Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Kamzës pasi i morën me dhunë varësen e floririt nëj të mituri. Ngjarja ka ndodhur në Bathore, ku dy 21-vjeçarët futën më dhunë në një automjet të miturin dhe i morën varësen që mbante në qafë. Policia sekuestroi varësen e floririt, një aparat celular dhe automjetin e përdorur nga 2 autorët e dyshuar.
Njoftimi i Policisë Kamëz
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se dy shtetas i kishin marrë me dhunë varësen, një të mituri, në Bathore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Pressure”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve:
– E. M., 21 vjeç dhe R. Sh., 21 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në Bathore, kanë futur në automjetin e tyre, një shtetas të mitur, pa dëshirën e tij, dhe i kanë marrë me dhunë varësen e floririt që mbante në qafë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e floririt, një aparat celular dhe automjeti i përdorur nga 2 autorët e dyshuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/a.r