Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në lagjen Laprakë te pallatet malajziane ku punonjësi i Policisë, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H., të cilin dyshohet se e ka kanosur me armën e shërbimit.
Policia e Shtetit informon se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë, Nënkomisar F. H., dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor.
Gjithashtu, në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.
Si ndodhi konflikti
Siç raportohet, përplasja ka nisur pasi punonjësit e një lokali i kanë kërkuar efektivit të policisë të largonte automjetin e parkuar pranë ambientit të tyre, duke pretenduar se po pengonte zonën e shërbimit. Debati verbal mes palëve është përshkallëzuar, deri në momentin kur polici dyshohet se ka nxjerrë armën e shërbimit.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar momentin e tensionuar, ku efektivi shfaqet duke e drejtuar armën ndaj një të riu, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe persona të tjerë, përfshirë dy gra.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.vijojnë.











