e tyre deputetë dhe krerët e partive të tyre politike janë objekt i Vetingut.
7. Përjashtohen SHBA-BE nga monitorimi i procesit
Ndryshe nga Vetingu në drejtësi, Vetingu në politikë sipas PD-së përjashton rolin e SHBA-BE për monitorimin e procesit. Zbatimi i Vetingut në drejtësi ka konfirmuar rolin vendimtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në seriozitetin dhe besueshmërinë e procesit. Janë rreth 18 gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë, të cilët kaluan shkallën e parë të Vetingut, por që u ‘dogjën’ dhe po ndëshkohen falë ndërhyrjes së ONM. Ish krerët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, Xhezair Zaganjori dhe Bashkim Dedja sot do të ishin pjesë e drejtësisë, nëse nuk do të ndërhynte ONM. Amendamenti i PD-së shmang plotësisht ndërkombëtarët.
8. Afati i kufizuar me rrezik dështimi
Ndryshe nga Vetingu në drejtësi, proces i cili nuk përcakton një afat brenda të cilit duhet të përfundojë verifikimi për një subjekt, Vetingu në politikë sipas PD-së, parashikon një afat 1-vjeçar për verifikimin e subjektit. Një afat i tillë mund të rezultojë i pamjaftueshëm vetëm për të mbledhur informacionin në organet ligjzbatuese, banka, autoritete të huaja etj., pa llogaritur procesin e verifikimit, të mbrojtjes etj. Verifikimi i një gjyqtari dhe prokurori ka zgjatur mbi dy vite. Vendosja e një afati të tillë në Kushtetutë, pa parashikuar rrugët nëse tejkalohet, rrezikon të dështojë procesin, gjithnjë nëse do të miratohet.
9. Kaosi me procesin e ankimimit
Vetingu sipas PD-së parashikon një skemë kaotike me procesin e ankimit, duke bërë që përfundimi i Vetingut për një politikan të zgjasë një dekadë. Vendimi i SPKA për të mos konfirmuar në detyrë një zyrtar mund të ankimohen në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe gjykohet nga një gjyqtar. Vendimi i shkallës së parë ankimohet në Apel. Dhe Vendimi i Apelit ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i SPAK për të konfirmuar në detyrë në zyrtar dërgohet për konfirmim ose jo në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, vendimi i të cilët merr formë të prerë.
10. Dublohet dekriminalizimi
Vetingu i politikanëve për lidhje me krimin e organizuar, sipas opinionit të Komisionit të Venecias në vitin 2018, dublon ligjin për dekriminalizimit, i cili parashikon largimin nga Kuvendi dhe çdo nivel administrate të personave të dënuar për një grup veprash penale. (Shqiptarja.com)